Dëshmojnë banorët e Lagjes së Trimave: Ja se çfarë ndodhi ditën e përleshjes

Ka nisur sot dëgjimi i dëshmitarëve nga Lagjja e Trimave të Kumanovës për rastin “Kumanova”. Fize Memishi, Teuta Lutfiu, Artizana Fejzullahu dhe Fikrie Fejzullahu kanë dëshmuar sot para gjykatës rreth ngjarjeve të 9 dhe 10 majit, raporton Portalb.

“Kurrë si kam parë, as si kam familje asnjërin prej të akuzuarve. Një natë para, ora 10, kam dalur për të ecur dhe s’kam parë asgjë. Në mëngjes duke falur namazin e mëngjesit kam dëgjuar krisma. Rreth orës 12 e 20 erdhi policia na mori na thanë se jemi të siguruar dhe na dërguan në stacion ku na kanë mbajtur 12 orë. Unë isha me djalin dhe burrin. Nuk e dinim se çka po ndodh”, ka dëshmuar Fize Memishi duke u përgjigjur në pyetjet e kryqëzuar nga Prokurori dhe avokatët mbrojtës.

Dëshmitarja Teuta Lutfiu ka dalur të jetë me probleme mentale dhe jo në gjendje psikofizike për të dëshmuar. Mirëpo, kjo u dëshmua pas reagimit të avokatit mbrojtës Bujar Dardhishta, i cili ndërpreu dëshminë e zonjës Lutfiu dhe kërkoi nga gjykata që ta vërtetojë gjendjen e saj shëndetësore. Pas përfundimit të gjykatës se e njëjta nuk mund të vazhdojë me dëshminë e saj ajo u lirua nga gjykatësja.

Dëshmitarja e radhës Artizana Fejzullahu vajza Fadil Fejzullahut, njërit prej të akuzuarve, edhe pse kishte të drejt të mos dëshmojë për shkak se është familjare me njërin prej të akuzuarve, ajo tha se do të vazhdojë me dëshminë e saj.

“Kemi qenë të keqtrajtuar, nuk e kemi ditur se çfarë po ndodhë. Xhaxhai, vëllezërit, djemt e xhaxhait janë keqtrajtuar nga ana e policisë, gjyshen e kemi pasur të sëmurë. Ajo pas një muaji nga traumat vdiq. Nuk e kemi ditur arsyen e ardhjes së policisë. Ata na thanë se po e kërkojnë Fadil Fejzullahun”, ka thënë Artizana Fejzullahu.

Në pyetjen e prokurorit se a ka vërejtur diçka të pazakontë ndonjë ditë më herët, Artizana Fejzullahu me përgjigje: “Ta dinim se ndodh diçka nuk do të rrinim t’i përjetonim këto tortura”.

“Unë edhe sot nuk mund të rrijë në shtëpi nga traumat”, ka thënë dëshmitarja Fikrie Fejzullahu gruaja e Fadil Fejzullahut. Edhe ajo ka përshkruar ngjarjen dhe traumat e përjetuara; britmat dhe thyerjet nga ana e policisë në shtëpinë e tyre.

Seancë e ardhshme do të dëgjohen dëshmitarë tjerë që do t’i ftojë Prokuroria.

Të akuzuarit po gjykohen për veprat penale “organizim terrorist” nga neni 394-a dhe për “terrorizëm” nga neni 394-b, sipas Kodit Penal i Maqedonisë./Portalb

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button