ANALIZË: Edhe një palë zgjedhje pa regjistrim të popullatës!

Realizimi i regjistrimit të popullatës, pa shtyrje, pa taktizim dhe pa politizim duhet të jetë prioritet kulmor, për shkak se ky operacion statistikor është bazë për të gjitha llogaritjet, dhe është i rëndësishëm jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për zhvillimet ekonomike. Këtë e thonë një pjesë e ekspertëve nga fusha e statistikës për analizën ekonomike javore të Portalb-it, në momentet kur institucione të shumta i gërshetojnë të dhënat për qytetarët në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara parlamentare, si pjesë e operacionit për pastrimin e Listës zgjedhore.

Pa numërimin e popullatës nuk ka të dhëna kredibile

Gërshetimi i të dhënave të qytetarëve nëpërmjet njëmbëdhjetë institucioneve të ndryshme shtetërore do të ndihmojë për pastrimin e Listës zgjedhore në prag të zgjedhjeve të ardhshme, mirëpo kjo nuk mund ta zëvendsojë regjistrimin e popullatës, operacion ky të cilin Maqedonia nuk e ka realizuar që në vitin 2002, thotë njëri nga drejtorët e mëparshëm  të Entit statistikor, Donço Gerasimovski. Ai pret që nëpërmjet gërshetimit të të dhënave, të dalin në sipërfaqe edhe “votuesit fiktivë”, transmeton Portalb.mk.

“Tani bëhet gërshetimi i të dhënave nga 11 institucione të ndryshme. Në mesin e tyre, gjithsesi më të rëndësishme janë FSPIM-ja dhe FSSHM-ja, si dhe Drejtoria për të hyra publike. Nga ana tjetër, shumë me rëndësi është se si janë bazat e të dhënave që i kanë këto institucione. Është e pritshme që gjatë gërshetimit të paraqiten të dhëna të ndryshme, të cilat pastaj do të verifikohen në terren. Problematike, gjegjësisht e dyshimtë, sipas meje, do të jetë rasti kur, për shembull, në adresën e njëjtë do të paraqiten 20 deri në 30 njerëz. Domethënë flasim për votues nga Pusteci, e poashtu pres të paraqiten edhe votues nga Kosova. Këtu janë edhe të vdekurit, si dhe ata që janë shpërngulur nga Maqedonia”, thotë për Portalb.mk, Gerasimovski.

Sipas tij, nuk ka dyshim se Maqedonia duhet sa më shpejtë ta bëjë numërimin e popullatës, për shkak se vetëm në atë mënyrë do të krijohet bazë për të gjitha matjet e ardhshme ekonomike dhe politike. Ky operacion konsiderohet i rëndësishëm jo vetëm për ta numëruar numrin e popullatës në shtëpi, por të fitohet një pasqyrë e plotë për njerëzit që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit. Sipas ekspertëve nga fusha e statistikës, ne si vend disponojmë me të dhëna kualitative për atë se sa njerëz largohen nga vendi dhe sa gjatë qëndrojnë atje, për shkak se kthimet e kohëpaskohshme nuk mund të konsiderohen si shpërngulje, transmeton Portalb.mk.

Regjistrim elektronik”, “Regjistra” ose “Numërim në terren”?

Pas debaklit të regjistrimit të popullatës në vitin 2011, qeveria paralajmëroi se do ta zbatojë këtë operacion në mënyrë elektronike. Kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski, deklaroi se do të realizohet “regjistim elektronik i popullatës”.

“Kemi qëllim të zbatojmë regjistrim të popullatës në Maqedoni. I bëjmë të gjitha përpjekjet që të realizojmë regjistrim të popullatës sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, regjistrim që nuk do të shkaktojë dyshim te askush, te asnjë bashkësi etnike, te asnjë qytetar, inidivid, parti politike ose cilido qoftë subjekt tjetër. Përgatitjet për zbatimin e regjistrimit të popullatës zhvillohen në dy drejtime, lidhje elektronike të evidencave amë që regjistrimi të jetë kryesisht elektronik dhe me aktivitete elektronike, të cilat duhet të mbulojnë vetëm 30 për qind të regjistrimit”, deklaroi Gruevski vitin e kaluar.

