Policia shqiptare sekuestroi 500 kilogramë marihuanë

Policia shqiptare në vendkalimin kufitar Kapshticë, në kufirin shqiptaro-grek afër Korçës, sekuestroi 500 kilogramë marihuanë, destinacioni përfundimtar i së cilës ka qenë Greqia.

Më pas, sasia e lëndës narkotike kishte si destinacion Turqinë. Policia bën të ditur se në pranga ka përfunduar drejtuesi i kamionit, Eldi Zahiri, 38 vjeç, banues në Durrës.

“Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga policia kufitare në vijën e dytë, (në dalje të Republikës së Shqipërisë), si edhe pas kontrollit në skaner, mjetit tip kamion të markës ‘Man’ me targa ‘AA 312 MY’ dhe rimorkos me targë ‘ADR495′, me të cilin ky shtetas udhëtonte dhe kishte si destinacion Turqinë, iu gjetën të fshehura dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale 474 pako të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe, me lëndë të dyshuar narkotike, kanabis sativa, me një peshë rreth 500 kilogramë. Sasia e lëndës narkotike, ishte fshehur në pjesën e tavanit të mjetit dhe rimorkios së tij”, thuhet në kumtesën policore.

Policia dyshon se në këtë aktivitet kriminel janë të involvuar edhe persona të tjerë, të cilët duhet të zbulohen gjatë hetimit.

Materialet u kaluan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button