Mbyllni Ministrinë e Kulturës!

Ministria e Kulturës duhet sa më parë të mbyllet, ndërsa fondet e saj t’iu barten komunave. Vetëm kështu do të zgjidhet çështja e diskriminimit dhe do të stimulohet ekonomia në nivel lokal.

Sipas disa të dhënave të fundit, nga buxheti 71 milionë eurosh Ministria e Kulturës paska ndarë vetëm 4 milionë euro për kulturën shqiptare. E dhëna vjen në vlugun e betejës mes botuesve shqiptarë dhe kësaj ministrie, gjegjësisht pushtetarëve shqiptarë në të. Sipas botuesve shqiptarë ministria një kohë të gjatë po i diskriminon ata, pretendim gjithsesi i lehtë për t’u vërtetuar sapo shihen statistikat. Por problemet me këtë ministri nuk janë vetëm të natyrës etnike. Dekadën e fundit ajo është akuzuar se në vazhdimësi favorizon njerëz, firma dhe projekte të afërta me pushtetin. Ndërkaq kulminacion i keqpërdorimeve është mënyra dubioze e ndërtimit të projektit Shkupi 2014, ku bartëse ka qenë pikërisht kjo ministri. Thuhet se ku ka tym ka edhe zjarr, andaj nga akuzat e shumta të bëra kësaj ministrie shumëçka duhet të jetë e vërtetë. Padyshim kjo ministri është e stërmbushur me probleme me mënyrën e funksionimit të saj.

Këto ditë zgjidhjen e problemeve të tyre botuesit shqiptarë e shohin te ristrukturimi i kësaj ministrie. Ata kërkojnë formimin e një departamenti të veçantë në ministri për kulturën shqiptare dhe një tjetër për kulturën e pakicave tjera. Për fat të keq kjo është zgjidhje e gabuar, që në fakt nuk do të zgjidhë asgjë. Problemet burokratike kurrë s’mund të zgjidhen me shtim të burokracisë. Nëse sot kemi problem se botuesit nuk marrin mjete të mjaftueshme nga fondi i ministrisë, nesër do të flasim se si në ministri anashkalohet departamenti shqiptar, si atij nuk i jepen resurse të mjaftueshme dhe në fund se si ai departament favorizon shqiptarët e afërt me partinë shqiptare në pushtet. Problemi nuk do zgjidhet; kësisoj ai vetëm se do të marrë formë tjetër.

Qasja e drejtë në trajtimin e kulturës në një shtet është që qeveria mos përzihet fare në çështjet kulturore. Për këtë shkak është më se e nevojshme që njëherë e mirë Ministria e Kulturës të mbyllet. Për këtë ka disa arsye, ndërsa parësor është koncepti që kultura thjeshtë nuk është punë e shtetit. Kultura është fenomen shoqëror dhe jo shtetëror, ajo buron dhe konsumohet nga individët dhe shoqëria. Çdo përzierje e shtetit në të duhet të konsiderohet si keqbërëse dhe qëllimkeqe, ose me qëllim të mirë por të gabuar. Asgjë e mirë nuk vjen kur shteti përzihet në kulturë. Rezultati përherë ka qenë tentim për t’ia larë trurin shoqërisë, ashtu siç bëhet sot me Shkupin 2014. Edhe në raste kur shteti ndoshta ka patur qëllime të mira, kultura e sponsorizuar prej tij ka prodhuar vetëm vepra e artistë meskinë, pa ndonjë vlerë të mirëfilltë artistike. Me kulturë shtetërore përparojnë artistët shtetërore, pra ata me lidhje partiake, jo me talent.

Idealisht kultura do duhej të jetonte dhe mbijetonte nga konsumi privat i qytetarëve. Por duke marrë parasysh se jemi kombe e shtete të vegjël, pa tregje të mirëfillta nga ku mund të financohen e krijojnë artistët tanë, ata duhet të mbështeten në një mënyrë a tjetër. Mirëpo vendi për të bërë këtë nuk është qeveria; më afër komunitetit e individit përherë është pushteti lokal. Se sa e çfarë libra duhen në bibliotekat e Kumanovës, sa teatro i duhen Shkupit, çfarë përmendore duhen në Tetovë, për çfarë muzeu kanë nevojë Struga e Ohri, këto nuk janë çështje që i dinë më mirë Gruevski, Ahmeti, Kamçevska e Shehapi. Pikërisht këto janë gjëra për të cilat duhet të vendosin kryebashkiakët e këshillat komunalë të qyteteve. Prandaj është më se e nevojshme që Ministria e Kulturës sa më parë të mbyllet dhe fondet e parapara për kulturë t’iu jepen direkt komunave në mënyrë proporcionale.

Me ndarjen proporcionale të fondeve për kulturë komunave do të parandalohej shumë më mirë diskriminimi në të gjitha bazat. Për shembull komuna si Struga, Ohri, Gostivari apo Çairi do të merrnin nga 2 milionë euro në vit për çështje kulturore; madje edhe komuna rurale si një Likovë apo Zhelinë do të kishin nga 800-900 mijë euro për këto qëllime. Në këto kushte do të ishte e pamundshme të ushtrohej diskriminim sistematik çdokund, e pastaj do të ishte banale të akuzohej për diskriminim të çfarëdo lloji. Kjo mënyrë financimi mund të vlejë për një periudhë tranzitore, për shembull pesë vjet, në të cilën komunat do të kushtëzohen që mjetet e dedikuara për kulturë vërtetë t’i shfrytëzojnë për çështje kulturore. Me kohë mandej komunat mund të lihen të lira të bëjnë ç‘të duan: t’i investojnë mjetet për qëllime tjera ose t’ua kthejnë qytetarëve. Komuna si Mavrovë-Rostusha e Çuçer-Sandeva ndoshta nuk kanë vërtetë nevojë për 300.000 mijë euro për kulturë dhe do të donin t’i harxhojnë në mënyra tjera.

Organizimi i këtillë i financimit të kulturës nuk ka dimension etnik. Në botën reale gara për resurse nuk është kurrë lojë me shumë zero dhe nuk duhet që të mirat e njërit grupacion të perceptohen si humbje për grupacionet tjera. Me ndarjen e këtillë të mjeteve për kulturë do të përfitonin edhe komunat me shumicë maqedonase. Qytete si Velesi e Strumica do të merrnin infuzion prej dy milionë eurosh në arkat e tyre, Prilepi 2.5 milionë, ndërsa Manastiri mbi tre milionë. Përveç beneficionit ekonomik, qytetarëve të tyre do ju lihej vetë të vendosin nëse kanë nevojë për teatro, libra, koncerte, muze apo përmendore, në vend se kjo t’iu imponohet nga lartë, nga burokratët e ministrisë së kulturës.

Gjithsesi nyja më e ndjeshme e këtij reformimi janë të punësuarit e ndershëm të kësaj ministrie, të cilët nuk është fer të lihen në rrugë. Por edhe për këtë problem zgjidhja është e qartë: ata duhet të ndjekin paratë. Bashkë me fondet shtesë, komunat do të duhet të marrin në punë edhe të punësuarit e ministrisë nga komunat e tyre, të paktën për një periudhë tranzitore pesëvjeçare. Sado minimalisht, me thithjen e fondeve dhe kthimin e vendeve të punës në komunë do të ringjalleshin ekonomitë e komunave periferike dhe do të parandalohej zbrazja e vazhdueshme e tyre. Po të veprohet njëlloj edhe me resoret tjera qeveritare, aty ku ka hapësirë dhe mundësi, efekti do të ishte substancial. Më fer se kjo shëndoshë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button