“Brexit” zhvlerëson paundin britanik

Pasiguritë në lidhje me të ardhmen e Britanisë së Madhe brenda Bashkimit Europian po japin efektet e para negative tek monedha vendase, njofton TCH.

Paundi britanik u kuotua në nivelet më të ulta karshi dollarit amerikan në shtatë vitet e fundit. Monedha britanike ka humbur terren në 2.4 përqind, duke u këmbyer me 1.4058 dollarë, kuota më e ulët që prej marsit të 2009-s.

Këtij zhvlerësimi i dha një dorë të mirë edhe vendimi i kryebashkiakut të Londrës, Boris Johnson, i cili u është bashkuar zërave që shkëputjen e Britanisë nga Brukseli.

Kjo është rënia e radhës në vazhdën e pikiatës së paundit përballë dollarit amerikan. Këtë vit, monedha britanike ka humbur 4 pikë përballë asaj amerikane dhe parashikimet janë që ky zhvlerësim të vazhdojë deri në mbajtjen e referendumit.

“Dobësimi duket se reflekton rritjen e mundësive për të ndodhur ajo që është quajtur ‘Brexit’. Reagimi politik me marrëveshjen me vendet anëtare të Bashkimit Europian ka qenë më shumë përçarës sesa kryeministri Kameron shpresonte”, thotë analisti Sam Hill.

Kameron në përpjekjen e tij për të mbajtur vendin brenda BE-së ka marrë mbështetjen e parë nga sipërmarrësit. Thuajse gjysma e drejtuesve të 100 kompanive më të mëdha të Britanisë së Madhe kanë firmosur një letër mbështetëse për të.

Në letrën që pritet të publikohet shumë shpejt, ata do të argumentojnë se, Britania është më e fuqishme, më e sigurtë dhe në pozita më të mira, nëse mbetet brenda një blloku të reformuar.

Përkrahja e biznesit i jep një frymë lehtësimi Kameronit përballë refuzimit të Boris Johnson, të cilit i ishte ofruar një post i lartë në kabinetin e kreut të ekzekutivit, nëse do të qëndronte besnik, por tani duket se do të kthehet në figurën kyçe të fushatës anti-BE, e cila nëse rezulton e suksesshme, mund të rrëzojë kryeministrin.

Kreu i Bashkisë së Londrës iu bashkua me këtë lëvizje të tij 6 ministrave të kabinetit, mes të cilëve edhe miku i Cameronit, Michael Gove, të cilët janë rreshtuar në kampin “Jashtë BE-së”, e ka spekulime se numri i ligjvënësve konservatorë, që kundërshtojnë shefin e qeverisë, mund të mbërrijë në 150, në një kohë kur kjo parti ka 330 vende në Parlament.

Në qershor të vitit të ardhshëm, britanikët pritet të vendosin në një referendum nëse do të qëndrojnë apo do të dalin nga BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button