Tradhtia si vlerë morale…

Shprehja “tradhtar” konsiderohet si fyerja më e rëndë. Tradhtia konsiderohet akt qyqar, keqpërdorim besimi, veprimtari në dëm të shoqërisë, shtetit, bashkësisë.

Dantja, në “Komedinë hyjnore”, i vendosi tradhtarët në rrethin më të keq – të nëntin.

Ndonjëherë tradhtia është vlerë e lartë morale.

Ta tradhtosh një sistem te egër shtetëror, johuman, të dhunshëm, ksenofob e shovinist, është akt qytetar dhe trimëri prej të çmenduri.

Aty ku vriten njerëzit për kauza të çmendura, dezertimi është qytetari. Tradhtarët e këtillë janë zëri i ndërgjegjes humane.

I tillë është Filip David, shkrimtar dhe dramaturg, që jeton në Beograd.

Është rritur në familje hebreje, që kishte farefisni me Zigmund Frojdin dhe Elias Kanetin. Shumë anëtarë të familjes së tij nuk e mbijetuan Holokaustin. Si fëmijë arriti të mbijetonte falë një identiteti të rremë. Si shkrimtar, së bashku me miqtë e tij, “dinozaurët e letërsisë”, Kish, Kovaç dhe Pekiq, u bë ndër emrat kryesor të një brezi letrar, të cilët ranë ndesh me pushtetin e egër.

Para disa kohe sërish ishte në qendër të vëmendjes. Sërish dëshmoi se si duhet që të veprojë një autoritet moral kundrejt autoritetit të degjeneruar politik.

Në një ceremoni, ku duhej ta pranonte një çmim për librin më të mirë, tha se e kishte patjetër të distancohej nga prania e kryetarit serb, Nikoliqit, politikën e të cilit nuk e kishte përkrahur që nga vitet e 90-ta. E tha në praninë e tij. Kaq mjaftoi që të sulmohej sërish.

Kundërshtari i nacionalizmit ekstrem serb, në vitet 90-të, në kohën e euforisë shoviniste, e kishte themeluar një sindikatë të pavarur në RTS. Kërkonte respektimin e etikës gazetareske dhe mos lejimin e propagandës luftarake. Njëkohësisht kundërshtonte akademikët dhe shkrimtarët serbë, që ishin frymëzues të shovinizmit. Për këtë shkak u largua nga puna dhe u shpall “tradhtar”.

Më pas themeloi “Qarkun e Beogradit”, që kundërshtonte çdo akt dhune e lufte në hapësirat e ish – Jugosllavisë.

Gjatë një fjalimi, më 11 prill 1992, tha: “Zotat e jetëve dhe fateve tona na futën në luftë, në kriminalitet, në gangsterizëm; lëshuan prej zinxhirëve racistët e tyre, ua hapën mikrofonat, ua drejtuan kamerat, kurse vendin ku lindëm e bënë vend dhune dhe turpi. Përkundër dëshirës dhe bindjeve, na bënë bashkëpjesëmarrës… E vetmja gjë që na mbetet është të bëhemi tradhtarë… Të jesh tradhtar në këtë vend dhe në këtë sistem është gjëja më e vogël që mund të bëjë njeriu normal dhe i ndershëm.”

Më 1999 u akuzua nga pushteti serb si përkrahës i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë. Akuza ishte sinjal për ta likuiduar. Sipas shkrimtarit, “aty ku është nacionalizmi ekstrem, aty janë edhe teoritë e komplotit”.

Nga kjo kohë e kujton pyetjen e së bijës: “Baba, a mendon edhe për ne?”. Kjo pyetje njerëzore nuk e ligështoi. Ishte i bindur se, kur të përfundonte gjithçka, familja do të krenohej me të. Ai veproi sipas kryefjalës: “Ta përtypim frikën dhe të veprojmë me vendosmëri”.

Shkrimtarët sikurse ai nuk arritën ta shëronin çmendinë, por besuan se e keqja duhet të kundërshtohet, sepse kur pushon së kundërshtuari dhe kur rehatohesh, atëherë fillon humbja.

Të jesh tradhtar i një sistemi të egër do të thotë të jesh kundër histerisë në “emër të kombit” dhe “idealeve të larta”; do të thotë të jesh vetmitar, madje vetmitar i madh; të jesh dele e zezë që i kanë vënë shenjën për ta vrarë.

Kështu mund të jenë vetëm autoritetet morale, që besojnë në triumfin i frymës kundër shpatës.

Sot shkrimtari e thotë prerë se pavarësia e Kosovës është akt i kryer. Kaq mjafton për të qenë sërish i urryer, madje quhet edhe “bukëshkelës“.

Sot shkrimtari nuk beson se gjykimi i kriminelëve të luftës do të sjellë katarsën, për sa kohë vendi udhëhiqet nga frymëzuesit e tyre, që çmohen në shoqëri si “vertikale morale”.

Është i bindur se Serbia vazhdon të sundohet nga ksenofobia, që i ka rrënjët te Kisha Ortodokse Serbe.

Është kundër “korrigjimit” të historisë për qëllime politike, sepse viktimë bëhet e vërteta historike.

I sheh me dyshim ata që thirren në identitetin e tyre të pastër.

“Vini re: nëse e hetoni ndonjë shovinist të zjarrtë, po të gjurmoni në biografinë e tij do të shihni se ndonjëri prind i tij i përket kombit që ai e mohon dhe e kritikon. E mjegullon origjinën që të bëhet më katolik se sa papa”, thotë ai.

Origjinëmohuesit imponojnë vetëm një identitet, për të ngulfatur identitetet tjera.

“Kur imponohet vetëm një identitet, që hijezon identitetet tjera, atëherë, në emër të po atij identiteti, qoftë racor, etnik, religjioz ose ideologjik, veçanërisht në kohëra të zymta, lejohet dëbimi, plaçkitja, vrasja. Atëherë jemi ose xhelat ose viktimë”, thotë David.

Në librin “Shtëpia e kujtesës dhe harresës” merret sërish me temën e së keqes.

E keqja, sipas shkrimtarit, është metafizike dhe e pa përkufizuar. Ajo nuk duhet të harrohet, sepse është përvojë nga e cila duhet të mësojnë njerëzit e kohës sonë dhe brezat e ardhshëm.

Mjerisht, njerëzit mësojnë pak nga përvoja, prandaj e keqja përsëritet.

Autoritetet morale, sikurse Filip David, i duhen secilës kohë. Shembulli i tyre i duhet edhe kohës sonë.

Shteti ku jetojmë ngjan me shumëçka me shtetin që ia nxiu jetën shkrimtarit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button