Kontrabandistët e mëhallës tonë

1. Nëse mund të vendosen monumente pa dijeninë e askujt, imagjinohet lehtë si shpenzohen mjetet nga arka shtetërore të cilën nuk e kontrollon kush. Kjo mënyrë e veprimit përshkruhet me një emër konkret – kontrabandë dhe veprim klandestin. Kështu publikohen enciklopedi, maskohen personazhet e vërteta të busteve, miratohen buxhete me dajak institucional, ndryshohen emra shkollash, jepen diploma universitare dhe sulmohen fëmijë në autobusë.    

Me gjasë, në diznilendin antik “Skopje 2014” mund të ketë edhe shumë personazhe tjera po aq të kontestueshme sa edhe Car Dushani, por kjo nuk e arsyeton veprimin qyqar të disa zyrtarëve shqiptarë. Është dyfytyrësi të shprehet shqetësim për bronzin e keqbërësit që ka vepruar para ca shekujsh, ndërkohë që po këta funksionarë nuk e prishën rehatinë në prill, kur me para publike u pagua kremtimi për lirimin e një krimineli të dënuar lufte. Krejt kjo flet për funksionimin e shkëlqyeshëm të koalicionit – njëra palë i vendos monumentet tinëz, tjetra i rrënon ato natën si klandestinë. Bashkë ndërtojnë dhe bashkë rrënojnë, ditë e natë, 24/7. Të koordinuar kaq mirë, tani as që u parashtrua dilema nëse planifikohet braktisja e qeverisë.

Për ta trashur gabimin, kërkohet edhe sjellja e tre monumenteve të shumëpritura shqiptare. Në frymën klandestine, as që dihet pse janë zgjedhur pikërisht këto. Zbarkimi i tyre vetëm se do ta legjitimojë krimin estetik, financiar dhe historik në shesh, si fletë fiku mbi turpin shekullor. Andaj, ato nuk duhet të vendosen kurrë, të paktën si shenjë respekti ndaj tre personazheve dhe për të mos ia dhënë dimensionin shumetnik këtij shëmtimi të pafund.

2. Veprimi kontrabandist nuk kufizohet brenda kufijve. Shembull për këtë është dëshira qeveritare për kyçje në Rrjedhën jugore të Gazpromit, përkundër orientimit perëndimor. Nëse  realizohet kjo, do të përballemi me pasoja të paparashikueshme ekonomike dhe politike.   

Maqedonia ende nuk ka nënshkruar një marrëveshje finale me rusët, për të cilën Komisioni Evropian u prononcua qartë – shtetet e BE-së që tashmë kanë ra në ujdi me Moskën duhet ta ndryshojnë kontratën, për ta mundësuar trajtimin e barabartë në treg dhe për t’i mbrojtur konsumatorët gjatë përcaktimit të tarifave. Pas shpalljes së këtij qëndrimi, Maqedonia jo vetëm që e përsëriti me ngulm se do të ec tutje me Gazpromin (ndonëse nuk ka përgjigje finale, të paktën jo publike), por madje e inkurajoi Brukselin që të bëjë dialog me Moskën. 

Ndonëse ky problem mund të duket i largët, nëse futemi në këtë lojë, ajo që po ndodh në Kiev është vetëm një pjesë e ardhmërisë tonë. Shantazhet dimërore me gazin rus janë praktikë e njohur dhe kjo na pret në perspektivë nëse thellohet politika pro-lindore. BE i jep prioritet të qartë mbrojtjes së konsumatorëve dhe pozitës së barabartë në treg, pikërisht për t’i kufizuar kontrabandistët ekonomikë dhe politikë. Loja e dyfishtë e Shkupit zyrtar, ku biznesi bëhet me Moskën, ndërsa Brukselit i jepen fjalët, është një rast tjetër ku aplikohet fryma klandestine. 

3. Për ta fshehur dështimin kolosal për integrim në NATO dhe BE, ka vite që qarkullon ideja për afrim me vendet e BRIKS-it, si alternativë për botën ku forca dhe kapitali lëviz drejt lindjes. Demek, nuk kemi pse të integrohemi në perëndim, kur tashmë zhvillimi kalon në lindje. Në realitet, kjo bëhet për t’i ikur sistemit ku sundon ligji dhe institucionet, që imponohet nga Brukseli për t’i goditur qarqet klandestine të zhytura në korrupsion dhe zhvatje. 

Për ilustrim, prej pesë vendeve të BRIKS-it (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), në dy nuk kemi as ambasadë dhe të gjitha janë të paktën dy lidhje fluturimi larg. Ajo që e tregon më së miri seriozitetin tonë, është fakti që nuk kishim asnjë përfaqësues në grupin e 90 burrështetasve që morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të Nelson Mandelës, Kryetarit legjendar të Afrikës së Jugut. Qartë, kur një herë mësohemi me mendësinë e kontrabandës, është vështirë të shihen qëllimet e vërteta, meqë mashtrimi bëhet pjesë e rëndomë e punës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button