FT: Kosova një hap larg anarkisë hobsiane

Rreth 4km nga qendra e Prishtinës, kryeqytetit të gjallë e të shkatërruar të Kosovës, qëndron një ndërtesë super-moderne 30 milionë eurosh që është monument i përpjekjeve të BE-së për ta kthyer shtetin e ri të Ballkanit në një demokraci paqësore e të qëndrueshme.

Është Pallati i Drejtësisë së Kosovës, i inauguruar marsin e kaluar dhe i përshkruar në një prej broshurave promocionale të BE-së si “një simbol i rritjes së respektit publik dhe besimit në institucionet që garantojnë sundimin e ligjit në Kosovë”.

Por, të premten [27.02.2016] nuk u pa as respekti publik për sundim të ligjit e as për drejtësinë, paqenë e stabilitetin kur Parlamenti zgjodhi Hashim Thaçin, një ish-komandant gueril dhe ish-kryeministër, president të Kosovës.

Ligjvënësit opozitarë hodhën gaz lotsjellës brenda sallës së Parlamentit, siç kanë bërë vazhdimisht që nga tetori i vitit të kaluar, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë dhe të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Jashtë Parlamentit, protestuesit që organizuan protesta të vazhdueshme nga tendat e tyre të vendosura në sheshin “Skënderbeu” hodhën koktej molotovi dhe gurë në drejtim të policisë së përgatitur për trazira, shkruan “Financial Times”.

Policia, një numër prej të cilëve ishin vendosur si snajperistë në çatitë e ndërtesave përreth, iu kundërvunë me gaz lotsjellës dhe topa uji, transmeton Koha.net. Deri në momentin që policia pastroi sheshin, pak rëndësi kishte fakti që Thaçi u zgjodh president në krahasim me faktin se Kosova ishte një hap larg një gjendjeje të anarkisë hobsiane.

Për qeveritë perëndimore, pavarësia është parë si e vetmja mënyrë e thyerjes së gjendjes stagnuese që ka mbretëruar në mes të shumicës shqiptare në Kosovë dhe pakicës serbe, të përkrahur nga Beogradi, që nga lufta e vitit 1998-99 në të cilën sulmet ajrore të NATO-s udhëzuan shqiptarët drejtë fitores ndaj Serbisë.

Tani po këto qeveri po e vrojtojnë rrëmujën politike dhe dhunën në Prishtinë, që ushqen klimën e frikës dhe mosbesimit në mes të shqiptarëve dhe serbëve, me një përzierje dëshpërimi dhe brenge.

Nga Bosnja në Greqi, asnjë shtet ballkanik është i lirë nga trazirat politike, shqetësimi ekonomik dhe trazirat sociale. Por trazira në Kosovë është veçanërisht brengosëse për shkak të ndikimit të mundshëm ndaj krizës me refugjatë dhe migrantë në Evropë.

Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Evropian, ka paralajmëruar javën e kaluar se deri në 200,000 kosovarë mund të mësyjnë vendet e BE-së nëse blloku 28 anëtarësh nuk i jep vendit liberalizimin e vizave — një perspektivë e largët, duke pas parasysh opinionin e ndarë dhe panikues ndaj krizës me refugjatë, transmeton Koha.net.

Duke qenë se në Kosovë është ushtruar ndikim i madh ekonomik, politik dhe ushtarak që nga përfundimi i luftës, SHBA dhe aleatët e tyre evropianë kanë inkurajuar shtetin e ri t’i shtrëngojë këmbët. Por, thënë butë, rezultatet kanë qenë të përziera.

“Kosova është si një foshnje e cila gjithmonë është mbajtur për dore, në mënyrë që të mos rrëzohet”, thotë Ariana Qosaj-Mustafa, një eksperte ligjore e arsimuar në Londër dhe drejtore e programeve në institutin KIPRED. “Problemi është se tani të gjithë jemi të brengosur rreth dhunës së mundshme”.

Një pjesë e polemit shtrihet edhe në marrëveshjen për t’i dhënë të drejta shtesë autonomie pakicës serbe në Kosovë. Nacionalistët shqiptarë, të përqendruar në Vetëvendosje, në partinë më të madhe opozitare në vend, e urrejnë marrëveshjen. Por, nëse vlen të përmendet, serbët e Kosovës e urrejnë atë edhe më shumë.

Për më tepër, kaosi në rritje i Kosovës është çmimi që SHBA dhe BE po e paguajnë për deklaratat e vazhdueshme për stabilitet sipërfaqësor politik ndaj nevojave më të thella të shtetit të porsalindur — ligji dhe rendi, një klasë politike e pakorruptuar dhe çrrënjosja e krimit të organizuar.

Padyshim se ende ka kohë për t’i trajtuar këto çështje para se anarkia totale të përfshijë Kosovën. Por siç tha Çollaku javën e kaluar: “BE gjithmonë është vonuar në rastet e Ballkanit perëndimor”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button