“Maqedonia mbi zjarrin nacionalist sllav”

Më së pari duhet sqaruar qysh në krye të herës se nuk mund të përgjithësosh një komb të caktuar, cilido qoftë ky komb.

Sikundër është shprehja popullore “s’ka pyll pa derra” ashtu ngjan të jetë edhe realiteti për kombet, tek të cilët ka individë të mirë, por edhe të këqinj.

Por e keqja më e madhe për një shtet apo komb të caktuar është kur llumi intelektual, mendjet raciste apo ksenofobe zgjidhen në postet më të larta shtetërore.

Duke ndodhur një fenomen i këtillë, kemi edhe rrezikun e infektimit të shtetit me mendje drejtuese të mbushura nga një mendësi kryekëput raciste.

Fenomen i tillë, ku elita intelektuale e vendit është e mbushur me element të racizmit ka ndodhur në disa shtete të Ballkanit, sidomos tek Serbia.

Shteti serb ka qenë i infektuar prej racizmit, kryesisht atij anti-shqiptar, por edhe anti-kroat, anti-boshnjak dhe anti-mysliman.

Fenomen i tillë, ku elita mendon të veprojë kundër një etnie të tërë të caktuar e kthejnë vetë shtetin në racist, ksenofob e fashist.

Nuk është aspak e rastit që shumica e kryeministrave serbë kanë menduar çmendurira për shqiptarët, ku “qershia mbi tortë” është Vladan Gjeorgjeviç, ku në një libër të tërë përpiqet të dëftojë tezën se shqiptarët janë me bisht, pasi fjalët se “janë të prapambetur”, “njerëz kokëtrashë” në librin në fjalë janë normalitet.

Kulmi, sikundër dihet ka arritur me Millosheviçin, i cili i shtyrë prej tezave nacionaliste të paraardhësve të vet e “çoi në vend amanetin” dhe aplikoi edhe genocidin kundër shqiptarëve.

Serbia dje, Maqedonia sot

Elita intelektuale e një shteti krijon edhe tezat, rezultatet e të cilave mund të jenë të rrezikshme për të ardhmen.

Ndërsa dje ishte Serbia e cila kishte teza deri edhe genocidale, Maqedonia sot më së paku i ka ngritur disa teza raciste.

Në këtë lloj vijë logjike, Dr.Petar Popovski do të thoshte se Shqipëria është në të vërtetë Maqedonia e Vjetër apo Vasko Eftov e të tjerë intelektualë maqedonas do të theksonin edhe se Tirana qenka destabilizuese e Ballkanit.

Kur të tilla fraza thuhen nga ata që duhet të ishin “lokomotiva” e udhës së drejtë vetëm mund të imagjinohet se çfarë mendësish, ç’racizëm dhe se çfarë stigmash mund të ketë shumica e popullit maqedonas për shqiptarët.

Them shumica e popullatës maqedonase, pasi LSDM e opozitës më së paku është e hapur ndaj shqiptarëve dhe e njeh realitetin se shqiptarët janë etni shtet-formuese në Maqedoni.

VMRO-DPMNE e pushtetit, për fat të keq është e brumosur nga tezat nacionaliste dhe e keqja më e madhe është se kësaj partie nacionaliste një-etnike i shkon nga pas shumica e popullit maqedonas.

Kjo flet për një situatë tragjike, për atë se shumica e popullit maqedonas mendon keq për shqiptarët duke krijuar një polarizim të pashoq shoqëror dhe etnik brenda republikës.

Për shumicën e maqedonasve, sidomos për ata që më së shumti votojnë VMRO-në shqiptarët enden në mendje e shpirt si “e keqja e republikës”.

Për këta shqiptarët shihen si “të padëshirueshëm” dhe si populli që “shkul dinjitetin maqedonas”.

E më andej të mendosh se ekziston edhe një parti me emrin “Dinjiteti” që luftën për liri të UÇK-së e sheh pa pikë turpi si “terroriste”, mund të marrësh me mend se ç’mendësi është e rrënjosur në të tillë njerëz për shqiptarët.

Shqiptarët, mënjanë republikës

Shqiptarët në Maqedoni dihet se jetojnë në perëndim të këtij shteti. Qysh prej vitesh, në mos dekade kanë zënë vetëm 25 përqind të territorit të shtetit.

Edhe pse rriten numerikisht, pushteti tenton ti mbajë në gjendje të pandryshueshme. As nuk i numëron dhe se me metoda të ndryshme poashtu synon ti mbërthejë, për ti lënë si në cep të republikës.

