Refugjatët afganë në Tabanoc: Kërkojmë hapjen e kufijve drejt veriut

Qendra transitore për refugjatë në vendkalimin kufitar verior të Maqedonisë Tabanoc është përplotë me refugjatë nga Afganistani, si dhe me refugjatë nga Siria dhe Iraku të cilët janë në numër më të vogël. Refugjatët afganë edhe sot kanë mbetur të bllokuar në vendkalimin kufitar verior, meqë nuk u lejohet kalimi në territorin e Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Situata në qendrën transitore në Tabanoc është e qetë, por ka më shumë njerëz se zakonisht, veçmas afganë, theksoi Aren Shakir, i cili është pjesë e ekipit të terrenit të UNHCR-së në Tabanoc.

“Momentalisht kemi më shumë njerëz se zakonisht, rreth 720 njerëz kemi në kamp ku shumica janë afganë, ndërsa kemi refugjatë nga Iraku dhe SIria. Si duket kanë problem me mbledhjen e të gjitha dokumenteve që u nevojiten për të vazhduar rrugën, andaj janë këtu. Komisariati për refugjatë i UNHCR-së punonë me policinë, me Qendrën për menaxhim me kriza, me policinë kufitare, me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për t’iu mundësuar rrugën e mëtejshme”, tha Shakir në bisedën me Anadolu Agency (AA).

Ai thekson se sot refugjatët e Afganistanit kanë mbetur në qendrën transitore në Tabanoc, sepse i kthejnë nga vendkalimi kufitar serb, për shkak të, siç theksojnë dokumenteve të pakompletuara për udhëtim.

“Kjo çështje momentalisht zgjidhet nga institucionet e shtetit, refugjatëve u mungon dokumenti grek, momentalisht duhet ta marrin atë para se të vazhdojnë rrugën deri në Serbi, me siguri do të duhet të kthehen në Greqi, që ta marrin dokumentin për të vazhduar rrugën”, sqaron Shakir.

Lejet për azil të refugjatëve nga Afganistani të cilat sipas ligjit vlejnë 72 orë tashmë kanë skaduar, ndërsa aktivistët që janë në terren po tentojnë t’u sigurojnë të gjitha gjerat e nevojshme, por për shkak të numrit gjithnjë e më të madh të refugjatëve të cilët më gjatë qëndrojnë në kamp, kjo bëhet gjithnjë më e vështirë.

– Refugjatët afganë porosisin: Kërkojmë që edhe për ne të hapen vendkalimet kufitare drejt veriut. Edhe ne jemi njerëz –

Në kampin në Tabanoc është edhe i riu Romin (24) nga Afganistani, i cili tregon se disa ditë qëndron në këtë qendër transitore meqë Serbia nuk i lejon të kalojnë kufirin e tyre.

“Nuk na lejojnë ta kalojmë kufirin. Nuk e di pse e bëjnë këtë, a nuk jemi edhe ne njerëz. Mendoj se nuk e dinë gjendjen e vërtetë në Siri dhe nuk kanë informacione të reja lidhur me ngjarjet në vendin tim. Tani jemi në gjendje shumë të vështirë”, tha Romin, duke shtuar se kërkon mirëkuptim nga institucionet relevante me qëllim që lirshëm të vazhdojnë rrugën drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Rreth meje shoh njerëz me fëmijë, njerëz të sëmurë. Besoni, situata në Afganistan nga dita në ditë është gjithnjë e më e vështirë. Ne vetëm kërkojmë nga KB-të UNICEF-i dhe njerëzit që janë kompetentë në këtë situatë, t’i kuptojnë kushtet tona dhe situatën në të cilën gjendemi”, tha Romin në bisedën për AA.

Qëndrimi i papritur në një vend, në pamundësi për të vazhduar rrugën e saj drejt vendeve të BE-së ndikon keq në gjendjen shëndetësore të Zejnepit (43) nga Afganistani, e cila vuan nga diabeti.

“Kam problem me diabetin, trupi im vështirë e përballon këtë. Vendi ku duhet të flej nuk është i përshtatshëm për mua, nuk kam barna, ndërsa ushqimin që e marrë ndikon keq mbi shëndetin tim sepse përmban shumë sheqerna”, tregon Zejnep.

Në mesin e refugjatëve nga Afganistani, mund të vërehen edhe një numër i madh i të rinjve. Ata sqarojnë se kanë ikur nga vendi i tyre për shkak të gjendjes së vështirë të sigurisë.

“Atje ka talebanë, DAESH dhe shumë grupe të tjera të armatosura të cilat luftojnë. Nuk kemi paqe. Secili lufton kundër secilit. Nuk mund të luftojmë. Duam të shkojmë kudo, kudo që na pranojnë”, thekson Hasan nga Afganistani duke vlerësuar gjendjen në vendin e tij.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare të pranishme në terren informojnë se ende mbetet e pasigurtë nëse refugjatëve afganë do t’iu mundësohet që ta vazhdojnë rrugën e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button