Mogherini-Rama: Duhet të kemi rolin e Shqipërisë brenda BE-së

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, gjatë vizitës së saj në Tiranë ka konfirmuar mbështetjen e saj, por edhe të Bashkimit Europian, për procesin e reformave në vend, por edhe për procesin e integrimit të vendit në BE, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefja e diplomacisë europiane pas takimit që ka patur me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët për mediat. Rama në fjalën e tij u ndal edhe tek kriza e refugjatëve, ku theksoi se Shqipëria nuk do të hapë kufirin, por sipas tij as nuk do të vendosë mure, duke shtuar se janë të gatshëm të marrin si vend pjesën e përgjegjësisë.

Federica Mogherini gjatë fjalës së saj u shpreh se kërkohet vendosmëri, dhe durim për të ecur përpara, duke shtuar se një histori suksesi për Shqipërinë, është histori suksesi edhe për Europën. “Besoj vërtetë që duhet dhe mund të kemi rolin e Shqipërisë brenda BE-së. Roli që po luan vendi juaj në rajon, po edhe në arenën ndërkombëtare është i shkëlqyer. Ne jemi më shumë se sa partner, kjo është prova që jemi dhe qëndrojmë së bashku në rajon, por edhe në botë. Marrëveshja që nënshkruam për sigurinë e informacionit besoj që është simbol i besimit reciprok që kemi për njëri-tjetrin. Ka shumë gëjra që mund të jeni krenarë” – shprehet Mogherini.

Rama deklaroi se kjo vizitë përkon, sipas tij, me momentin shumë të rëndësishëm, ku gjithë opinioni publik, miqtë dhe partnerët janë të përfshirë për të kurorëzuar procesin e reformës në drejtësi. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se kjo reformë përbën një çelës të pa shmangshëm për të çelur portën e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Sipas Ramës. sfidat nuk janë vetëm të brendshme, por sipas tij, janë të lidhura edhe me ecurinë e ngjarjeve dhe procesit të bashkëpunimit rajonal. Ai ka shtuar se Shqipëria asnjë herë nuk ka bërë bisht në përgjegjësinë e përbashkët me partnerët qoftë në NATO apo në BE.

Lidhur me krizën e refugjatëve Rama u shpreh se: “Mbetemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë për këtë sfidë, por nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që nuk kemi as fuqinë as delirin të shpëtojmë Europën dhe botën. Nuk do të hapim kufijtë, por as nuk do të ndërtojmë mure, dhe jemi gatshëm të bashkëpunojmë brenda një plani europian. Kjo është një sfidë europianë, nuk është sfida e Greqisë apo Italisë, nuk ka pse të jetë sfida e Ballkanit, e aq më pak e Shqipërisë”.

Mogherini para takimit me Ramën mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ku ajo bëri apel që Parlamenti të miratojë reformën në drejtësi. Ajo u ndal edhe në çështje të tjera që janë në rendin e ditës në arenën ndërkombëtare, ku theksoi se terrorizmi sot është një kërcënim dhe sipas saj fenomeni i luftëtarëve të huaj nuk e ka kursyer rajonin.

Sipas saj kriza e refugjatëve ka ndikuar në një shkallë të kufizuar  Shqipërinë, por ka shtuar se rrugë të reja mund të hapen. ”Kohët e sotme dhe e ardhmja nuk duken të lehta, por të gjithë mund të arrijmë të ja dalim nëse kemi një qasje gjithëpërfshirëse”- u shpreh Mogherini.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian u takua gjithashtu edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, bujar Nishani, si dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, ndërse nesër është parashikaur takimi i fundit i saj me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button