Librat me gabime ende nuk merren parasysh në testimin ekstern

Arsimtarët dhe drejtorët e shkollave shqipe ankohen për pyetjet e pa përshtatshme që janë futur në testimet eksterne të nxënësve.

Drejtori i Shkollës fillore “Liria” në Shkup, Talat Sadiku thotë se më dobët kanë dalë nxënësit në lëndën e historisë.

“Gjatë testimit ekstern nxënësve iu kanë rënë pyetje që nuk i kanë mësuar dhe që nuk i kanë pasur fare në libër. Kjo është problem shumë i madh shkaku se nxënësi i shkëlqyeshëm në testim ka marrë notën mirë, por jo për faj të mosdijes së tij”, tha Sadiku.

Ai shtoi se historia është vetëm njëra prej lëndëve në të cilat nxënësit kanë probleme.

“Nuk është vetëm libri i historisë i stërmbushur me gabime, por gjithashtu edhe lëndët tjera. Tani në gjysmë vjetorin e dytë ne do të drejtojmë ankesë në Komunë, shkaku se ende nuk kanë ardhur nga Ministria e Arsimit për tu konsultuar se si do të jenë pyetjet dhe të kenë parasysh gabimet e rënda që janë prezentë në tekste”, tha Sadiku.

Po ashtu edhe arsimtari i gjeografisë Imerja Ademi, i cili jep mësim në shkollën fillore “Istikball” ne Tetovë, shpreh pakënaqësi, duke thënë që nëse edhe këtë vit MASH nuk konsultohet me arsimtarët, nxënësit do të kenë rezultat të dobët.

“Është shumë normale që nxënësi të ketë notë më të vogël sesa që ai e meriton shkaku se testimi ekstern ishte shumë i rëndë, kishte pyetje që nuk janë fare në libra. Unë nuk e di si mund të bëhen pyetje pa u konsultuar me arsimtarët”, tha Ademi.

Arsimtarja e historisë, Valbona Jani e cila jep mësim në shkollën fillore “Penestia” në Dibër, bën të ditur se nxënësit gjatë testimit ekstern në lëndët e historisë dhe gjeografisë janë treguar të dobët.

“Nxënësit e shkëlqyeshëm janë treguar mjaft të dobët në këto dy lëndë, por jo nga mos mësimi, por nga pyetjet skandaloze që ishin në testim. Kishte pyetje që nuk kanë rëndësi të madhe, të cilat ne i kemi mësuar por nuk kanë qenë të domosdoshme t’i dinë”, tha Jani, e cila po ashtu për këtë gjë ishte ankuar edhe në drejtori.

Nuk është e drejtë që nxënësit të pyeten vetëm për historinë e Maqedonisë dhe Jugosllavisë, ka edhe shumë gjëra të rëndësishme të cilat nxënësi duhet t’i mësojë dhe që ne i kemi mësuar, shtoi Jani 

Ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Goran Galevski bën të ditur se testimi ekstern është përpiluar duke pasur parasysh plan programin mësimor me të cilin punojnë gjithë mësimdhënësit në Maqedoni.

“Pyetjet e testimit ekstern janë marrë nga plan programi mësimor me të cilin punohet në Maqedoni. Ne jemi të hapur për ankesa”, tha Galevski. 

Lajme të ngjashme

Back to top button