FEJESA E SHQIPONJËS ME KRYQIN

Një ngjarje befasuese, skandaloze e senzacionale ndodhi në këto ditë të ftohta në krahinën e  vogëlth e të tmershme të Maqedonisë, njësoj sikurse që është i ftohtë dhe shpirti i popullit të kësaj ane. Dy familjet princore të kësaj krahine, familja e Butelëve të Vrimërllovcave dhe familja tjetër e Çairëve të Bidaive ishin zënë njëri me tjetrin për gjoja kurvërinë e dy të martuarve, të burrit Kryq i cili kishte tradhëtuar gruan Kishë dhe, që kishte bërë dashuri jashtëmartesore me gruan Shqiponjë, që dhe kjo kishte tradhëtuar burrin e saj Flamurin.

E gjithë krahina ishte çuar në këmbë, kishin lënë punët e përditshme, aq ishin brengosur sa që edhe natën nuk i zinte gjumi duke përshpēritur, mërmëritur e bëlbëritur tinëzisht, por dhe duke bërtitur haptazi pa frikë nga të guximshmit për këtë seks dashurie të pa përshtatshme, të pa logjikshme e të pa krahasueshme në botë.

Pse Shqiponja Çairi bijë e familjes princore të Bidaive kishte tradhëtuar burrin e vet shumë, shumë të nderuar Flamurin e shqiptarëve askush se dinte? Njerëzit e mençur, kombëtarë, fetarë, intelektualë e gazetarë guximtarë, analistë e politikanë opozitarë të kësaj krahine që e donin Flamurin jepnin çfarë do lloj mendimesh për tradhëtinë dhe turpin e Shqiponjës. Opionistët për këtë ngjarje me shkrimet shkëmbenin mendime kundërthënëse e kontradiktore, mediat e shumta shtetërore me krenari dhe me fjalimet e tyre të bukura arsyetonin këtë fejesë, kurse mediat e pakta opozitare kritikonin dhe protestonin ashpër ndaj kësaj fejese të dy të rinjve, të shqiptares së Çairëve me maqedonasin e Butellëve; Mendimet, llafet, përgojimet ishin të çfarë do llojshme: se shkurorëzimi i Shqiponjës me Flamurin është bërë për shkaqe të mosmarrëveshjeve sociale e ekonomike; shkaku i mungesës së dashurisë; shkaku i interesave personale, politike e pushtetare; se vet familjet princore vullnetarisht, për shkaqe të disa punëve tinëzare e të pista për të shpëtuar principatat e tyre paskërkan qenë të detyruar të bëjnë këtë fejesë kontraverse e absurde për shkaqe intergruese apo intrigruese.

Mos ishte e qëllimshme kjo marrëveshje midis dy palëve të Çairëve dhe Butelëve? Mos ishte kjo marrëveshje interne ndërmjet dy palëve të martuar të Flamurit e Shqiponjës në njërën anë, e të Kishës e Kryqit në anën tjetër, pēr të shpallur vetëm divorcë momentale politike, me ide që Shqiponja të fejohet për t’i rregulluar disa letra të fshehta politike.

Po çështë kjo marrëzi politike? Të shkëputish Shqiponjën prej shtizës së Flamurit të kuq kombëtar e ta lokalizosh, ta përvetësosh në një lagje të thjeshtë të Çairëve është nënçmim, apsurditet i paparë dhe i pa degjuar historik. Eh, moj Shqiponja jonë në çfarë derexhe ke rënë, secili luan me ty, pa më thuaj kur ke qenë më e bukur e më e lumtur, kur ishe bashkë si një trup e zemër me Flamurin e kuq apo tash korb e zezë në muhallën e Çairëve, të kanë transformuar në lakuriqe apo qyqe, të kanë bërë të pa lëvizshme, të shtangur, dy kokat e tua të sqeposura, me flatra të ngurosura, kthetra të qullosura, të kanë bërë statua teneqesh.

A kështu do t’i dalësh para burrit tënd të ardhshëm Kryqit të lartë 56 metra, krahëhapur, i teleisur me çfarë do lloj ngjyrërash, lyer e praruar me ar. Sikur të mos ishe ndarë prej ish burrit tënd Flamurit, ty me shtizën e Flamurit me flatrat dhe kthetrat e tua do kishe valëvitur e valuar mbi  atë kryq sllavomaqedonas, kështu si je bërë, jo vetëm që nuk të do Kryqi, por edhe do të nënçmonte, torturonte, do të sundonte pamëshirshëm. Po të bëj një pyetje të thjeshtë, po mjaft serioze Shqiponjë?

Kur do bëhesh nuse e Kryqit të Butelëve atëherë e kujt Shqiponjë do jeshë: e rusëve, e sërbëve, e malazezëve , e sllavomaqedonasve, apo do mbetesh ashtu e ngrirë përgjithëmonë e Çairëve. Edhe një pyetje të lutem, e kujt ushtri je bërë tash, a je Shqiponjë e ushtrisë sonë të përgjithshme nacionale, kombëtare, shtetërore, a je Shqiponjë e Skënderbeut, Isë Boletinit, Hasan Prishtinës, Zahir Pajazitit, Adem Jasharit, Agim Ramadanit, Fehmi Lavdrofcit, Mujdin Aliut, Rokit, Telit, Harun Aliut, apo vetem ushtri e princpatës së Çairëve?

Dy kokat tua kundruall njëra tjetrës çfarë simbolizojnë? Mos simbolizojnë dy dialektet tona të veriut, gegërishten dhe të jugut, toskërishten?! Dy kokat tua në Çair shprehin përçarjen e ushtrisë suaj; njëra kokë është e kthyer kah Ostrushi, tjetra kokë është kthyer kah Alushi. Po dhe ti Kryq pse krekosesh aq shumë para Shqiponjës, pse po i filtron Shqiponjës prej së larti, të di kush je, ti nuk e di origjinën tënde religjioze, prandaj je larguar prej ish gruas sate Kishë, sepse ajo nuk ta ka pranuar identitetin fetare–ortodokse, nuk të do asnjë kishë: as ajo sërbe, greke e bullgare, ke mbetur e vetmuar e virane, prandaj shporu sa më shpejt bashkē me familjen e Butellëve të Vrimërllovcave sa s’është bërë vonë, edhe ti Shqiponjë sa më shpejt largohu prej kësaj familje çorodititëse të Çairëve të Bidaive e shko bashkohu me Flamurin tënd të kuq e të bukur për të valëvitur mbi  kishat e orthodoksëve maqedonase.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button