Universiteti “Damjan Gruev” dhe shqiptarët: parodi elektorale!

Kuotën etnike prej 25%  për shqiptarët, që mund të regjistrohen në universitetin e ri “Damjan Gruev”, ekspertët në deklaratat e tyre për Portalb e kanë kritikuar ashpër. Për profesorin universitar Abdylmenaf Bexheti, kuota etnike nuk është fare befasi, sepse, siç thotë ai, kjo është vetëm parodi elektorale. Derisa për ish ministrin e arsimit dhe shkencës, Sulejman Rushitin, ky akt kthen diskriminimin pozitiv me kuota që ka qenë në të kaluarën.

“Vetë projekti i universitetit virtuel Damjan Gruev është tërësisht politik dhe fare nuk befason kuota etnike prej 25% për shqiptaret. Kjo është vetëm parodi elektorale! Në asnjë universitet ekzistues “maqedonas” nuk kanë këtë kuotë të përmbushur dhe kurrë s’do ta kenë aq më pak përderisa janë projekte ku dominon politika dhe jo arsimi e shkenca. Me asnjë cilësi nuk përmbushin atraktivitetin për shqiptarët dhe krejt i pavend është komentimi i një kriteri të tillë paranoik, që u ka takuar kohës së “komunizmit” kur planifikimet bëheshin me dekrete politiko-normative”, theksoi për Portalb profesori Abdulmenaf Bexheti.

Dikur ne në UEJL (viti 2003/2004), shton më tutje Bexheti, në pikën “më kritike” (sipas tyre) kur arriti numri i maqedonasve rreth 30% ishte me dy motive-atë reale të bazuar në konceptin e një universiteti Perëndimor dhe atë nacionaliste që të marrin hisen në punësime, qeverisje dhe të ngjashme, por sot fatkeqësisht numri i maqedonasve është më pak se 5%.

Sipas tij, edhe ky rast dëshmon se kriteret e tilla i takojnë “historisë komuniste”.

Ndërsa ish ministri Sulejman Rushiti, thotë se çështja është se ne duam të ndërtojmë analiza serioze duke u bazuar në deklarata, parazgjedhore, të pabazuara demagogjike dhe joserioze.

“Përfaqësuesi i MASH-it, me deklaratën e tij demanton një sërë deklaratash dhe qëndrimesh të tij dhe partisë së tij që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe por edhe me çështjet arsimore. Respektivisht, me qëndrimet e fundit shkelet ligji për arsim të lartë në të cilin garantohet arsimi në gjuhën shqipe për shqiptarët. Për fat të keq, rikthejnë diskriminimin pozitiv, me kuota që ka qenë në të kaluarën”, potencoi për Portalb Rushiti.

Ndryshe, përfaqësuesi i MASH-it, Safet Neziri dje tha se tek ‘Damjan Gruevi’ do të mund të regjistrohen 25% student shqiptar. Mirëpo pa potencuar se pse edhe në këtë universiteti nuk është paraparë që studimet të zhvillohen në gjuhën shqipe në formatin e njëjtë si Universiteti “Nënë Tereza”.

“Nuk është edhe ajo që flitet se bëhet fjalë për universitet etnocentirk apo vetëm për një komunitet që të studiojë aty. Në bazë të ligjit që është implementuar plotësisht për universitetin ‘Damjan Gruev’ është paraparë që edhe 25% kuota të siguruara të jenë për bashkësinë etnike shqiptare në Maqedoni. Për pjesën e ligjëruesve shqiptarë nuk mund të vendosë politika, nuk mund të vendos MASH-i apo Qeveria, por dihet se si bëhet përzgjedhja e mësimdhënësve nëpër universitete, ajo është çështje autonome e universitetit se kë do të marrë si ligjërues në universitetin e tyre”, është shprehur Safet Neziri, këshilltar në MASH./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button