Tramp fiton bindshëm edhe në Nevada

Rezultati. Donald Tramp ka fituar bindshëm në kaukuset republikane të Nevadës. Kaukuset janë mbajtur në orët e vona të natës së 23 shkurtit, ndërsa rezultatet kanë ardhur me vonesë pasi Nevada është shtrirë thellë në perëndim, 9 orë pas orës europiane. Sidoqoftë rezultati është mësë i qartë. Me 94% të votave të numëruara Tramp ka shënuar fitoren më të thellë deri tani, duke grumbulluar mbi 45% të votave. Ashtu si në shtetet e mëparshme, vazhdon beteja e egër për vendin e dytë mes Kruzit dhe Rubios. Për momentin Rubio ka rreth 1600 vota më tepër se Kruz, apo  rreth 2 pikë përqindje epërsi. Larg në fund janë dy kandidatët tjerë të mbetur në garë, Karson dhe Kasiç.

Kandidati Kandidati Vota Vota % Delegatë në Nevada Delegatë total
sDonald-Trump Donald Tramp 33.380 45.9% 12 80
sMarco-Rubio Marko Rubio 17.253 23.7% 5 14
sTed-Cruz Ted Kruz 15.612 21.5% 5 16
sBen-Carson Ben Karson 3.516 4.8% 0 3
sJohn-Kasich Xhon Kasiç 2.563 3.5% 0 5

 

Pra deri tani gara në Nevada i ngjan shumë Karolinës së Jugut. Përderisa kandidatët tjerë konvencionalë vazhdojnë të ndajnë votat mes tyre, Tramp shënon fitore pas fitoreje pa arritur kurrë 50% të votave. Pak dëshpërues është rezultati i Rubios, i cili duhej të përfitonte nga eliminimi i Bushit dhe përkrahja e madhe që ka marrë që atëherë nga establishmenti. Në Nevada ai të paktën duhej të kishte siguruar pa problem vendin e dytë. Por si duket trupi votues anti-Tramp ende ka hamendje nëse duhet të rreshtohet pas Rubios ose Kruzit, e në 1 mars kjo do t’i shkojë në favor Kruzit pasi gara zhvendoset në Jug, terren shumë më i përshtatshëm për të.

 

Beteja me delegatë. Ngadalë por sigurtë Tramp po fillon të krijojë epërsi të konsiderueshme në betejën për delegatë. Megjithëse ende jemi larg shifrave të duhura për nominim (duhen 1237 delegatë), Tramp deri tani ka grumbulluar dyfishin e delegatëve të të gjithë kandidatëve tjerë bashkë. Nëse vazhdon me këtë tempo në votimet e rradhës me 1 mars, kur zgjidhen një numër i madh delegatësh, ai mund të krijojë epërsi të pakalueshme.

 

Vazhdon dalja rekorde. Një fenomen konstant në garën e deritanishme republikane ka qenë dalja e rritur në votime. Në tre shtetet e para ata shemëbn të gjitha rekordet e mëparshme të daljes, ndërsa po e njëjta gjë po ndodh në Nevada. Në 94% të vendotimeve të numëruara gjithsej kanë votuar 72.600 votues. Për krahasim në vitin 2012 në votimet republikane në Nevada dolën vetëm 32.000 votues, në 2008 dolën 43.000. Pra dalja është rritur për 250% nga viti 2012.

Vetë ekspertë të afërt me partinë demokrate pranojnë se në vitin 2016 republikanët duken shumë më të mobilizuar, diçka si demokratët në vitin 2008. Kjo mund të jetë problem i pakapërcyeshëm për demokratët në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, ashtu si në vitin 2008 kur dalja masive e demokratëve i siguroi fitore të thellë Obamës.

 

Mbaron faza e parë e votimeve. Në Nevada republikanët mbyllin fazën e parë të votimeve, ku është votuar në 4 shtete të vogla, përafërsisht nga një në javë. Në 1 mars fillon faza e dytë, ajo e votimeve masive, fazë kur zakonisht ndonjëri kandidat siguron epërsi të pakapërcyeshme në delegatë. Në 1 mars republikanët votojnë në 12 shtete njëkohësisht dhe zgjedhin afër 620 delegatë. Në njëfarë mënyre faza e parë shënon vetëm fazën e eliminimit; nga 12 kandidatë në fillim të muajit, fusha është reduktuar tani në 5, me gjasë që Karson të tërhiqet para 1 marsit. Për kandidatët e mbetur gara e vërtetë fillon jaën tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button