Partitë shqiptare rrezikojnë identitetin

Nuk e kuptoj si nuk ju vjen turp! Kaq ndjej një fyerje të rëndë ndaj intelegjencës time, saqë ndjej që tërë tekstin e sotëm dua ta mbush me turp, edhe atë duke përdorur shumë U-ja tek “Turp”. Këtu vendos shqiponja, atje tej vendos kryqa! Një farsë, një komedi nga më të zezat; në këtë skenar është shndërruar ky vend, këta politikanë, bashkë me këtë popull që i duron. Një tallje e stilit Monty Python, një realitet dual, në njërin prej të cilëve jetojnë politikanët me intrigat dhe lojërat e tyre të ulta dhe të pista, dhe në realitetin tjetër ku jetojmë ne të gjithë duke u munduar të përfytyrojmë një të nesërme më të mirë, shpeshherë pa ta. Pa fronmbajtësit, edhe pa pretendentët e fronit. Të gjitha më duken shpërfytyrime groteske të idealeve për të cilat dikur luftonin prindërit e mij.

Nuk sjellin asgjë të re në tavolinë. Asnjëra prej tyre. Nga veprimet politike me shpejtësi kërmilli të BDI-së jemi ngopur e lodhur. Parti e parenovuar, që mblodhi në vete të gjithë forcën politike të kohës së vet nën pretekstin e një partie moderne e cila edhe pse kishte dalë nga fronti i luftës, trumbetonte paqe dhe progres. 15 vite më vonë, problemet e vjetra. Bile edhe të shtuara. Lojëra mendore me partnerët e tyre maqedonas, që nuk sollën zgjedhje por i shtuan problemet ndërnacionale, nuk e shpunë Maqedoninë as në NATO as në BE, përkundrazi e larguan; nuk përmirësuan dukshëm standardin jetësor të shqiptarëve as në aspektin social as atë ekonomik por e mbajtën atë në një gjendje konstante frike dhe konflikti. Ndërkaq pretendentët kryesorë të frontit të BDI-së më mbushin syrin akoma më pak. LR-PDSH-ja duket e pavendosur në veprimet e veta, RDK-ja është tepër e vogël për të bërë ndryshime; PDSH-ja origjinale nuk ushton kundër veprimeve të kundërshtarëve të tyre pushtetmbajtës aq sa meritojnë kundërshtim ata dhe sikur është e sigurtë në ato 50-60 mijë votat e saj që do i sjellin 6-7 deputetë dhe të tentojnë të futen aty brenda ndonjë koalicioni të ardhshëm të një qeverie të zgjeruar.

Cka të them për Besën?! Një lëvizje pa ideale, pa program të definuar shqiptar apo proturk, e nisur dhe e konceptuar nga njerëz të vjetërruar në skenën politike vendase që defilojnë si frymë e re politike me ideale të reja?! Fola më gjërë në shkrimin e kaluar për ta, nuk dua të përsëritem. Ajo që të vret syrin është tendenca e tyre të uzurpojnë me atë që nuk mund të uzurpohet. Të marrin si të vetën fenë islame, sikur ju takon atyre, sikur ata janë njohësit e vërtetë të saj dhe se idealet e tyre proturke dhe proneootomaniste përkojnë me paqen, demokracinë dhe me progresin që e ka në shtyllën kurrizore feja islame. Lojë të ngjashme me atë të cilën e bën VMRO-ja me fenë orthodokse; shpeshherë harrohet që përvec uzurpimit të institucioneve shtetërore dhe demokratike që ka bërë kjo qeveri në këtë shtet, akoma më fortë ka uzurpuar me fenë dhe kishën.

Fatkeqësisht, në një paraqitje të këtillë skenike të aktorëve kryesorë politikë shqiptarë, duket një gjë e cila është akoma më problematike sesa rrjedhat dhe politikat mondane të përditshme: mungesa e identitetit të këtyre partive dhe që kam frikë që do të shpjerrë edhe elektoratin shqiptar drejt një humbjeje të identitetit të vet. Me lëkundjet e përditshme rutinore politike që detyrimisht i kaplon partitë politike përpara zgjedhjeve – dhe duke patur parasysh që 10 vjetët e fundit në mënyrë konstante kemi qenë në situatë parazgjedhore – druaj që kanë harruar pse realisht, ne si popull kemi nevojë për ata në atë skenë. Që duam të na ushqejnë identitetin kombëtar, kulturor dhe ekonomik. Të na drejtojnë drejt aleancave demokratike perëndimore, larg lindjes. Të kujdesen për mirëqenien tonë socio-ekonomike jo duke promovuar buste dhe përmendore, por duke punuar në mënyrë konstante në përmirësimin e sistemit arsimor dhe duke hapur rrugë të reja biznesit shqiptar në këtë vend. A thua, kur do mbushen me mend?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button