Ekziston ndër shqiptarë edhe fenomeni i emigrimit i cili përdoret jo pak si karrem nga ana e pushtetit që shqiptarët të mos numërohen dhe të mbeten në gjendje të pandryshueshme, pavarësisht se vitet kalojnë.

Situatë e tillë është në periferi, pasi sa më në qendër të tentosh të shkosh, më shumë ndihet pushtet racist, tinzar dhe fryma anti-shqiptare.

Shkupi, që parimisht duhet të ishte qyteti ku dy etnitë kryesore ti kishin heronjtë e vet njëlloj të shfaqur, është pamja e frikshme e një qyteti parajonak, që duket sikur ka frikë nga hija e vet.

Duke qenë se Maqedonia si shtet ka probleme me Bullgarinë, Greqinë, Serbinë së jashtmi, por edhe me shqiptarët së brendshmi, kurdoherë jeton me frikën se mos kushedi një nga shtetet ose etninë e lartpërmendura “ia bën gropën” ndonjë ditë.

Maqedonia poashtu ngjan si shtet që ekzistencën e vet në të ardhmen e sheh me frikë.

Ajo ka për të zgjidhur një mijë probleme, të brendshme dhe të jashtme, me shqiptarët nga njëra anë e me bullgarët e grekët nga ana tjetër.

Për ta “zgjidhur” gjithë këtë mjegullnajë e tymnajë që pushteti e sheh teksa ngrihet rreth vetes, e ka zgjidhur me lloj lloj statujash, me përmendore që duan të prekin qiellin e me heronj që shumica dyshohet se janë bullgarë, grekë apo që nuk iu dihet aspak origjina.

Kurse, për tiu mbyllur gojën shqiptarëve kanë krijuar një mini-shesh me statujën e Skëndërbeut dhe heroi ynë kombëtar aty është kaq i vogël në përmasa, kaq fasadë sa s’do mend që pushteti i VMRO-së thellë në shpirt e në zemër as që e do fare as atë statujë as etninë të cilës i përket ajo statujë.

Ato statuja gjigande “maqedonase” dëshmojnë edhe realitetin dramatik, i krijuar si rrjedhojë e bashkëpunimit të intelektualëve apo shkencëtarëve maqedonas me një pushtet që kërkon të mposhtë një etni të tërë si ajo shqiptare.

Kjo në fakt është aleancë interesi, intrigash, bashkëpunim për të zhytur shqiptarët, për të mos i parë si pjesë e vetes por si “mish i huaj”.

E këta janë barinjtë e popullit, ata që në vend se të mbjellin paqen etnike, e shkatërrojnë dhe përpiqen me çdo kusht të triumfojë nacionalizmi i dyshimtë maqedonas.

Kështu pushteti i VMRO-së në bashkëpunim me intelektualët maqedonas, sapo vrasin raportet delikate ndërtenike, e varrosin njerëzoren dhe e bëjnë thuajse të pamundur realitetin që një ditë shqiptari dhe maqedonasi të jenë të paqe, pa dredhi e pa hajni.

Maqedonia – e ardhmja e pasigurt

Siç e shtrova në fillim, tezat nacionaliste serbe të prodhuara në Beograd ishin kaq të rrezikshme, sa kur Millosheviçi tentoi ti jetësojë, shkaktoi luftën e fundit të përgjakshme në Europë.

Kështu edhe nacionalizmi maqedonas sot është në fazë pasive, pasi në rast se tentohet të jetësohet me vepra, pasojat mund të jenë realisht katastrofike.

Maqedonia aktualisht “iu ka hapur luftë në paqe” shqiptarëve brenda republikës përmes politikave, Greqisë për çështjen e emrit, Bullgarisë për figurat historike dhe Serbisë për çështjen e Kishës.

Në këto kushte, në vend se të tilla çështjeve delikate tiu gjendet zgjidhja qetësisht, Gruevski i ka rënë shkurt dhe i ka hapur plagët haptazi, me varrezën gjigande në mes të Shkupit.

Varrezë, sepse varros paqen etnike dhe fetare. Varrezë, sepse varros dialogun dhe bashkëjetesën mes njerëzve që janë etni të ndryshme ose kanë besime fetare të ndryshme.

