LR-PDSH: Rihapja e “Jugohromit”, vendim i turpshëm i qeverisjes VMRO-BDI

LR-PDSH-Tetovë, ka reaguar në lidhje me rihapjen e Fabrikës së “Jugohromit”. Përfaqësuesi i LR-PDSH-Tetovë, Elmir Sejfullai tha se vendimi i Qeverisë që të rifillojë me punë, siç thotë, helmuesi masovik “Jugohrom” është marrëzi e radhës e një klase politike, tashmë të dëshmuar johumane siç është qeverisja VMRO-BDI, njofton Portalb.

“Pas përllogaritjeve zyrtare se kjo fabrikë çdo ditë hedh në ajër 30 tonelata pluhur industrial dhe ndot Pollogun me grimcat kancerogjene PM10 deri më 41%, është absurde që sërish të lejohet rihapja e saj pa u vendosur filtrat! Është e palejueshme fakti që gjatë dy muajve të kaluar, Janar dhe Shkurt, pronarët e Jugohromit nuk kanë bërë as përpjekjen minimale për vendosje të filtrave mbrojtëse. Nga ana tjetër, të njëjtën nuk e kanë bërë as Qeveria e Maqedonisë dhe as Ministria e Ekologjisë dhe ambientit jetësor. Në vend të përpjekjeve për zgjidhje të problemit, koalicioni qeverisës VMRO-BDI merret me hartimin e skenarëve për provokime të ndërsjella dhe nxitje të tensioneve ndër-etnike. Lëvizja për reforma PDSH apelon të gjithë qytetarët e Pollogut, ambientalistët dhe Organizatat Joqeveritare, që bashkërisht të ngremë zërin kundër helmuesve kancerogjen për të mbrojtur shëndetin tonë dhe shëndetin e fëmijëve tanë”, thonë nga LR-PDSH.

Përndryshe, sipas drejtorit gjeneral të fabrikës “Jugohrom”, Vasko Skenderovski, në bazë të vendimit të tyre i cili është sjellë në fund të dhjetorit të vitit 2015 që fabrika “Jugohrom” përkohësisht ta ndalojë punën e saj në kohëzgjatje prej 2 muajve, prej sot fabrika në fjalë ka filluar më punë.

“Kemi filluar të punojmë me dy furra, gjegjësisht me fuqi prej 25 megavat dhe po i kthejmë punëtorët në punë. Për momentin janë kthyer rreth 400 të punësuar me tendencë që menjëherë pasi që të kyçet edhe një furrë, sipas planit më 1 prill, do të thotë se do të punojmë me 50 megavat, dhe do të kthehen në punë më shumë se 700 punëtor”.

Ai tha se paralelisht me restartimin do të vazhdojë edhe vendosja e sistemit për pastrimin e pluhurit që e prodhon vet fabrika.

Ministria e Ambientit e pafuqishme me sjellje joprofesionale!

Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e pafuqishme për të ndalur punën e fabrikës.

I kontaktuar nga Portalb, ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi nuk ishte në dispozicion t’u përgjigjej pyetjve tona: Çfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë kjo ministri për të ndaluar këtë fabrikë, kur e dimë se sipas statistikave ndotja është ulur gjatë kohës kur nuk ka punuar kjo fabrikë . 

Me arogancën që nuk i ngjan një personi publik i cili duhet të jep llogari sa herë që gazetarët e kërkojnë atë sepse llogaridhënia është vlerë e demokracisë e jo kapric gazetaresk, Izairi nga Portalb kërkoi një “intervistë të gjatë” për këtë çështje, por nuk mundej ti përgjigjej as një pyetje të thjeshtë.

Pas insistimit të redaksisë tonë ai tha që “i kemi bërë të gjitha punët që duhet të bëhen” dhe na drejtoi te kabineti i tij për më shumë detaje.

Rikujtojmë që kjo nuk është hera e parë që hasim sjellen e tillë jo-profesionale nga kjo ministri.

Në Tetovë abonimi për ajër të pastër sot ka përfunduar

Për hapjen e fabrikës ka reaguar, OJQ “Eco Guerila” duke thënë se ditë e bukur është 1 marsi, por në Tetovë abonimi për ajër të pastër sot ka përfunduar.

“Nisi prej sot përsëri tymi, helmi dhe ndotja vdekjeprurëse për tetovarët dhe tjerët. Gjatë ndërprerjes dy mujore u pa qartë se helmuesi Jugohrom e ndot këtë qytet për 40% më shumë. Në përkthim, nëse nga pasojat e ndotjes me Jugohromin çdo muaj vdesin 10 njerëz, pa Jugohromin vdesin 4 më pak, me rihapjen prej sot, do të vdesin edhe këto 4 njerëz! Ky ndotës kolektiv në këto dy muaj ndërprerje nuk ka bërë asgjë për të merituar lejimin e rihapjes nga ministria dhe qeveria e me këtë meritojnë vetëm mallkimin nga ata që i helmojnë”, thuhet në reagimin e OJQ “Eco Guerila”.

Lëvizja Besa: Qeveria VMRO-BDI, me vetëdije të plotë është duke lejuar helmimin e qytetarëve

Për rastin në fjalë, gjithashtu ka reaguar edhe Lëvizja Besa, duke vlerësuar se në vend që t’i vendosen filtrat fabrikës së “Jugohromit”, Qeveria mori vendim që kjo fabrikë të vazhdojë me punë përsëri pa bërë asnjë ndryshim në këtë drejtim.

“Kështu kjo qeveri në largim, me këtë veprim, edhe një herë dëshmon se sa i parëndësishëm është shëndeti i banorëve të Tetovës kur janë në pyetje interesat e partive në pushtet. Me veprime të tilla, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në përbërje VMRO-BDI, me vetëdije të plotë është duke lejuar helmimin e qytetarëve të saj, pavarësisht se çdo njeri ka të drejtë për një mjedis të shëndoshë njerëzor, ndërsa organet kompetente janë të obliguara të sigurojnë kushte për realizimin e të drejtës së shtetasve për mjedis të shëndoshë jetësor”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

LEXO: Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” reagon pas paralajmërimeve për hapjen e “Jugohrom”-it

LEXO: Eco Guerilla me statistika të reja (FOTO)

LEXO: Eco Guerilla me të fakte të reja: Pas mbylljes së Jugohromit ulet ndotja e ajrit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button