PDSH dhe BDI përplasen për kryqin në Butel dhe gjuhën shqipe

Paralajmërimi për vendosjen e një kryqi gjigant në lagjen Butel të Shkupit dhe mosrespektimi i gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore, ishin ndër pikat më të nxehta të diskutimit në seancën e pyetjeve të këshilltareve në Qytetin e Shkupit, njofton TVM2.

Këshilltarët e PDSh-së akuzuan kryetarin e Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovskin, se nuk i respekton ligjet kur bëhet fjalë për vendosjen e monumenteve dhe përmendoreve kulturore historike në territorin e Shkupit.

“Vendimi i fundit i Këshillit të Komunës së Butelit rreth vendosjes së kryqit në unazën e hyrjes së Butelit është absurd. Neni 80, mbi të cilin e kanë miratuar atë vendim, është nën ingerencat e Këshillit të Qytetit të Shkupit, si dhe ‘Shqiponja’ në Fushë Topanë është gjithashtu nën ingerencat e Qytetit të Shkupit”- deklaroi këshilltari i PDSh-së, Idriz Orana.

“Për fat të keq, Qyteti i Shkupit nuk ka inspektorat të vetin ndërtimor që mund të veprojë drejtpërsëdrejti në këtilla raste. Në rast se vazhdon të ndodh që dikush të ndërhyjë në unazat ose në bulevardet e Qytetit të Shkupit, ne menjëherë do të informojmë Inspektoratin Shtetëror për Ndërtimor, siç e kemi informuar më herët me rastin e vendosjes së ‘Shqiponjës’ në Fushë Topanë”- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Këshilltaret e LSDM-së kërkuan përgjigje prej Trajanovskit se sa para gjithsej janë shpenzuar për fasadat barok, dhe kërkojnë rebalanc të buxhetit, ku do të ndahen mjete për transport falas të qytetarëve gjatë ditëve të ndotura.

“Ne pyesim sa para do të kushtojnë fasadat e reja prej baroku, duke marrë parasysh se projekti ‘Shkupi 2014’ është duke u zgjeruar gjithnjë e më shumë. Kjo do të thotë se duhen 50 milion euro shtesë për fasada baroku për VMRO-DPMNE-në. Ne pyesim gjithashtu kur Qyteti i Shkupit planifikon të bëjë rebalanc të ri të buxhetit, ku do të parashikohen mjete shtesë për mbrojtjen e ndotjes së ajrit”- u shpreh këshilltari i LSDM-së, Damjan Mançevski.

Merret vesh se vendosja e gurthemelit të kryqit në lagjen Butel do të bëhet deri në fund të kësaj jave. Nga Komuna e Butelit ende nuk kanë dhënë informacione zyrtare rreth asaj se sa do të jetë gjatësia e kryqit në këtë zonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button