Vidal do të luaj kundër Livornos

Pas disa ditësh në errësirë, më në fund ka dritë për Arturo Vidal. FIFA ka shfuqizuar kështu një rregull që shkaktoi debate, duke i dhënë të drejtë Juventusit ta grumbullojë mesfushorin, i cili do të jetë në dispozicion të Contes dhe me shumë mundësi do të luajë si titullar kundër Livornos.

Bëhej fjalë për një pikë në rregulloren e FIFA-s, i njohur si “Rregulli i 5 ditëve”, që do të thotë se një lojtar që nuk është grumbulluar nga kombëtarja, nuk mund të aktivizohet me klubin gjatë 5 ditëve të ardhshme pas takimit të fundit të ekipit përfaqësues.

Menjëherë bardhezinjtë nisën kontaktet me Federatën e Kilit dhe nuk u dorëzuan në këtë betejë edhe pas përgjigjes negative që mbërriti nga vendi amerikano jugor. Në tentativën e dytë, Juventusi iu adresua direkt qeverisë botërore të futbollit dhe pas shqyrtimit të kërkesës erdhi edhe përgjigja që i hap rrugën aktivizimit të Vidal.

Në fakt mesfushori kilian ishte grumbulluar për takimet miqësore me Anglinë dhe Brazilin, por në ndeshjen e fundit nuk mund të luante për shkak problemesh fizike dhe u detyrua të kthehej në Itali. Me këtë arsyetim, Juventusi arriti të bindte FIFA-n dhe kjo e fundit hapi dritën jeshile për Arturo Vidal.

Lajme të ngjashme

Back to top button