“Koncept qytetar”, jo faleminderit!

Traktet në thelb janë instrument politik për të shprehur ose transmetuar filozofi politike të caktuar, për të promovuar mënyrën e funksionimit të një shoqërie dhe ndryshimet eventuale. Si taktikë veprimi më shumë asocon në atë komuniste, një mënyrë partizane e të vepruarit, megjithëse jo detyrimisht është e tillë. Një shembull interesant është rasti i Sophie Scholl, një aktiviste politike kristiane – anti naziste, që së bashku me vëllain e saj luftonin për të promovuar një filozofi ndryshe, duke shpërndarë trakte kundër pushtetit nazist në Gjermani në përpjekje për të imponuar ndryshime në shoqërinë gjermane, por që do të përjetonin një fund tragjik.

Rudi Dutchke një aktivist i lëvizjeve studentore (majtiste) në Gjermaninë Perëndimore të viteve 60′ do ti shfrytëzonte afësitë e tij oratorike për të vënë në jetë sloganin e njohur: “Marshi i gjatë nëpër institucione” me qëllim të imponimit të ndryshimeve në shoqërinë gjermane, një fushatë e pasuar me trakte dhe protesta me qëllim të përhapjes së kësaj ideje.

Edhe grupi Baader Meinhof, një grup militant i majtë që operonte në Gjermaninë Perëndimore, që përveç sulmeve të armatosura ishte i njohur edhe për traktet propagandistike që shpërndante për të promovuar idenë e funksionimit të shoqërisë në të cilën besonte.

Të tilla tendenca çuditërisht ka pasur edhe në SHBA, në vitet e 40′, një fushatë me bindje komuniste, pro – ruse, e udhëhequr nga Dalton Trumbo, një izolacionist që besonte se mund të implementonte bindjet e tij në shoqërinë amerikane që realisht është non-sens për një shoqëri me parime demokratike siç është ajo amerikane.

Ajo që i bashkon këto raste, përveç mënyrës së ngjajshme të të vepruarit është edhe dështimi i promovimit ose i vënies në funksion të ideve të tyre lidhur me funksionimin e shoqërive në rastet përkatëse. Kjo besoj ka ndodhur për shkak se kanë qënë të papranueshme në periudhën kohore në të cilën janë imponuar, por ndoshta edhe të papërshtatshme dhe joadekuate për shtetet dhe sistemet politike në të cilat janë promovuar.

Ajo që më bën përshtypje është se të tilla veprimtari ka pasur edhe në ish Jugosllavi, grupe të caktuara që kanë kërkuar ndryshime të sistemit komunist. Grupe të organizuara që armën më të fortë e kanë pasur traktin si instrument politik për të shprehur idetë e tyre lidhur me mënyrën e funksionimit politik të shoqërisë.

Në parim grupet shqiptare kanë pasur orientim “anti – titist” që nëpërmjet trakteve dhe më pas nëpërmjet protestave masive kanë kërkuar ndryshime të sistemit politik që e kanë konsideruar si të papranueshëm për shqiptarët që kanë jetuar në tërësinë territoriale të ish Jugosllavisë. Një sistem politik që në teori ka promovuar një shtet bazuar në koncept qytetar duke mos bërë dallime etnike, dhe mbi këtë bazë edhe diskriminime por që në realitet nuk ka rezultuar i tillë, gjë që ka imponuar edhe organizimin politik të grupeve të caktuara.

Është e vërtetë se edhe atëherë ka pasur funksionerë politikë shqiptarë, por kanë qënë nën ombrellën e sistemit komunist, një lloj marionete politike pa pavarësi veprimi, dhe me këtë nuk dua ti paragjykoj individët, por mënyrën e funksionimit të sistemit që ka promovuar modelin e “shtetit qytetar”. Në fakt komunizmi ka qënë një “ombrellë” që ka mbuluar një zonë gjeo – politike shumë të madhe që për mirë ose për keq e ka përfunduar misionin e vet, prandaj është i pakthyeshëm si koncept. Për më tepër për shtetet në të cilat ka qënë prezent.

Maqedonia si një shtet i dalë nga ky sistem nuk ka asnjë shancë për ta rikthyer atë, as në nuanca bile. Ajo që vërehet kohëve të fundit është promovimi i një teorie për një shtet bazuar në konceptin qytetar që do të qëndrojë mbi konceptin etnik dhe do të jetë i njejtë për të gjithë pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare etj. Në këtë konotacion, cila gjuhë do të flitet dhe shkruhet nëpër institucione dhe media, universitete dhe shkolla, si do të identifikohemi si individ, mbi ç’bazë?! A nuk është një “film i parë” ky?!

Ky është kthim në komunizëm dhe nuk është i pranueshëm për dy arsye. E para, sepse ne (shqiptarët) jemi të ndryshëm nga ata (maqedonasit) dhe të tjerët dhe si të tillë duhet ta pranojmë njëri – tjetrin, t’ia pranojmë gjuhën, traditat, interesat politike, shoqërore dhe kështu me rradhë. E dyta, sepse rrethanat kanë ndryshuar në thelb, si rrethanat e brendshme ashtu edhe rrjedhat gjeopolitike. Ky është realitet që duhet pranuar.

Nuk ka më Jugosllavi, e as sistem komunist, aq më pak parime komuniste. Sot ka Union Evropian, shoqëri të civilizuar evropiane në të cilën vlejnë parime të shëndosha, mbi të gjitha parimi “united in diversity”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button