Presidenti shkon në Kushtetuese!?

Zgjedhja e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në postin e presidentit mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, pasi vlerësohet se janë shkelur procedurat në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Subjektet opozitare thonë se janë duke i shqyrtuar aspektet juridike dhe nuk e mohojnë mundësinë që ata t’i drejtohen Kushtetueses për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Thaçit.

Madje, sipas analistëve politikë dhe juristëve, nëse merret parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-presidentit, Behgjet Pacolli, atëherë edhe zgjedhja e Thaçit mund të hidhet poshtë, pasi në atë vendim thuhet se në sallë duhet të jenë të pranishëm të gjithë deputetët (120) me përjashtim të atyre që kanë leje nga Kuvendi. E në seancën kur u zgjodh Thaçi president kanë marrë pjesë 81 deputetë, njofton Zeri.info

Përderisa, në Nenin 86, pika 4 të Gjykatës Kushtetuese thuhet se “Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-presidentit, Behgjet Pacolli, thuhet në sallë duhet të jenë të pranishëm të gjithë deputetët.

“Lidhur me këtë, Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, Neni 86-4 i Kushtetutës siguron se presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2/3-at) e ‘votave të të gjithë deputetëve’ të Kuvendit, që do të thotë së të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë, minus ata deputetë të cilët kanë marrë leje nga kryetari i Kuvendit…”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim të gardianit të Kushtetutës së vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button