Walther: Shkëndija duhet të shikojë përpara

Edhe më tutje tifozët e Shkëndijës nuk arrijnë të përballojnë disfatën dhe eliminimin nga Kupa e Maqedonisë, ndërsa lidhur më dështimin e futbollistëve, menjëherë kanë adresuar dhe kërkesë deri te kryesia e klubit që të ketë ndryshime, dhe i pari në listë të jetë trajneri Gjore Jovanovski.

Nga ana tjetër kryesia e klubit që ka një përvojë të madhe në sportin ndërkombëtar dhe ka para vetes plane afatgjate për të punuar, edhe përkundër eliminimit që e kanë ndjerë me shumë dhimbje, nuk e shohin edhe si tragjike. Pikërisht lidhur me ndodhitë e fundit është prononcuar për mediat edhe drejtori sportiv Mathias Walther, i cili ka uruar ekipin e Bregallnicës për kualifikimin, ndërsa për ekipi i tij thotë, se Shkëndija duhet të shikojë përpara dhe të mos lejojë të bie nën ndikimin e eliminimit të dhimbshëm. 

PORTALB: Si e komentoni eliminimin nga Kupa e Maqedonisë, ku kishit plane të mëdha për të fituar trofeun?

Mathias Walther: Së pari dua të uroj Bregallnicën për kualifikimin në gjysmëfinale. Sipas lojës së treguar në Tetovë ata merituan këtë rezultat dhe ne u urojmë shumë fat në garat e mëtejshme të Kupës. Sa i përket eliminimit tonë, ne jemi të vetëdijshëm se kishim një shans të madhe dhe unë mendoj se secili kishte mundësi të shoh se ne u munduam të fitojmë me gjithë arsenalin që kishim në dispozicion. Mirëpo pak edhe fati nuk na ndihmoi dhe njëkohësisht me katër lëndimet e paralajmëruara ishte e qartë se do ketë ndikim në lojën tonë. Për këtë arsye ne duhet të pranojmë një rezultat të këtillë dhe të vazhdojmë të shikojmë përpara.


PORTALB: Pas këtij eliminimi, a do të ketë ndryshime në pankinën e Shkëndijës?

Mathias Walther: Nuk është koha për diskutime dhe akuza ndaj trajnerit apo lojtarëve edhe pse shumica kërkon dhe një gjë të tillë. Trajneri pardje përdori gjithë arsenalin e tij që kishte në dispozicion, të gjitha opsionet e mundshme. Mos harroni se tre ndërrimet e bëra ishin pikërisht futbollistë të rinj dhe me perspektivë, tjerë nuk kishim në bankinë. Prandaj çdo vendim i përshpejtuar dhe i pamenduar mirë në këtë kohë do të ishte shumë kontraproduktiv për klubin tonë. Duhet të fokusohemi të gjithë bashkërisht në dy javët e ardhshme dhe të marrim sa më shumë rezultate pozitive. Ky duhet të jetë qëllimi i jonë kryesorë dhe asgjë tjetër!


PORTALB: A ndryshon diçka në planet tuaja eliminimi nga Kupa e Maqedonisë. Çka më tej?

Mathias Walther: Ne tani më disa herë kemi komunikuar planet tona afatgjate dhe pa marrë parasysh çka ka ndodhur të mërkurën, ne nuk kemi ndryshuar planet tona afatgjate. Tendenca jonë në këtë moment është që në këto ndeshje të mbetura të fitojmë sa më shumë pikë që është e mundur, ndërsa më pas në dimër do të kemi kohë për të analizuar dhe për të menduar për të ardhmen. Të jeni të sigurt se nga dimri do të ketë shumë ndryshime pozitive te Shkëndija.

Lajme të ngjashme

Back to top button