Majko: Serbët treguan se kur shqiptarët sillen si “kapedanë” ata dinë të jenë “ushtarë”

Ish-kryeministri shqiptar në kohën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko ka shkruar një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin përshkruan gjendjen në Kosovë dhe flet për disa figura të shquara të Kosovës, duke bërë krahasimin e Thaçit me Esat Pashën e Kurtit me Enver Hoxhën. Por thotë se në këtë situatë edhe Adem Jashari e Ibrahim Rugova do të dialogonin.

Ai ka thënë se pas çdo akti mbetet pak “esencë” me të cilën historia shkruan veten. Sipas Majkos, konflikti i partive shqiptare, solli gjendjen kur serbët vërtetuan që ishin të “pashmangshëm” nga vendimmarrja në të ardhmën e Kosovës, transmeton Koha.net.

“Konkluzioni është cinik por i vërtetë. Mbi ndarjet politike të ditës, serbët me intelegjencë treguan se kur shqiptarët sillen si ‘kapedanë’ ata dinë të jenë ‘ushtarë’”, shkruan Majko.

Një nga figurat më të dëshiruara për shqiptarët në Kosovë, Pandeli Majko, ka thënë se ndarja që ka brenda dobësitë e vjetra, i kanë bërë shqiptarët humbës në historinë e marrëdhënieve me kombet konkurrente.

Ai më tej bën një krahasim të dyfishtë për Thaçin dhe Kurtin.

“Hashim Thaçi është një “Esat Pashë” sa Albin Kurti të mund jetë një “Enver Hoxhë”. Pesimizmi në këtë rast është një përgjigje e moralshme. Korrupsioni dhe antiamerikanizmi janë kriza e përfaqësimit të shqiptarëve, njëlloj vrastare, dhe që përbën tradhtinë karshi vetes dhe stabilitetit. Të dyja “variantet” rrezikojnë ta lenë vendin pa alternativë si parathënie e kaosit pasi po justifikojnë njëri tjetrin”, ka shkruar Thaçi.

Ai më tej thotë se Tirana nuk ka se çka t’i mësojë politikanët në Kosovë, por mjafton të marrin mësim nga gabimet e tyre.

Shkrimi i plotë i Pandeli Majkos:

Në fund të çdo akti mbetet pak “esencë” me të cilën historia shkruan veten. Kriza politike në Prishtinë dhe zgjedhja e Presidentit kanë prekur shqetësimin për atë që ndodh në Kosovë. Konflikti politik i partive shqiptare solli në konkluzionin se serbët vërtetuan sërish se ishin të “pashmangshëm” nga vendimarrja për të ardhmen e Kosovës.

Konkluzioni është cinik por i vërtetë. Mbi ndarjet politike të ditës, serbët me inteligjencë treguan se kur shqiptarët sillen si “kapedanë” ata dinë të jenë “ushtarë”.

Me dhimbje, shoh tek torturojmë veten në këtë ndarje që ka brenda dobësitë tona të vjetra të cilat na kanë bërë humbës në historinë tonë në marrëdhëniet me kombet konkurrente. Urrejtja e vetes sikur “armiku” të ishim NE do të na sjellë në të njëjtin konkluzion që kanë pasur paraardhësit tanë.

Në këtë varfëri politike ku demokracia duket si “rutinë” fjalësh pa veprim, fjalori urrejtjes të jep identitet. Ballkani është ndërtuar nga shoqëri të dhunshme ku e mira duket si dobësi dhe shpesh përgjithësuese e pa “ngjyrë”. Udhëkryqi ynë i vjetër dhe i ri është të mësohemi me veten duke kuptuar qëllimet dhe jo dëshirat.

Hashim Thaçi është një “Esat Pashë” sa Albin Kurti të mund jetë një “Enver Hoxhë”. Pesimizmi në këtë rast është një përgjigje e moralshme. Korrupsioni dhe antiamerikanizmi janë kriza e përfaqësimit të shqiptarëve, njëlloj vrastare, dhe që përbën tradhtinë karshi vetes dhe stabilitetit. Të dyja “variantet” rrezikojnë ta lenë vendin pa alternativë si parathënie e kaosit pasi po justifikojnë njëri tjetrin.

Kosova është nën presionin e dy palëve që nuk po e lënë të marrë frymë. Njëra që se mban dot dhe tjetra që se merr dot. Kjo po e çon shoqërinë në kolaps dhe dhunë. E ardhmja e Kosovës dhe matematika e politikës janë në konflikt. Është kurthi i njohur i pas-luftës që shoqërohet nga utopia. Ajo ngjan me alkiminë që donte të nxirrte ar nga plumbi. Shpresoj që gjakftohtësia dhe vendimet e matura të nxisin mirëkuptimin ndërmjet politikanëve që nuk kërkojnë kënaqësi nga zemërimi.

Tirana nuk ka çfarë jep si “leksion” ndaj Prishtinës veç gabimeve që ajo ka bërë me veten. Kjo nuk është pak. Në Shqipëri fjalori i dhunës krijoi politikanë por jo të ardhme.

Në se Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova, përfaqësuesit më elokuentë të së drejtës dhe të mundshmes, do te ishin gjallë sot, jam i sigurt se do të uleshin bashkë për të gjetur atë që i mungon aktualisht Prishtinës.

Në kohë krizash perceptimet janë çelës. Pyetja se “Çdo të bëni me Kosovën tani që e keni tuajën?” do një përgjigje të barabartë me “Bac u kry!”… Ajo duhet të përfaqësojë ndjeshmërinë politike të diktuar nga nevojat dhe jo idetë. Ju lutem merrni “penën” dhe shkruani historinë tuaj. Jo personalen, por të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button