MBJELLËSIT E KRYQAVE

Ky është shkrimi im i tretë mbi mbjellësit e kryqave dhe, sigurisht, nuk do të jetë i fundit. Fqinjin e kam të frustruar koimpleksesh, ndaj pandeh se mund t’më krehë për hunde e t’mi mbajë përsijeta këmbët në një çizme të vetme.

Në këtë mekam hegjemonist e shoh iletin e ngritjes së kryqit në lagjen Butel të Shkupit, të cilin s’ma merr mendja ta ketë pjellë shqiponja e vendosur në Çair. E vuri a s’e vuri dikush shqiponjën diku, kryqe, luanë, kuaj e specie me hanxharë në duar, si ai përpara gjyqeve më të larta të kryeqytetit, do të ngriten gjersa të mejë çmendia kolektive e përthekuar prej etheve komike të superfuqisë xhuxhe. Se mos pati ndonjë pretekst të qëndrueshëm ndërtimi i kryqit gjigant në Vodno, kryqi në lagjen Aerodrom, kryqi në “muzeun” e Kalasë së Shkupit, vite më parë edhe ai në Kalanë e Tetovës, (të prolonguar për stinë më të përshtatshme bajlozësh të zinj), kisha në Kodrën e Diellit, kryqat anës udhëve magjistrale, ngado që t’i biesh Kinës lilipute.

S’ka pretekst, shkas, sebep. Thjesht: maksami ka vendosur të duket i madh dhe ushtron kapadaillëkun e tij mbi më të dobtin se vetvetja.

Ai e di se shqiptarët janë tolerantë në fe, madje shembull për gjithë botën.

E di se kishat e ndërtuara në vendbanime ku jetojnë njerëz që kanë nevojë t’i falen Zotit në to, nuk e trazojnë fare shpirtin e shqiptarit musliman me mbi 100.000 vëllezër ortodoksë të gjakut e të farës vetëm në Rekën e Epërme.

Ai e di këtë mirëfilli, prandaj mbjell kryqa e ngre makete kishash politike ku i teket, duke tentuar që me to të iritojë shqiptarët, t’ua bëjë me dije se janë në tokën sllave dhe të nxisë shpërnguljen e tyre udhëve të trasuara nga garashaninët, pashiqët, rankoviqët…

Kryqi i tij nuk është kryq besimi, po bisht dhelpre për nxitje zënkash ndërshqiptare, që, mjerisht, ndizen kolerikshëm sa herë që do kërkushi, pikërisht në stinët kur duhet të jemi NJË.

Dhe kjo nuk është e gjitha, sepse pritjet e iblisit janë edhe më të mëdha. Ai do që unë, ti, ne… të shklasim kopeas në gollen kozmike të betejës religjioze në çastin kur etninë e kemi më të rrezikuar se kurrë dhe të katandisur si mos më keq.

Këtë synon provokimi i tij i rrezikshëm për ekzistencën e mëtejme të këtij shteti: t’ia faturojë shqiptarit zgjeben personale, ta nxisë revoltën e tij me flamuj religjiozë, ta paraqesë atë përpara botës si kundërshtar të krishterimit, si musliman radikal, si luftëtar ISIS-i…

Kjo është arsyeja e paarsye e mbjelljes së kryqave të kojshisë në getot shqiptare të Shkupit, sikur nuk janë boll kryqat e car dushanëve në zemrën e qytetit.

Ky është provokimi inatçor i radhës, që nuk mund të justifikohet me ngritjen e simbolit të etnisë më autoktone në Shkupin dardan, të mbipopulluar aktualisht me shenjat megalomane të tjetrit. Po të mos ishte provokim nuk do të ishte kryq karshillëku i ngulur si hu kufiri ndarës ndërmjet njerëzish dhe etnishë, po kishë e ngritur për nevojat e popullatës së krishterë të lagjes – tempull fetar ku njerëzit i falen Zotit në pajtim me bindjet e tyre.

Prandaj, provokimi i këtillë e do një përgjigje të urtë nga ana jonë, që duhet të jetë gurthemeli legjitim i Kishës së ortodoksëve shqiptarë të Maqedonisë – këtij exheli torturues të shpirtit të vockël të atyre që nuk mund më ta fshehin të vërtetën e Rekës së Epërme me mekanizma dhune mesjetare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. zëri i lartë i intelektualit midis shkretëtire ku beduinët e mbajnë për kërpeshi pushtetin e grabitur përmes votës së vjedhur, zëri i vetmuar i intelektualit që flet për realitetin orueljan ku jteojmë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button