Tetovë, u organizua tribunë për ngritjen e nivelit të vetëdijes së qytetarëve

Shoqata joqeveritare ‘Zgjate dorën’ organizoi një debat me temë “Ngritja e nivelit të qytetërimit” në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Në debatin e të enjtes morën pjesë profesorë, mësues, përfaqësues nga mediumet si dhe artistë.
Naime Azi, aktore nga Tetova tha se aktorët nuk kanë përkrahjen institucionale dhe ata me vetë kontributin e tyre janë duke u munduar të arin diku.

Drejtori i televizionit lokal nga Tetova, “TV Koha”, Mevaip Abdiu, foli për rolin e mediumeve  në shoqëri, sidomos të mediumeve lokale të cilët sipas tij, kanë dhënë një kontribut të madh në ngjarjet politike dhe shoqërore pas pavarësimit të Maqedonisë e këndejmi.

Piktori Miftar Mehmeti tha se shoqëria duhet të jetë e përgatitur dhe të jep një kontribut më të madh të për ta ngritur vetëdijen qytetare në Tetovë. 

 Ndërsa  mësuesja Shpresa Sinani tha se arsimtarët duhet të punojmë me nxënësit e tyre duke u dhënë atyre mësimin e duhur për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë.

“Ata duhet të japin një kontribut më të madh  se institucionet tjera dhe ata duhet të jenë personat që do ti motivojnë gjeneratat e ardhshme” tha Sinani.

Mësuesja Nadire Arifi tha se me fëmijët duhet të punohet shumë sepse ata janë ardhmëria.
“Mendoj se duhet që të gjendet një program i përshtatshëm  për edukimin e tyre, mendoj se duhet të ndahen më shumë projekte për fëmijët tanë nga ana institucionale” tha Arifi.

Qëllimi i këtij debati është që profesionistë në sfera të ndryshme të japin kontributin e tyre në ngritjen e nivelit të vetëdijes në qytetin e Tetovës për zhvillimet sociale-politike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button