Kjo rrugë e shkurtër “zgjidhjeje” e Nikola Gruevskit ka gjasa që në një të ardhme jo të largët vetë atij ose pasardhësit të tij ti kthehet si boomerang e ti përplaset në fytyrë.

Kjo sepse shqiptarët vështirë se do ta durojnë shtypjen dhe poshtërimin që po i bën pushteti; Greqia do tia mbajë kësisoj kurdoherë të mbyllur rrugën euro-atlantike; Bullgaria vështirë se do tia tolerojë faktin se Maqedonia po ia vjedh heronjtë dhe historinë; Serbia poashtu zor se do ta falë për keqkuptimin dypalësh.

Madje në mos “përplasja” mes Serbisë dhe Maqedonisë mund të jetë më e egra, pasi të dyja shtetet mbahen për brumosje të nacionalizmit dhe se të dyja janë kokëforta në nacionalizmin kombëtar përkatës.

Duke ndjekur këtë “rrugë qorre”, vihet jo pak në dyshim edhe e ardhmja e shtetit të Maqedonisë. “Përplasjet” me fqinjët mund të kenë pasoja të rënda në të ardhmen e afërt deri për ekzistencën e shtetit, që sot për sot hera-herës ka trajta të artificiales.

Maqedonia me udhën e “dinjitetit kombëtar”, duke shpërfillur pakicat dhe duke u armiqësuar me shtetet rreth e rrotull vetes, ekziston rreziku që si shpëtim të fundit të gjejë Moskën.

Moska, sepse vetëm Rusia është shtet që nuk pyet për të drejta të pakicave etnike. Moska sepse vetëm Rusia po bën armiq të gjitha shtetet perëndimore. Moska sepse siç është realiteti në Maqedoni do të tentohet gjithmonë të mbahet pushteti nga dora e hekurt e sllavëve.

Kjo rrugë e Shkupit do të favorizonte sllavët dhe do të zhyste shqiptarët. Nën orbitën e Moskës, Shkupi mund të vendosë shtet diktat dhe me parime shumë larg njerëzores.

Më tej rreziku është se duke qenë shtet i mbërthyer nga prangat e nacionalizmit, dhuna e pushtetit do të bjerë sidomos mbi etninë shqiptare.

Situatë e tillë mund të bëhet e padurueshme për shqiptarët dhe nga padurimi i pushtetit racist, vendi rrezikohet në konflikt. Kështu krijesa “Maqedoni” do të vihej në rrezik.

Rreziku nga tezat nacionaliste

Në rast se Maqedonia do ta ndjekë këtë udhë të paudhë, në rast se dhuna e pushtetit veç vijon e rritet, situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit.

Tezat nacionaliste maqedonase janë hedhur në letër dhe shteti është i mbarsur me to. Kjo situatë e frikshme të kujton tezat famëzeza të prodhuara nga zyrat më të larta shtetërore të Serbisë.

Vënia në jetë e tezave të tilla të rrezikshme, jo vetëm cënon paqen, por edhe krijon çarje për konflikte të mundshme.

Tiu mbyllësh gojën të tjerëve dhe të veprosh sipas mendjes tënde është vërtetë e tmerrshme. Kjo sepse mund të vijë një ditë që ata që heshtën, të të mos durojnë dhe të kërkojnë shpagim, i cili mund të jetë i rëndë.

Maqedonia, që ta ketë më të sigurt të ardhmen e vet që si duket e ka minuar, duhet që politika dhe elita intelektuale sllave të mos mbjellin urrejtje e konfikte etnike, sikundër po veprojnë aktualisht.

Të mos ndezin zjarrin bubulak nacionalist sllav, i cili ngroh veç këta dhe djeg çdo jomaqedonas.

Këta intelektualë maqedonas, e më rëndë akoma ata shqiptarë, do të duhej të mos bëhen palë me një pushtet anti-shqiptar dhe që rri larg të të qënit njerëzor.

Në rast se nuk ka reflektim nga teza të tilla nacionaliste, Maqedonia do të gjendet në udhëkryqin e padëshiruar dhe kjo në të ardhmen jo të largët.

Nacionalistët maqedonas, me idenë “spaktakolare” dhe fantazmagorike të lashtësisë të kombit të vet vrasin dinjitetet e kombeve jomaqedon anembanë Maqedonisë.

Ata janë të parët që po rrezikojnë shtetin me emrin Maqedoni. Sa më tepër që rritet ky lloj nacionalizmi kaq tragji-komik, aq më tepër vihet në pikëpyetja e ardhmja e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button