Papërgjegjësia dhe udhëkryqet e politikës Kosovare

Kriza politike dhe zgjedhja e presidentit kanë ngjallur shqetësim jo vetëm në Kosovë po edhe jashtë kufijve të saja. Pa asnjë fije turpi disa mundohen të “ngushëllojnë”, ashtu siç janë mësuar të flasin dhe shkruajnë: “edhe këta zhvillime janë pjesë e politikës Kosovare dhe do të mbetet në histori”. Histori! Kush do e shkruaje këtë histori?  Këta hileqar nuk janë të vetëdijshëm, kjo faqe do të shkruhet pak më ndryshe, me dëshminë se nuk jemi të aftë për të krijuar institucione shtetërore dhe për çdo veprim duhet marrë në konsideratë “rëndësinë” dhe “objektivitetin” e serbëve, dhe kjo falë sjelljes së vrazhdë të partive opozitare dhe kokëfortësisë së pushtetit. Gjatë kohë në Kosovë kemi manifestime nga më të ndryshme që shpesh na bënë të mendojmë se ky vogëlush 8 vjeçar ende ka mbet në ditën e lindjes, assesi të nisë rrugës së edukimit dhe shkollës. Nga një problem në tjetrin… të papërgjegjshëm në çdo sferë. Ndoshta gabohem, mirëpo atë që e dëgjojë dhe e shohë, Kosova i ngjanë një bombe që plasja pritet në çdo sekondë. Në këtë kohë nuk kemi armik të jashtëm, veprimtaria e politikanëve, sjellja e tyre në dhe jashtë institucioneve na bënë që të jemi më të kujdesshëm nga këta që i kemi brenda.  Rrugët e shtetit të Kosovës dita ditës po mbyllen, hapësira politike është e ngarkuar me qëndrime absurde, me muhabete të kota dhe të acaruara. Sikur nuk janë të vetëdijshëm për atë se çfarë mund të ndodhe nesër, duket se rrugën e kanë nisur nga udhëkryqi, në vend pa shenja udhëzuese.

Ç ‘është e vërteta, problemi i Kosovës është problem kombëtar, atje zhvillimet janë të errëta dhe keqësojnë pozicionin e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe shqiptarëve në Maqedoni. Për ata demokracia është “llogaritja” për të shprehur shumë fjalë pa veprime konkrete, që identifikohen me urrejtje. Vallë politikanët në shtetin e Kosovës bëjnë dallimin ndërmjet të mirës dhe të keqes, dëshirës dhe qëllimit, politikës dhe rrugaçërisë? Si duket përgjigja është jo! Mentaliteti Ballkanik që dhunës ti jepet përparësi është evidente. Nuk mbajë anën e asnjërës nga partitë politike në Kosovë, mirëpo duhet thuhet se Kosova nuk ka opozitë të mirëfillta me taban kombëtar, ata nuk kanë alternativa për të dalë nga situata e krijuar, dhe më lehtë e kanë që për hesape politike, si mjet të marrin gazin lotsjellës dhe vandalizmin. Formulimi i kësaj politike,  shpesh e përhapur me mospërfillje ndaj institucioneve të shtetit dhe pasivitet në veprime përfaqësojnë një kontrast goxha të pazakonta. Pjesës së konsiderueshme të polemikës së sotme, shpesh e cekët dhe e ngarkuar me paragjykime rreth çështjeve të pazgjedhura politike, duhet ti jepet kahje të mirëfilltë për të siguruar më pare siguri brenda shtetit e më pas konkretizim qëndrimesh siç ka të bëje me demarkacionin me Malin e Zi. Zgjedhja e kryetarit të shtetit i takon natyrës që përmendëm, mos respektim në çdo segment të asaj që quhet institucion i shtetit dhe pronës private.

Të protestosh, është demokratike, mirëpo për çfarë demokracie flitet kur demolohet prona private, kur parlamentit i vihet flaka. Protestuesit, sidomos ata me maska nuk janë në dijeni se çfarë humbë Kosova, dhe për ata kënaqësi është kur para tyre ka tym dhe zjarre! Sigurisht se të njëjtit i kanë harruar vitet e 90 –ta, kur tymi i dëmtonte gjithë shqiptarët, dhe ata u bënë një për me ju përgjigje zjarrit me zjarre. Ndoshta, për ata është absurde kur përmendim vitet e dhimbjes, ndoshta disa nga ata edhe nuk i kanë përjetuar, mirëpo është mjerim i madh për të gjithë ne, kur  ditën e festës, në vend që të festohet, prishet imazhi i Kosovës. Është e lehtë të bëhen çrregullime nëpër rrugët e Prishtinës, është e lehtë të godasësh me gurë apo me vezë, mirëpo është e vështirë të vendoset rregulli pas thyerjeve, demolimeve dhe zjarrit. Kosova, sot po kalon në fazën: të jetë apo mos të jetë. Dhe kjo si pasojë e politikanëve pa përgjegjësi morale dhe kombëtare, që fiksim e kanë pushtetin. Pamjet janë tmerruese, ju ngjan po atyre pamjeve të viteve të errësirës institucionale, andaj duhet me urtësi dhe mendje në kokë, duhet ulur si vëllezër për me gjete rrugë për të dalur nga kjo gjendje, ngase e nesërmja kërkon rregull dhe punë të mbara. Në të kundërtën do të i’u mallkojnë gjeneratat pas për hesapet e pasqaruar ndërmjet jush e që godasin popullin.

Dhe në fund na mbetet të themi: Kosovë, urime Presidenti i ri!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button