Kosova dhe Maqedonia, marrëveshje bashkëpunimi për integrim në BE

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë kanë thelluar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar sot në Prishtinë, ndërmjet ministrit të Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollakut dhe zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, njëherësh ministrit për Çështje Evropiane, Fatmir Besimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja e Bashkëpunimit për çështje të integrimit në BE, parasheh bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, në disa fusha të rëndësishme që lidhen me integrimin evropian.

“Shkëmbimi i përvojave, informatave e publikimeve të ndryshme në mes të dyja vendeve nëpërmjet kësaj marrëveshje përveçse përshpejton rrugën integruese për të dyja palët njëkohësisht përforcon edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy vendeve tona”, deklaroi ministri Çollaku pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshjen e arritur e konsideroj si shumë të rëndësishme edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Fatmir Besimi.

“Shkëmbimi i përvojave në fushën e eurointegrimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët tanë të cilët në mënyrë të qëndrueshme i japin përkrahje këtij procesi, duke e bërë rajonin tonë më të fortë”, deklaroi Besimi.

“Zyrtarët e dy shteteve bënë të ditur se, kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin e të dy Qeverive në fushën e harmonizimit të legjislacionit vendor me legjislacionin e BE-së dhe zbatimin e këtij legjislacioni, ngritjen e institucioneve dhe kapaciteteve administrative të nevojshme në procesin e integrimit, përkthimin e legjislacionit të BE-së, koordinimin e asistencës së huaj, veçanërisht maksimizimin e efekteve të përdorimit të instrumenteve financiare të BE-së, si dhe strategjinë e komunikimit të procesit të integrimit evropian me publikun e gjerë”, thuhet në njoftimin e MIE të Kosovës.

Marrëveshja do të vlejë për një kohë të pacaktuar, gjegjësisht deri në integrimin e të dy shteteve në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button