Kollumnë: Teoria dhe praktika në gazetari, paralele që priten

ENSTEIN“Për gjërat që duhet të mësojmë përpara se t’i bëjmë, ne i mësojmë duke i bërë.”

Aristotli

Në bisedë e sipër me një kolege mora një informacion sa paradoksal aq edhe zhgënjyes; fakti që paralelisht me studimet e gazetarisë kishte ndjekur një praktikë profesionale me iniciativë personale, i kishte kushtuar 50 euro më shumë në momentin e paraqitjes dhe marrjes së kartonit të diplomës.

Tani, pse ky është një paradoks?

Në botë, studimet në universitete bëhen gjithmonë e më praktike, duke u shpikur forma produktive por që implikojnë prakticitetin dhe konkreten, duke anashkaluar mbingarkesën teorike. Natyrisht që kjo varet shumë edhe nga lënda e studimit por përgjithësisht tendencat janë të tilla.

Gazetaria është një gërshetim mes profesionit dhe zanatit por sipas vetë profesionistëve ajo anon më shumë nga kjo e dyta. Përvetësohet me të ushtruar dhe bëhesh mjeshtër vetëm me kalimin e kohës, me përjetimin e gjërave dhe me të sfiduar rastet.

Te ne, pavarësisht shtimit të numrit të universiteteve, mundësitë dhe hapësira në kohë për ushtrim praktik të profesionit të ardhshëm paralelisht me studimet, janë shumë të vogla. Kjo është një mangësi e universiteteve. Në programet studimore, universitetet nuk parashikojnë hapësirë kohore për një praktikë profesionale dhe nuk tentojnë që të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre me organizata dhe kompani ku studentët do të ishin të mirëpritur për punë disa mujore. Në rastin e studentëve që janë nga universitetet publike, institucionet tjera publike duhet të ishin të detyruara për një bashkëpunim të tillë. Ja që universitetet tona nuk e ofrojnë këtë dhe me strategjitë e tyre nuk do ta ofrojnë as për një kohë të gjatë. Është paradoksale që universiteti të “të ndëshkojë” që ke pasur vullnetin dhe ambicien të marrësh diçka që është dashur por ai nuk ta ka ofruar.

Pse është zhgënjyese?

“Në teori, teoria dhe praktika janë e njëjta gjë. Në praktikë, nuk janë.”

Albert Einstei

Si student, ke bërë gjithë ato vite teori duke mësuar në mënyrë mekanike çfarë është lajmi dhe si  bëhet ai. Duke e ndjerë veten të formuar dhe gati për punë, ballafaqohesh me terrenin që s’është aspak si letra e bardhë e provimit në të cilën duhet të shkruaje thjeshtë se “Lajmi është fakt relevant, konstaton por nuk komenton.” Në praktikë kjo s’është kaq e thjeshtë. Terreni është vetë lajmi, të kthen idenë fillestare mbrapsht, të ndryshon komplet kontekstin, të ndryshon qasjen ose edhe të hedh poshtë gjithë punën nëse nuk arrin “të nxjerrësh në shesh” relevancën. Burimet nuk vinë vetë. Duhet t’i ndjekësh, t’i lusësh, t’i presësh… Institucionet të injorojnë, të marrin të drejtën e posedimit të informacioneve me karakter publik, reagojnë, kritikojnë dhe kërcënojnë, madje jo rrallë edhe padisin dhe (ndoshta edhe) fitojnë. Prandaj, assesi s’mund ta quash veten gazetarë pa bërë gazetarinë në praktikë dhe as universitetet mos pretendojnë se nxjerrin gazetarë të diplomuar pa ju mundësuar që së paku gjysmë semestri të njihen nga afër me sprovat e profesionit.

“Në teori, praktika është e thjeshtë.”

Trygve Reenskaug

“Por, a është e thjeshtë të praktikosh teorinë?”

Alexandre Boily

Fatlume Dervishi 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button