Lotaria fiskale me mjete nga buxheti

Ministria e financave informoi se tërheqja e parë për lotarinë fiskale do të bëhet më 30 dhjetor dhe veç më janë siguruar mjetet, ndërsa për tërheqjet e tjera do të ndahen mjete nga buxheti i vitit 2014.

Kryetari I Këshillit për çështje ekonomike nga LSDM-ja Kire Naumov, thotë se VMRO-DPMNE-ja në Maqedoni ofron jetë që do të thotë lotari dhe ajo e kurdisur, për dallim nga koncepti I opozitës që është fitim për gjithë qytetarët.
Sipas tij nuk është e logjikshme që të harxhohen para nga buxheti për lojë shpërblyese.

Ministri i financave Zoran Stavrevski deklaroi se këto masa janë motivim për qytetarët.

“Përkundrazi, ne kemi masa më të mira sepse pikërisht dimë se sa do të na kushtojnë këto masa që ne i propozojmë, ne saktë dimë se sa do të jetë fondi dhe se do të arrihet efekt në drejtim të motivimit të qytetarëve”, deklaroi Stavrevski.

Analisti ekonomik Visar Ademi thotë se bëhet fjalë për një masë populistike të qeverisë dhe se mjetet nga tatimet duhet të shfrytëzohen për aktivitete të tjera.

“Këto para nuk duhet të shfrytëzohen për lojra fati, por të shfrytëzohen atje ku ka nevojë”, deklaroi Ademi.

Stavrevski nuk ka sqaruar se sa mjete do të sigurohen për fituesit dhe sa do të kushtojë loja shpërblyese.

Lajme të ngjashme

Back to top button