Tensione në Eurovision: Ukraina nxit pakënaqësi te rusët (Video)

Ukraina ka zgjedhur për Eurovision një këngë që flet për deportimin masiv që ka bërë Joseph Stalini të rreth 240 mijë tatarëve të Krimesë në vitin 1944.

Susana Jamaladinova, e njohur me emrin skenik si Jamala, të dielën ka fituar votat e teleshikuesve dhe të jurisë për ta përfaqësuar vendin e saj në Stokholm me këngën që mban titullin pikërisht “1944”.

Vet 32-vjeçarja është një tatare nga Krimea dhe ka folur sesa e rëndësishme është që njerëzit ta dinë të vërtetën e atij kapitulli të tmerrshëm që Parlamenti ukrainas e ka quajtur gjenocid.

“Mesazhi kryesor është që ta kujtojmë dhe ta dimë historinë. Kur e dimë, e parandalojmë”, ka theksuar Jamala, transmeton Telegrafi.

Qeveria e Stalinit i ka akuzuar tatarët se kanë bashkëpunuar me forcat naziste që e kishin okupuar gadishullin e Krimëse dhe në vitin 1944 i kishte përzënë nga shtëpitë e tyre drejt Azisë qendrore dhe pjesëve tjera të Bashkimit Sovjetik. Rreth 20 deri në 50 për qind të të deportuarve vdiqën brenda dy vitesh në ekzil.

Zgjedhja e kësaj kënge do t’i shtojë akoma më shumë tensionet gjeopolitike ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës kur kihet parasysh se rusët e aneksuan Krimenë në vitin 2014.

Në përgjithësi, këngët politike nuk lejohen të marrin pjesë në Eurovision, mirëpo pritet të shihet se çfarë do të vendosë bordi i festivalit pas 14 marsit.

Nëse një këngë i thyen rregullat, atëherë kërkohet nga vendi pjesëmarrës që ta ndryshojë tekstin ose këngën në përgjithësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button