Shqipëri: Protesta te Liqeni, sërish konfrontime me policinë

Aktivistë të Shoqërisë Civile u përplasën sërish me forcat e policisë së rendit dhe asaj bashkiake, njësoj si dy javë më parë, për të kundërshtuar projektin për këndin e lojrave në Parkun e Liqenit në kryeqytet, njofton Top Channel.

Ajo që ishte njoftuar nga Shoqëria Civile si nisma për të adoptuar një park nisi paqësisht, ndërsa këta të fundit pretenduan se detaje të reja kanë dalë në dritë për projektin, të cilat, sipas tyre, nxjerrin në pah mungesën e transparencës nga Bashkia e Tiranës.

“Nuk kemi një kontratë supervizimi sipas procedurave që kërkohen për ndërtim. Gjithashtu, sipërfaqja e ndërtimit, sipas dy matjeve nga vetë ne, rezulton se është 11 100 metra katrorë, dhe jo 4000 metra katrorë, sa ka thënë bashkia”, thanë përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Synimi i protestuesve ishte të ngrinin një çadër brenda perimetrit të rrethuar për projektin. Ky ka qenë edhe çasti kur nisi edhe përplasja fizike, pasi policia nuk i lejonte protestuesit për t’u tubuar brenda rrethimit. Policia shoqëroi dy protestues, Zirkon Dishën dhe Aranit Beqirin, ndërsa një polic i bashkisë u dërgua për të marrë ndihmë mjekësore, pas përplasjeve me protestuesit. Po ashtu, ndjenjat i humbi edhe një qytetar.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, që e vizitoi policin në spital, bëri këtë deklaratë: “Sot, pamë se si degjeneroi në dhunë një protestë që duhet të ishte e Shoqërisë Civile dhe jo e Shoqërisë së Dhunshme. Unë vij vetë nga Shoqëria Civile dhe polici që u dëmtua vjen nga Shoqëria Civile, por asnjëri nga ne nuk ka përdorur dhunën për kauzat e veta”.

Ndërkohë, projektet në park kanë qenë sërish në fokus të punës së bashkisë. Më herët, kreu i bashkisë ishte i pranishëm në mbjelljen e 200 pemëve qershie të cilat e çojnë në 2700 numrin e fidanëve e pemëve që ky institucion ka mbjellë në një muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button