Pacolli i afrohet Isës

Lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka filluar t’i ofrohet subjektit kryesor opozitar, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila udhëhiqet nga Isa Mustafa.

Pavarësisht koalicionit në nivel qendror me PDK-në, partia e Pacollit është tërhequr nga mbështetja në garën e balotazhit në Prizren për kandidatin e PDK-së, Ramadan Muja, duke lidhur koalicion me kandidatin e LDK-së, Eqrem Kryeziu.

Njëkohësisht LDK ka vendosur ta përkrahë në balotazh kandidatin e AKR-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtirin.

Edhe pse zyrtarët e këtyre dy subjekteve politike, LDK-së dhe AKR-së, e mohojnë që koalicionet e nivelit lokal të jenë sinjale për një koalicion eventual të nivelit qendror në zgjedhjet e ardhshme nacionale, megjithatë analistët politikë thonë se pikërisht këto koalicione janë tregues se AKR-ja e Pacollit do të jetë “nën sqetullën” e LDK-së së Mustafës.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, i cili është edhe ministër i Diasporës në qeverinë e kryeministrit, Hashim Thaçi, ka thënë se lideri i AKR-së nuk ka vendosur për prishjen e koalicionit me PDK-në në Prizren, shkruan zeri.

Sipas tij, ky ka qenë vullneti i degës së partisë dhe në këtë drejtim nuk ka pasur përfshirje të qendrës.

“Në Prizren dega është tërhequr nga marrëveshja që ka pasur me PDK, duke e parë se është në kundërshtim me parimet e përgjithshme”, ka thënë ai. Makolli ka shtuar se AKR ka vetëm një marrëveshje koalicioni me LDK-në për Mitrovicën.

Lajme të ngjashme

Back to top button