Kur do vij në Strugën time!

E di atë ndjesi! O Zot, ajo t’i zbraz mushkëritë, pastaj zemrën ta lë pa pompime, të bën të flasësh por fjalët të kanë shterur. Ato disa kilometra që të kanë ngelur të arrish, aty ku frymove për herë të parë, të duken të pafund.. Në ato momente çdo gjë të duket e gjatë, e pa mbarim. Por të gjitha kuptimplota. Ti pret veturën të arrijë dhe sapo ajo prek hyrjen e qytetit ti ndjen mushkëritë tek gjejnë ajrin, pastaj ndjen dhe zemrën të qarkullojë gjakun, fjalët rrjedhin pa shterim.. Me vullnetin më të lirë, buzët e tua i përshpërisin bashkudhëtarit “oh, sa i bukur vendi im”.

Sapo del nga vetura, i hedh sytë botës që vendose ta braktisësh dhe thua: “Si më bëri shpirti të të lë, ose më thuaj ti o Strugë, si të bëri ty shpirti të na lejosh të largohemi unë e të gjithë ata bashkëmoshatarët e mi?!” Pastaj ti nuk rresht së pyeturi me retorikë, sepse dihet, askush nuk di të të përgjigjet saktë. Sepse gënjeshtrat e mashtrimet na larguan. Nuk e di moj Struga ime si ta bëri ai shpirt aq bujar që ke, fëmijët të të shkëputeshin nga gjiri?! Po t’iu jepje pak dashuri, mbase nga ajo do detyroheshin të strukeshin te ty, e nuk do jetonin me këtë mall dhjetra vjeçar.. Por nuk dua të të lëndoj më shumë, e kuptoj se dhe ti vuan braktisjen tonë.. Vetëm doja të të them se çdo bëj sapo të shkel tokën tënde të bekuar!

Do eci nëpër gjithë atë breg liqenor, me ujin e kaltërsuar si qielli i agimeve pranverore e do lag fytyrën për t’i thyer lotët e kristaltë. Më pas do kaloj mbi urën e drunjtë, që përcolli të gjitha ato vite jetë, mbi Drinin plak, që i bie mes për mes Shqipërisë. Do ndalohem mbi të, të marr pak energji nga rrjedha e ujit.. Do vazhdoj rrugën për nga bulevardi, sytë do i hedh nga të dy anët. Në të majtë kam rrjedhën e lumit nëpër shtratin e tij, djathtas kafenetë e mbushura me të rinj, mbase edhe ata presin të të braktisin si unë dhe mijëra të tjerë. Sa të arrij tek ura me asfalt do kthehem për të shkuar majtas, nuk e di pse, por nuk dua të kaloj pranë godinës së komunës!

Do eci mbi atë urë, mbi atë ku kam takuar qindra njerëz, sapo të futem në korzon e qytetit do kujtoj ato momente të disahershme që unë e të gjithë moshatarët e mi që gjysma jemi të shpërndarë nëpër Evropë e disa edhe jashtë kontinentit, morëm iniciativa për ato protesta që gjoja të kërkonim të drejtat e barabarta ndëretnike. E ku e dinim ne, se një ditë ajo korzo do na bëhej e huaj. Oh e mbaj mend si ecnim mbi të, e mbi ty Strugë, me flamuj në duar, e që zëri na shkonte deri në kupën e qiellit duke brohoritur se ti je e jona. Ti edhe sot je e jona, ashtu siç jam unë e prindërve të mi por larg tyre! Do vazhdoj rrugën për nga pazari, do futem aty për të marr diçka, vetëm për të dëgjuar atë zotëriun në gjuhën time ” urdhëroni, sa kilogramë mollë, dëshironi”..

E më beso aty do shkrihem së ndjeri lumturinë. Por rruga ime nuk mbaron këtu, sepse më duhet të vazhdojë edhe për katër kilometra. Do nisem për në fshatin tim, që më dha më të mirën me vete, kulturën, dashurinë dhe respektin ndaj të mirës. Aty kam gjithçka… fëmijërinë, rininë, lojërat e rrugëve të fshatit, shkëlqimi i liqenit dhe kodrinat përreth. Rrugën për tek prindërit do ta bëjë më këmbë, pasi t’iu kem them “Mirëdita” të gjithë bashkëfshatarëve të mi. Do ndjehem edhe njëherë sikur po kthehem nga shkolla e fshatit. Do sillem si dikur, sikur nuk ka pasur asnjë ndërprerje, jeta, sikur, vazhdon si më parë aty! Rrugëtimin do ta përfundoj tek lagjja ime. E ëmbla shtëpi do jetë furriku im i fundit për atë ditë. Do çmallem me të gjithë dhe çdo gjë për të cilën malli më zinte frymën.

Dhe kështu nuk do të çmallem vetëm unë, por edhe miqtë e mi, vëllai im, kushërinjtë e mi.. Të gjithë ne, të përmalluarit. Ritual i përmotshëm, në verë e në dimër… Refren për qindra të rinj, çdo vit…Edhe për sa kohë… pafundësisht. E deri atëherë ti sërish do ngelesh Struga jonë..

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button