Rivaliteti politik i bindjeve

Maqedonia është arena e politikave të çuditshme ku rivaliteti politik i bindjeve nuk përfundojnë kurrë! Në një vend ku bindjet politike sundojnë përtej rivalitetit personal brenda në politikë, atëherë ai shtet tjetërsohet. Maqedonia dhe demokracia janë dy pole të kundërta tashmë prej kohësh. Fatkeqësisht, sipas pikëpamjeve të mia është shteti që nuk u konsolidua nga koncepti i demokracisë, shteti më i partizuar ndër kohë, shteti me gjyqësi selektive dhe me vendime politike dhe një shtet i njëanshëm përgjatë vetëvendosjes së interesit të përgjithshëm. Vendi si duket përmes politikave të vazhdueshme është kthyer në bindje vetjake, që brenda llojit të vet përbëhet nga një pushtet qëduket më shumë se ushtron absurdin, sesa të ushtrojë autorizime publike që janë në interes të qytetarit.

Ndryshe, ky pushtet nuk është gjë tjetër veçse paraqitja jonë më e keqe e mundshme. Pushteti i Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit si duket i hëngrën fjalët e tyre me kohën, dhe shkuan më larg – në njëanshmërinë e vetëvendosjes. Kur ndodh shpesh të hashë fjalët, premtimet e tua, atëherë bindjet vetjake stimulojnë rivalitetin që do të thotë se, njeriu ka humbur sensin e të qenurit ai që është. Humb ai që është ekzistencialisht, por dhe politikisht. Prandaj, kur luan në politikë vjen një ditë, gjithçka të ngjitet pabesisht në fytyrë dhe bindjet kthehen në një realitet të hidhur… Sidoqoftë, tentativat e tyre që Parlamenti nuk u shpërnda siç e kishin përcaktuar nga nisma e tyre me 18 janar, tregoi se bindjet e tyre nuk pasqyrojnë realitetin politik, por bindjet vetjake. Marrëveshje të re mes liderëve për datë të re të mundshme për zgjedhje nuk pati, dhe vendimi i partive në pushtet përmes vetëvendosjes së njëanshme për datën e re të shpërndarjes së Parlamentit dhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme, u përcaktua në rrethana krejt të paqarta. Data 5 qershor erdhi si pasojë e marrëveshjes mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, dhe kjo tregoi qartë se në zgjedhje shkohet sërish sipas bindjeve të pushtetit, dhe jo nga detyrimet e kushteve dhe kritereve evropiane për zgjedhje kredibile, fer dhe korrekte. Por, edhe opozita edhe bashkësia ndërkombëtare do të duhet të jenë korrektor i gjithçkaje ndaj këtij pushteti, me shpresën e vetme që kriza politike mos të mund të rindizet sërish.

Ky pushtet shpeshherë është konceptuar të duket më tepër si ushtrues rivalitetit në bindje me opozitën, sesa me rregullin e konkurrencës në paraqitje. Kjo ikje e vazhdueshme nga ky realitet politik ka për të sjellur pasoja, dhe se pasojat do të sjellin krizë të re. Nga praktika duket qartë se vendi gjithnjë ka qenë rrugëtim nëpër kriza të ndryshme ku më të theksuara e ku më pak të theksuara. Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve pushteti duhet të jetë më e vëmendshme se zgjedhjet nuk janë një lojë e ballafaqimit me veten, por një kusht për demokracinë dhe për demokratizimin e institucioneve.

Të jetosh nën trysninë e vendimeve politike të këtij pushteti është johumane, e pakuptimtë për vetë institucionet dhe qytetarin. Kjo trysni vjen nga dëshira për pushtet të vazhdueshëm. Politika një pjesë të fajit e mbart, ndërsa qytetari duket sikur nuk përpiqet me mjetet që i posedon ta reflektojë fajin. Por kur populli ndodhet i pafuqishëm, jo se nuk përbën fuqinë, por se nuk e përdor atë përmes mjeteve që i takojnë, atëherë mbështetja nuk do mungojë nga roli i bashkësisë ndërkombëtare, e cila fundja do të angazhohet më aktivisht që të jetë një dritare e re për të parë më larg se ky realitet që na ka zënë hundën…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button