Letër Salës

Përmbledhjen e tij të parë, dhe sipas shumë njohësve të poezisë, më të mirën deri tash “Vdes pas gjërave të imëta” Salajdin Salihu e shkroi si djal i ri derisa jetonte në shtëpinë e vjetër të babës në fshatin Sllatinë të Tetovës dhe “flinte në shilte të ngushtë”, siq i shkroi në letër një mik. Studionte me tamam për gjuhë dhe letërsi shqipe, kapërdinte libra me pasionin e lexuesit i cili natyrshëm mendon se librat më të mirë janë ato që ende nuk i ka lexuar, prandaj i kërkonte me ngulm.

…ishte avantazh ti rrije afër dhe ta dëgjoje – Sala hedhte vetëm ca fjali që të tjerëve mandej na shërbenin si referenca, dhe ikte në heshtje. I takonte sojit të njerëzve që parapëlqejnë të dëgjojnë sado që kanë për të thënë. Djali i ri, skajshmërisht modest, me melankoli në sytë e lëvizshëm (“nata u derdh në sytë ullinj”) dhe me shqisa supersensitive i dha poezisë mbarëshqiptare këngë të përjetshme. Vetë autori dukej jokoshient për këtë:

“shkruaj për ta ngushëlluar veten

…shkruaj të mos ndihem i vdekur

e jo për t’u bërë i përjetshëm”.

Shumë shoqëroheshim në kohën kur ai ndërtonte dioptrinë dhe nënshkrimin e vet autorial, fillimi i viteve të 90-ta…Një grup ëndërrimtarësh të mbledhur në klubin Doors në katin e dytë të qendrës tregtare që nuk kishte gjë tjetër të bukur dhe i mjaftonte Doors-i. Klubi i të pakënaqurve që nuk kritikonin vetëm, por e kthenin pakënaqësinë në motor veprimi. Ishim të ri, ishim të lirë, nuk kishim asgjë dhe kishim gjithçka.

Kafeneja jonë lëshonte muzikë e cila edhe sot dëgjohet dhe në atë zhurmë cilësore debatohej me zjarr për temat e kohës, flisnim për ndryshimet që patjetër do ndodhnin, mendonim. Nuk ndodhën andaj vargjet që shkroi Salajdini si refleksion çasti janë aktuale edhe sot:

“Përse nuk jemi akrepë të gjallë,

në një orë të pakurdisur”.

Qyteti, në esencë më urban se i sotmi dhe më rinor në të menduar, na dukej si katundet e përhumbura të veprave të Markesit, por njëkohësisht e ndjenim se brenda asaj ngathtësie megjithatë ka dinamikë: “Makondo është e Makondo s’është” e tha “shkurt dhe artë” Salajdini, kurse në tjetër poezi vazhdoi:

“Ka rregulla të serta ky qytet

ora policore fillon në mëngjes për dashnorët

fshihet dashuria si libër i rrezikshëm

si mëkat fëmijërie që s’e përmendim kurrë…”.

Ai dha diagnozën e saktë për vendet e lëna pas dore që doemos provincializohen (“Vendi ku ndodh asgjëja).

Portetizoi njerëzit e ngathtë të cilët presin një ditë e cila nuk do t’u vijë përderisa vetëm presin (“Me plakun Santiago të Hemingueit”).

Në mënyrë fotografike sqaroi mbrëmjet e sikletshme kur agimi vonohet:

“…me pagjumësi që i lëvaret mbi qerpik

si një varg specash tharë në hajat”.

Krijoi vargje me muzikalitet të rrallë që mbahen mend me një të lexuar:

“jemi dy luftëtarë rebel

plot luftëra në mes

paqja na vret tmerrësisht

kur hyn mes nesh”.

Përkthimi në gjuhë të huaja i kësaj përmbledhje antologjike të poezisë bashkëkohore shqipe mbetet detyrim për politikën tonë kulturore.

20 vjet pas botimit.

Pasi këtu, ta përmbyll me një varg të tij “edhe vonesa arrin me vonesë ose nuk arrin fare”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button