Sonte ndahen çmimet “Oscars”- Kosova optimiste

Në Los Angeles të SHBA-ve tash e disa ditë është shtruar tepihu i kuq para Dolby Theatre dhe gjithçka është gati për ceremoninë e ndarjes së çmimeve prestigjioze të kinematografisë, “Oscars”.

Të gjithë kosovarët kanë një arsye më shumë që më 28 shkurt t’i mbajnë sytë nga ekrani kur nis “Oscars” sepse kjo është hera e parë që një film nga Kosova është nominuar për këtë çmim prestigjioz e madje po konsiderohet edhe si favorit.

Është ky filmi “Shok” i regjisorit Jamie Donoughe, i nominuar në kategorinë e filmave të shkurtër, e i cili rrëfen një histori të vërtetë nga lufta e fundit që u zhvillua në Kosovë.

“Shok” do të përballet në këtë kategori me filmat “Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Okay”, dhe “Stutterer”.

Drejt SHBA-ve kanë udhëtuar ditë më parë ekipi i filmit por bëhet e ditur se vetëm pesë nga ta do të jenë të pranishëm në sallën ku jepen çmimet. Këtë nder do ta kenë regjisori Jamie Donoughe, aktorët e vegjël Lum Veseli dhe Andi Bajgora dhe producentët Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.

New York Times, BBC, Vanity Fair, Yahoo, Cineuropa e Indiewire janë vetëm disa nga mediumet apo faqet e famshme që kanë komentuar pozitivisht filmin “Shok”, e shumë prej tyre po e konsiderojnë edhe favorit absolut.

Edhe anëtarët e komunitetit artistik në Kosovë përgjithësisht kanë shprehur përkrahjen e tyre për këtë film duke e promovuar atë vazhdimit përmes rrjeteve sociale.

Disa orë para se aktorët e filmbërsit më të mirë në botë të shpërblehen për punën e tyre, filmi “Shok” do të shfaqet në televizionin publik të Kosovës, RTK, me fillim nga ora 21:15.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të transmetohet me fillim nga ora 23:30 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në kryeqytet, organizuar nga Komuna e Prishtinës, e gjithashtu edhe në shumë lokale në Prishtinë.

Producenti i filmit, Eshref Durmishi, gjatë premierës së filmit “Shok” në Prishtinë pati thënë përKosovaLive se shpreson që suksesi mos të ndalet vetëm me nominim, por që ata të hyjnë në histori duke i sjellë Kosovës Oscarin e parë.

“Këtë film kemi vendosur ta bëjmë sepse kemi nevojë që historitë tona të tregohen nëpër botë dhe kemi shumë ngjarje që duhet t’i tregojmë ne, ashtu siç dimë, në bashkëpunim me të tjerët, si ne në këtë rast me Jamie-n”, është shprehur Durmishi.

Filmi, si shumë të tjerë, është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. E veçanta e tij është se tregon se si sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë film me rolet e tyre paraqitën aktorët Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raça, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

“Shok” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike Eagle Eye Films Kosova dhe Eagle Eye Media Ltd.

Sikurse edhe çdo vit, pritet që programi i ceremonisë së ndarjes së çmimeve ”Oscars” të jetë i pasur me surpriza. Tashmë është bërë e ditur se Benicio Del Toro, Tina Fey, Lady Gaga, Sam Smith, Pharell Williams e Charlize Theron janë disa nga artistët e famshëm botërorë që do të performojnë atje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button