Ndërtimet e egra do të vazhdojnë ta ‘dekorojnë’ Çairin

Edhe pas përfundimit të procesit të legalizimit, ndërtimet që kanë uzurpuar tokat e gjelbra në komunën e Çairit nuk do të hiqen. Banorët e kësaj komune, e cila sipas statistikave është një ndër komunat më të mbipopulluara në Evropë, do të vazhdojnë të përballen me mungesën e hapësirave për rekreacion deri në vitin 2016. Të paktën kështu thonë nga Komuna e Çairit. 

“E dimë që ka objekte për të cilat nuk do të jepet përgjigje pozitive për legalizim, por fatkeqësisht nuk mund t’i heqim ato deri në përfundim të procesit të legalizimit,i cili do të zgjasë deri në vitin 2016”, tha Rami Qazimi, përgjegjës i sektorit juridik pranë Komunës së Çairit.
Ai shtoi se ka mbi nëntë mijë kërkesa për legalizim të pronës dhe se deri më tani vetëm dy mijë janë legalizuar.

“Kemi mjaft kërkesa për legalizim të pronës, duku mbi nëntë mijë, dhe deri më tani janë shqyrtuar dhe legalizuar dy mijë objekte”, shtoi Qazimi.

Problematikën e uzurpimit të Çairit, Portalb e shtroi kohë më parë, ku vendosi në spikamë faktin se mafia urbane po shfrytëzonte vakumin e krijuar me mos definimin e kufijve mes komunave Çair, Gazi Babë dhe Butel. Kjo çështje u mbyll në tetor të vitit të kaluar , mirëpo abuzimet vazhdojnë.

Nga ana tjetër, sipas Qazimit, ndërtimet e reja të cilat fillohen pa leje rrënohen menjëherë.

“Ato ndërtime të cilat tani fillojnë dhe nuk kanë leje ndërtimi, ato rrënohen. Deri më tani janë rrënuar dy objekte, një në Fushë Topanë dhe një në Çarshinë e Vjetër”, theksoi Qazimi.
Ndërkaq territori i komunës së Çairit është ndarë në shtatë kuarte në të cilat pritet të ketë plane të detajizuara urbanistike, të cilat do të përmirësojnë infrastrukturën e kësaj komune.

“Qyteti i Shkupit ka marrë obligim t’i përpunojë kuartet në këtë qytet dhe i ka ndarë ato në diku  mbi 150 kuarte. Komuna e Çairit ka 7 kuarte dhe për momentin punohet në tre kuarte: në Çarshi të vjetër në pjesën e Kazermës Ilinden dhe pjesën e Seroves. Kuartet i rregullon Qyteti i Shkupit.  Një kuart ndahet ne disa kuarte për qëllim që të përpunohet më lehtë, për ndërtime të ndryshme që do të projektohen. Investimi për kuarte vjen nga vetë Qyteti i Shkupit kurse planet vijnë nga komuna”, tha Xhingiz Hani, përgjegjës në Sektorin për Urbanizëm në komunën e Çairit.

Ai shtoi se kuartet janë në revizion, dhe më pas do të bëhet anketë në komuna që të shohim a është gjithçka në rregull, pas asaj bëhet miratimi në Qytetin e Shkupit dhe pastaj fillojmë procedurën e planeve. / Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button