POETI I SHËMTIVE TË JETËS

Versionin e parë të shkrimit për Portalb-in e titullova “Kasus beli prej kryqi”. E shkruajta, por vendosa ta braktis kur më shkoi mendja se sot do t’na enjten kokat me kryqat e petrovëve, pa pyetur: përse çdo projekt antishqiptar i tjetrit ndez konflikte brendashqiptare?

Kaq m’u desh për të hequr dorë nga tema për të cilën shkruajta dhe javën që shkoi, sepse m’u duk më e hajrit t’i ofroj publikut anën e panjohur të portretit të Sharl Bodlerit, njërit prej poetëve më të mëdhenj të botës – jetën tokësore të albatrosit të tij të famshëm…, duke ia bërë me dije se është fjala për të dhëna të përkthyera e të parafrazuara nga vepra e Vladimir Stanojeviqit: “Tragjedia e gjeniut”.

Bodleri lindi në Paris. Mbeti herët pa të jatin dhe u rrit nga njerku dhe e ëma, me të cilën pati raporte jostabile. Vetë e pranon se u lind nga prindër të marrë dhe se bart me vete farën e marrisë.

Ëndërroi lumturinë, po nuk e arriti kurrë. Ideali dhe ngushëllimi më i madh i tij qe poezia…

Herët iu neverit jeta. Kishte ndjenja të paharmonizuara dhe nuk përpiqej t’i fshehë komplekset e shumta. Bile me cinizëm i potenconte ato.

Edhe shqisat i kishte të çuditshme. Ngjyroste flokët me të gjelbër; adhuronte erërat e qelbura dhe duhmat frymëzënëse…

Jetonte në banesa plot hardhuca e zvarranikë dhe e ndërronte banesën çdo muaj. Shpesh e zinte nata te shokët.

I pëlqente të thejë diçka – më së shpeshti vitrinat e dyqaneve dhe kënaqej duke dëgjuar zhurmën e qelqit të thyer. “Një mëngjes ,shkruan ai, dëgjova poçarin se si bërtet për të shitur mallin. E thirra lart në dhomën time, në katin e gjashtë, që ta lodh mirë, pastaj e pyeta: po ti s’paske qelqe me ngjyrëra?!…dhe i dhashë një shqelm prapanicës. E prita pastaj të dilte jashtë ndërtesës dhe prej lart ia lëshova mbi qelqe vazon e luleve. Kur u rrëzua e iu thyen qelqet unë përjetova ekstazë të vërtetë dhe bërtisja nga lumturia…”

Të dashurat herë i zgjidhte xhuxhe, herë shumë të larta.

Njëherë, në një kafene, iu afrua një gruaje dhe i tha: Dëgjoni bukuroshe me dhëmbë të bukur! Me dëshirë do t’ju kisha kafshuar dhe nëse më lejoni, ju kisha thënë se si ju dua… Unë do t’ua kisha lidhur duart dhe do t’ju kisha varur për to në tavanin e dhomës sime, pastaj do të bija në gjunj dhe do të puthja këmbët tuaja cullake… (Natyrisht që gruaja mbeti e çmerritur).

Një zonje me ia dërgon librin e tij, me çrast ajo e kuptoi të kujt paskan qenë vargjet aq të zjarrta dërguar në adresë të saj nga poeti anonim… Ajo bie në krahët e poetit, po ky, të nesërmen, i dërgon një letër me këtë përmbajtje: Para disa ditësh ishe Perëndi dhe kjo gjë ishte aq e bukur…, tani je veç një femër…

Ishte frikacak. Tregojnë se kur në një kafene një djalosh i ri po ia prekte këmbët të dashurës së poetit, ky u ngrit i revoltuar iu afrua djaloshit dhe i tha: Ti duhet të jesh  shumë i poshtër, sepse e di se unë jam frikacak, prandaj po ma prek gruan faqe botës…  Pastaj, për çudinë e të gjithëve shkoi në vend dhe vazhdoi me ushqimin…

Qe poet i revoltuar dhe njeri i parajsave artificiale. Fetishizoi poezinë si alibi për mungesën e kualitetit të jetës. Sulmoi me duf të papërmbajtur moralin e rremë, diskriminimin social dhe shterpësinë intelektuale të epokës së vet.

Qe sadist, sadomazohist dhe tepër religjioz. Herë sulmonte besimtarët, herë ateistët. Glorifikoi të keqen, iracionalen dhe destruktiven.

Vepra e tij shpalon ndjenja disharmonike dhe është e shkrirë me deformimet e brendshme. Poezia e tij është e çliruar nga klishetë dhe paraghjykimet e vjetra.

Për Bodlerin, Teofil Gotje thotë: Në vargjet e tij ka satanizëm dhe ai ia jep shpirtin dreqit, por edhe e thirr në ndihmë Zotin kundër “mbretit të erësirës”.

Ishte egoist i egër që i donte më shumë qelbësirat, errësirën, vdekjen… se sa jetën.

Qe narkoman. Jetoi si boem, i përthekuar nga kënaqësitë e rakisë, duhanit e drogës, i painteresuar për rrethin. Mu për këtë thoshin se e përktheu në mënyrë briljante Edgar Alan Po-në.

Gjatë kohë nuk u kuptua as ai vetë as vepra e tij. Të shumtë qenë ata që thanë se Bodleri imitoi tërë jetën, si është më keq, poetin amerikan – Edgar Alan Po, dhe s’qe tjetër pos hije e zbehtë e tij…

Fundin e jetës së tij e karakterizonin kokëdhembjet e padurueshme, shqetësimet, alivanosjet… Iu shtang ana e djathtë e trupit.

Vepra e tij madhore është “Lulete së keqes”. Vargjet e tij janë origjinale, inspirimet e tij shqetësuese dhe me një përsosmëri klasike.

Është paraardhës i të gjitha rymave të modernizmit dhe mbetet simbolisti më i shquar i letërsisë evropiane…

Në momentin e vdekjes lëshoi disa sharje të zëshme, në shenjë dëshpërimi të skajshëm…

I këtillë pra ishte Bodleri në jetën private, po Franca e njohur si djep kulture e çmoi për veprën e papërsëritshme letrare dhe e bëri imazh të qytetërimit të saj.

A s’është ky shkas për të shtruar pyetjen si sillemi ne ndaj ALBATROSËVE tanë  popullariteti i të cilëve ka kapërcyer kufijtë e kulturës nacionale?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button