Çejku: Ideja për librin më lindi pas varfërimit të komunikimit shkaku i teknologjisë

Në ambientet e Universitetit të Evropës Juglindore ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku promovoi romanin e tij të parë “Dymbëdhjetë”. 

Rektori i UEJL-së, Zamir Dika tha se romani i Çejkut po promovohet tek “Ura” (objekti ku ndodhen hapësirat e UEJL-së në Shkup), pasi edhe Çejku për sa vjet ishte ambasador kreu funksionin e një ure lidhëse.

 “Duke e njohur personalisht autorin nuk ka asnjë dyshim se edhe libri është i veçantë”, tha Dika.
Në promovim ishte edhe redaktorja e romanit Alma Bardhyli e cila tha se romani “Dymbëdhjetë” është shkruar thjeshtë, plot stil.

“Në prozën bashkëkohore shqipe, ky libër vjen ndryshe. Beni i ka dhënë një jetë të dytë vëllait të tij”, tha ajo. 

Shtimi i mjeteve të komunikimit dhe varfërimi i komunikimit e kanë shtyrë Çejkun për ta shkruar këtë roman të veçantë. 

“Shtytje për ta shkruar këtë roman u bë vëllai im. Pas disa vitesh ne po kalonim pushimet bashkë. Në ndërkohë që ne ishim aq pranë unë e ndjeja atë shumë larg. Ai gjatë gjithë kohës rrinte dhe komunikonte në internet. Unë isha pranë tij, ndërsa ai qeshte me persona të tjerë të cilët nuk ishin aty. Aty më lindi ideja për të shkruar. Pasi më duket se është vendosur një mur, një perde mes njerëzve. Si do të jetë e ardhmja e komunikimit?”, tha Çejku.

 Romani “Dymbëdhjetë” u promovua së pari në panairin e librit në Tiranë, ndërsa nesër ai do të promovohet në Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button