A mjaftoi nominimi i “SHOK”-ut për të rikujtuar vlerën e popullit tonë?

Sukseset e mëdha të realizuara të shqiptarëve anë e mbanë botës ,vazhdimisht po paraqesin argumente të fuqishme  e të njëpasnjëshme për përsosmërinë e popullit tonë, si një komb që rezulton me synime të zhvillimit të sferave të ndryshme arsimore, kulturore, politike e të tjera vizione progresive. Jo rastësisht  arritja e këtyre sukseseve, dëshmon kontinuitetin e dëshirës së popullit tonë për arritjen e formimit të plotë të pamjes ideale si një popull përparimtar. Pa marrë parasysh vlerën, madhësinë, llojin dhe karakterin e suksesit, rëndësia qëndron në entuziazmin, talentin dhe punën e pandalshme që e posedojnë të gjithë personat me gjak shqiptar, për të cilin gjak nxjerrin nga vetja mundin më voluminoz për të shprehur krenarinë e të qenurit pasardhës i këtij gjaku.

Të gjitha këto suksese patjetër që ngrisin krenarinë e shqiptarëve në nivelin më të lartë, por a e përimtojnë gjendjen e vërtetë të shqiptarëve në ditët e sotshme?

Ndoshta jemi popull që arritëm dhe kemi për qëllim të arrijmë suksese të sferave të ndryshme, por në asnjë mënyrë nuk po mund të fitojmë suksesin më të madh që një popull mund të posedojë: unitetin.

Në asnjë mënyrë nuk po arrijmë  të mënjanojmë shpërndarjen e gishtave të marrëdhënieve tona, e ti përmbledhim ato në një grusht të fuqishëm, që do të godet çfarëdo lloj pengese që na paraqitet në rrugën tonë drejtë zhvillimit. E gjithë ajo që po bëjmë, është hedhja në humnerën e egoizmit, korrupsionit, urrejtjes, hakmarrjes ndërmjet vete. E ku është dobia e kësaj?

Kësaj i thuhet të jesh krenar që je shqiptar? Apo i thuhet të qash që je viktimë e një populli të tillë?

A nuk mjaftoi një nominim i “SHOK”-ut në ceremoninë më të njohur botërore për ndarjen e çmimeve, për të rikujtuar vlerën e popullit tonë? A nuk mjaftoi një Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Xhim Belushi, Eliza Dushku, Lorik Cana për të vetëdijesuar veten se jemi popull që prodhuam një aftësi talentuese të cilën e njeh e tërë bota?

E për çka u munduam ti arrijmë tërë këto suksese, që të prezantojmë kombin tonë si një përçarje e thellë etnike? Apo të prezantojmë veten si një dështim dashurie mes vete?

Nuk  na mjafton vetëm fakti që jemi shqiptar të na  bën të qëndrojmë me kokë lartë. Moslejimi që të bëhemi pre e botës së intrigave dhe mashtrimeve që kanë synim përçarjen tonë kombëtare, dhe bashkimi i të gjithëve në një tërësi për te vepruar është ajo që tregon se me të vërtetë jemi popull që kemi të ngulitur në zemër dashurinë kombëtare. Të mos humbim vlerën e punës kontribuuese të paraardhësve tonë për këtë gjak kombëtar, paraqet vizionin më të rëndësishëm që mund të ketë çdo komb, e sidomos populli ynë, historia e të cilit përfshin lumenj të pafund gjaqesh e vuajtjeve të shterura në brigjet e kohës. Si mund të mbyllim sytë e të harrojmë të gjitha ato sakrifica që mundësuan të jemi të gjallë, të pavarur e krenar në këto troje ku jemi sot? Si mund te verbërojmë shpirtin e të mos ndjejmë tradhtinë që po i bëjmë gjakut të derdhur për liriplotëve të derdhur për pavarësi? Si mund të i shkatërrojmë marrëdhëniet mes vete për interese vetjake e ende të kemi guxim të paraqitemi para botës si një popull me karakter uniteti, dashurie, paqësor? Me fjalë të tjera po mundohemi që me të gjitha ato suksese të lartpërmendura të shprehim vlerën e popullit tonë në sy të botës, e të fshehim të vërtetën nga sytë tonë. Njësoj sikur bukuria e jashtme tërheqëse e mollës, që në brendësi përmban bakteriet më të dëmshme organike.

Për të qenë një kopsht populli mahnitës ,i lulëzuar me trëndafila dashurie, karanfila paqeje, manushaqe diturie kemi ujitur tokat luftuese me plot gjak të luftëtarëve tanë. Suksesi jonë i radhës është që të mos ndotim këtë kopsht me ajrin e ndotur të konflikteve ,mosmarrëveshjeve mes vete. E shpresojmë që këtë herë me këtë sukses do të nominohemi në ceremoninë më të njohur kombëtare-shpirtërore, ku do të konkurrojmë dhe luftojmë për një dominim të paqes dhe dashurisë mes popullit tonë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button