Kjo deklaratë e ish-kryeministrit mbeti vetëm si “paralajmërim”. Sektori joqeveritar para do kohësh publikoi një hulumtim kushtuar regjitrimit të popullatës dhe nevojës për të, ku janë analizuar modelet e “regjistrimit të popullatës” dhe regjistrimit të bazuar në “regjistra”. Mirëpo, ky hulumtim, duke iu referuar deklaratave dhe vlerësimeve të ekspertëve dhe politikanëve, thekson se model më i mirë i regjistrimit të popullatës është ai që bëhet në terren, transmeton Portalb.mk.

“Ekspertët dhe politikanët konsiderojnë se modeli më i mirë për pastrimin e listës zgjedhore është regjistrimi i detyrueshëm aktiv i çdo qytetari, si dhe azhurnimi i plotë në terren i listës zgjedhore. Si një element shumë të rëndësishëm, i cili e plotëson azhurnimin e listës zgjedhore, të anketuarit e theksuan verifikimin e identitetit të votuesve në ditën e zgjedhjeve, për shkak se shfrytëzimi i identitetit të huaj gjatë votimit ishte dukuri e shpeshtë në ciklet e kaluara zgjedhore”, thuhet në hulumtimin e fundit “Çfarë regjistrimi dhe liste zgjedhore i duhen Maqedonisë?”, të realizuar nga OJQ-ja Infocentar, Qendra maqedonase për arsim evropian, Tetë Shtatori dhe Qendra për zhvillimin e medieve, në kuadër të projektit “Demografia – kualitet i jetesës”, i mbështetur nga Projekti i USAID-it për shoqëri qytetare, të cilin e zbaton Fondacioni Shoqëri e hapur – Maqedoni.

Mënyra tradicionale e regjistrimit të popullatës, është më e shtrenjta, mirëpo, në rrethanat tona, më e zbatueshmja, konsideron Gerasimovski.

“Regjistrimi elektronik i popullatës nuk është i mundur, për shkak se për këtë, para së gjithash, nevojiten korniza ligjore, metodologji dhe standarde të përcaktuara në mënyrë të saktë. Mund të flitet për kombinim të “regjistrave” dhe regjistrimit “në terren”, mirëpo edhe për këtë duhet të plotësohen kushte, gjegjësisht së pari duhet të zbatohet regjistrim në terren, nëpërmjet të të cilit në kornizë ligjore do të bëhen edhe regjistrat, të cilat pastaj do të jenë bazë për regjistrimin e ardhshëm. Konsideroj se Maqedonia patjetër duhet ta zbatojë këtë operacion, për shkak se Kombet e Bashkuara tashmë i vendosin standardet e reja për regjistrimin e popullatës për periudhën 2016-2020. Ne regjistrimin do të duhet ta bëjmë në bazë të standardeve ekzistuese, mirëpo pa marrë parasysh këtë, ky operacion duhet patjetër të realizohet”, thotë për Portalb.mk, Gerasimovski.

Tentimi i fundit për regjistrim, që është bërë në vitin 2011, buxhetit i kushtoi 14 milionë euro. Оperacioni për numërimin e popullatës filloi, mirëpo nuk përfundoi, i shoqëruar me vërejtje, mospajtime, madje edhe me përleshje fizike.

“Pas dështimit të regjistrimit të popullatës në vitin 2011 dhe pas reagimeve të para dhe kritikave në publik për mungesën e vullnetit politik te pushteti për realizimin e tij kredibil, si dhe për dëmet e mëdha financiare që u shkaktuan për shkak të operacionit të papërfunduar statistikor, pasoi një periudhë e gjatë në të cilën kjo temë vendosej “nën tepih” dhe larg syve të publikut. Pushteti nuk mori asnjë përgjegjësi për dështimin e regjistrimit, askush nuk u dënua për sjellje të paligjshme dhe prishje të rregullsisë dhe ligjshmërisë së regjistrimit të popullatës, e poashtu nuk kishte as paralajmërime, e as ndonjë lloj diskutimi për atë se kur do të realizohet regjistrimi i ri i popullatës. Sjellja e këtillë e pushtetit rezultoi me atë që Maqedonia mbeti vendi i vetëm në Evropë, dhe njëri nga të rrallët në botë, që nuk ka realizuar regjistrim të rregullt të popullatës tashmë 13 vite”, thuhet në raportin e sektorit joqeveritar.

Para do kohësh, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se në vend edhe në vitet e ardhshme nuk do të zbatohet regjistrimi i popullatës, dhe kjo do të jetë kështu deri sa të mos bëhen reforma në Entin për statistika, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia, së bashku me Somalinë bën pjesë në grupin e vendeve të botës, të cilat më shumë se një dekadë nuk kanë zbatuar regjistrim të popullatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button