Ja cila do të ishte protesta më e sinqertë e BDI-së!

Protesta e BDI-së është absurde, joreale dhe iracionale. Vendimi i këtillë flet se raportet brenda koalicionit qeverisës nuk janë të sinqerta dhe mbështeten mbi interesa ditore. Po të ishte e njëmendtë kjo revoltë atëherë hapi i parë do të ishte braktisja e qeverisë së koalicionit me VMRO-DPMNE-në, e jo krijimin e tensioneve të panevojshme në dëm të qytetarëve që jetojnë në varfëri.

Kështu shprehen në deklaratat e tyre për Portalb njohësit e çështjeve politike në vend.

Nëse shqiptarët nuk e kanë harruar rastin e rrëzimit të rremë të përmendores së Car Dushanit në qendër (që ende qëndron aty), konceptin e pakuptimtë të “presidentit konsenzual” si dhe incidentet e shumta duke u nisur me tendencat për rrëzimin e Kishës në Kalanë e Shkupit (e cila ende qëndron aty), të gjitha këto si ARSYE për të fituar vota në baza populiste, tani është koha ata mos bien pre e thirrjeve sërish të karrakterit nxitës të BDI-së, në prag të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare.

Qetësia duhet të ruhet dhe provokimeve tu iket sa më shumë, pasi që viktima të vetme do të jenë qytetarët, që do të duhet të paguajnë për dëmet e shkaktuara në rrugë, apo dhe të vuajnë dënime me para dhe burg për ndonjë incident eventual ndër-etnik.

Qytetarët duhet të vlerësojnë PUNËN reale të BDI-së në sferën e përmirësimit të kushteve të tyre, ndërsa kryqet dhe gjitha simbolet e tjera provokuese le ti heqin me rrugë institucionale. Atë e presin qytetarët, reagim të civilizuar dhe të padëmshëm për vetë votuesit e kësaj partie.

Sipas analistit Ibrahim Mehmeti, vendimi i BDI-se që të organizojë protesta kundër vendimit të partnerit të saj të koalicionit padyshim se paraqet befasi.  Ai thotë se BDI është parti në pushtet dhe në koalicion mjaftë të fortë me VMRO-DPMNE dhe ajo do të duhej të gjente një zgjidhje institucionale për këtë problem.

“Vendimi i këtillë flet se raportet brenda koalicionit qeverisës nuk janë të sinqerta dhe mbështeten mbi interesa ditore. Është brengosëse që kjo parti nuk gjenë mënyrë ta bindë partnerin e saj që të heqë dorë nga një projekt me prapavijë provokative, e cila mund të ketë pasoja afatgjata për raportet ndëretnike në Maqedoni dhe nga ana tjetër ndërmerr masa të cilat u ngjajnë partive opozitare ose qytetarëve në rastet kur nuk kanë forma tjera të shprehjes së qëndrimeve ose kërkesave të tyre. Megjithatë, na mbetet të shpresojmë se dy partitë do të gjejnë forcë politike të mos e çojnë këtë mospajtim në ndonjë konflikt të hapur, i cili do ta dëmtonte bashkëjetesën në vend”, tha për Portalb Mehmeti.

Për analistin Xhelal Neziri protesta e BDI-së është shtë absurde, joreale dhe iracionale. Absurde, sqaron Neziri, për shkak se ajo është brenda qeverisë, në institucionet e pushtetit vendor dhe ekzekutiv ndërsa proteston jashta tyre. Joreale për shkak se po të ishte e njëmendtë kjo revoltë atëherë hapi i parë do të ishte braktisja e qeverisë së koalicionit me VMRO-DPMNE-në.

“Në këtë rast, kur disa të BDI-së janë brenda institucioneve dhe disa të tjerë protestojnë jashtë kundër atyre që janë brenda, popullorçe i thonë “të bësh Bajramin me mendjen”. Iracionale për shkak se të gjitha monumentet do të duhet të hetohen dhe rivlerësohen në një moment kur të hiqet kjo histeri publike e krijuar nga qeveria. Si përfundim, kjo protestë del se ka për qëllim tensionimin parazgjedhor të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, një situatë që do të sillte më shumë përkrahje në elektorat për BDI-në, si gjoja mbrojtëse e shqiptarizmit, dhe VMRO-DPMNE-së si gjoja represent i maqedonizmit dhe ortodoksizmit. Njëkohësisht, do të hidhej pluhur edhe mbi aktivitetin e shtuar të Prokurorisë Speciale. Mendoj se kësaj radhe nuk do të mund të defokusojnë opinionin dhe të imponojnë prioritete në agjendën e opinionit publik në Maqedoni për shkak të dekonspirimit të shumë aferave të ngjashme me incizimet e zbardhura në opinion”, është shprehur për Portalb Neziri.

Funksionarët e BDI-së dje kanë nisur protestën në vendin ku është vënë gurthemeli për kryqin në Komunën e Butelit. Protesta e tyre si duket do te vazhdojë, pasi se janë vendosur edhe tenda./Portalb

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Pse nuk protestuan keshtu kurr i burgosem i rrahen dhe i vrane Shqiptaret apo per starutin e ishluftetarve etj etj etj…
    Por,tani kurr e shohim se nuk i perkrahr popullata.
    Kjo eshte nje Hipokrizi .. kjo eshte nje lufte e tyre per te ndejtur ne pushtet dhe perseri te vazhdojne me pallavra…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button