Marrëdhëniet Maqedoni-Shqipëri nuk janë dhe aq të mira

Përtej sferës protokolliale, asaj që u reflektua në takimet zyrtare të kreut të Kuvendit Veljanovski me homologun e tij Meta apo krerët e tjerë, marrëdhëniet ndëretnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve kanë kafshatë që nuk kapërdihet.

Ish ministri i jashtëm Paskal Milo shprehet se në momentin kur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe Marrëveshja e Ohrit do të zbatohen plotësisht, atëherë Shqipëria do të bëhet partnerja më e mira në rajon për Maqedoninë. Por nga ana tjetër, përfaqësuesi i pakicës maqedonase në Shqipëri Edmond Temellokov shprehet se edhe maqedonasit në Shqipëri luftojnë për të drejtat e tyre. 

 “Shqipëria është e hapur plotësisht për zhvillimin e marrëdhënieve tona në të gjitha aspektet dhe në të gjitha planet. Ne nuk kemi absolutisht asnjë problem të diskutueshëm ndërshtetëror. E vetmja gjë që pala shqiptare është gjithmonë në kërkim, dhe në axhendën e saj ka si shqetësim të saj, është çështja e respektimit të të  drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe çështja e zbatimit të plotë e Marrëveshjes së Ohrit. Që nga ky moment, shqiptarët janë (bëhen) partnerët më të mirë që mund të ketë shteti maqedonas, ndër të gjithë fqinjët e vetë në rajon. Shpresoj që e ardhmja e Maqedonisë është ngushtësisht me raportet ndëretnike dhe në radhë të parë me raportet midis shqiptarëve dhe maqedonasve”, tha Paskal Milo, ish politikan. 

 “Unë të konstatoj në këto 20 vjet, rreth të drejtave të maqedonasve në Republikën e Shqipërisë, se nuk ka kurrfarë përmirësimi, madje për disa çështje ka edhe kthim prapa të të drejtave të maqedonasve në Shqipëri. Problemet tona janë të njohura në opinion, ne maqedonasit në Republikën e Shqipërisë luftojmë për të drejtat themelore të njeriut”, u shpreh Edmond Temellkov, kryetar i Pustecit.

Ish presidenti i Shqipërisë Bamir Topi nga ana tjetër nuk i shikon drastike këto pretendime. Sipas tij, marrëdhëniet Maqedoni-Shqipëri janë të shkëlqyera, dhe këtë ai e pati vërtetuar edhe përmes aktivitetit të tij politik. 

 “Jam i bindur që këto marrëdhënie janë tradicionale, dhe jam i bindur që qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia do të jenë pjesë e familjes evropiane dhe familjes euro-atlantike. Këto marrëdhënie janë shumë njerëzore, shumë  të çliruara nga komplekset e së kaluarës. Besoj se është rruga e duhur e këtyre marrëdhënieve”, deklaroi Bamir Topi, ish president i Shqipërisë . 

Ndërkohë, titullarët nga Maqedonia dhe Shqipëria, të cilët kremtuan 20 vjetorin e marrëdhënieve, thonë se mes dy vendeve nuk ka asnjë çështje pezull, pasi, në fund të fundit, të dy prosperojnë drejt aderimit një ditë në BE.

 “Gjatë këtij muaji përmbushen 20 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes shteteve tona. Ky është një rast i mirë për t’u përkujtuar ato që janë bërë dhe janë arritur, por edhe për të shprehur gatishmërinë për përparimin shtesë të raporteve të përgjithshme mes dy vendeve, me nder dhe respekt të ndërsjellë”, u shpreh Trajko Veljanoski, kryetar i Kuvendit.

 “Janë  20 vjet të cilat kanë provuar domosdoshmërinë për të mbështetur dhe ndihmuar njëri-tjetrin si e vetmja rrugë për të ecur drejt prosperitetit të vendeve tona, popujve tanë dhe të qytetarëve tanë…do të vazhdojmë në këtë rrugë të mbështesim njëri-tjetrin dhe të jemi edhe një model për gjithë bashkëpunimin rajonal”, tha Ilir Meta, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë . 

Komente qëndrime u ri-shprehën gjatë pritjes solemne që ambasada e Maqedonisë në Tiranë organizoi me rastin e kremtimit të 20 vjetorit të marrëdhënieve mes dy shteteve. Në ceremoni merrnin pjesë një numër i madh personalitetesh të jetës politike, shoqërore dhe biznesit. / Alsat – M

Lajme të ngjashme

Back to top button