Tmerri dhe vuajtjet e pafundme të kalvarit të refugjatëve në “rrugën bullgare”

Emigrantët nga Lindja e Mesme të cilët kalojnë përmes Serbisë duke zgjedhur rrugë alternative përmes kufirit bullgaro-serb, nga e hëna nuk do të mund të përdorin këto kalimet kufitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Të gjitha kalimet përveç atyre në kufirin greko-maqedonas do të jenë të paligjshme, si dhe emigrantët që tentojnë të hynë në Serbi nga ndonjë kalim tjetër, do të kthehen prapa, tha ushtruesi i detyrës të Drejtorit të Policisë së Serbisë, Vladimir Rebiç dhe Shefi i Policisë Kufitare të Serbisë, Milenko Bozhoviç.

Midis 50 dhe 100 refugjatë çdo ditë kanë kaluar përmes Qendrës së Regjistrimit në Dimitrovgrad në kufirin lindor të Serbisë dhe Bullgarisë, që paraqet rreth nëntë përqind të numrit të përgjithshëm të emigrantëve që kalojnë nëpër Serbi. Shpesh ata zgjedhin të shkojë në këmbë përmes Turqisë dhe Bullgarisë nga frika e detit dhe përdorimi i varkave, por edhe kursejnë para, sepse rruga nëpër Bullgari është e lirë.

E ashtuquajtura “rruga bullgare” është shumë më e vështirë dhe më e rrezikshme nga të tjerat, kryesisht për shkak të policisë brutale bullgare, por edhe për shkak të Stara Planina (Malit të Vjetër), që përbën kufirin midis Serbisë dhe Bullgarisë të cilën emigrantët e kalojnë në këmbë nga 20-40 kilometra, dhe pikërisht në këtë rrugë kohët e fundit humbën jetën dy persona për shkak të ftohtit.

Siç thanë për Anadolu Agency (AA) vullnetarët nga kampi, emigrantët që vijnë në qendrën e pranimit në Dimitrovgrad, kryesisht janë në gjendje shumë të keqe.

“Tek ata, janë të dukshme pasojat e ecjes së gjatë nëpër mal, siç përdredhjet, rrobat e grisura, ftohjet. Të shpeshta janë edhe simptomat si mavijosje, kafshime nga qentë, të ngrira. Për një javë sa jam këtu, kam patur rastin të shoh shumë raste të tilla dhe kamë dëgjuar edhe nga kolegët tjerë, se vërtet këtyre njerëzve këto gjëra u ndodhin shpesh”, tha vullnetarja Ebru Avci.

Ajo shtoi se disa rrugë çojnë përmes lumit dhe ka ndodhur shpesh që njerëzit të vinë plotësisht të lagur.

29 vjeçari Homam A. nga Siria u largua nga shtëpia e tij dy muaj më parë për shkak të luftës dhe kushteve të vështira të jetës, kurse rrugën mori me gruan dhe fëmijën e tij.

“Nuk kishim ujë, ushqim, nuk kishim as energji elektrike, kurse jashtë ishte shumë ftohtë. Kemi një fëmijë të vogël dhe kemi vendosur të vazhdojmë. Fillimisht arritëm në një fshat turk, pastaj në Stamboll, nga ku u nisëm për në Bullgari, ku u ballafaquam me problemet më të mëdha”, tha Homam A.

Siç tregon Homam, kur ata mbërritën në Bullgari, u bashkua me grupin e refugjatëve që kishin takuar atje. Pastaj kishin ardhur ushtarët bullgarë dhe kishin filluar ti rrahin.

“I rrahën të gjithë, pleq, të rinj, gratë. Ata u përpoqën për të më rrëmbyer fëminë, por nuk i lejova. Më pas të gjithëve na dërguan në burg. Mi morën paratë, 2000 euro. Gjysmën e parave i shpenzova për ushtarët dhe policët, si dhe më ka ngelur diçka për të blerë për ne. Edhe pse jam musliman dhe nuk e ha mishin e derrit, u detyrova të blej pikërisht këtë mish pasi nuk kisha zgjidhje tjetër”, thotë Homam A.

Sipas tij, por edhe refugjatëve të tjerë, këtij grupi policia bullgare iu kishte marrë çdo gjë, duke filluar nga paratë, kartat e identitetit, pasaportat, deri tek celularët dhe çantat.

Pasi u liruan nga burgu, Hamam dhe familja e tij erdhën në Sofje, ku takuan një libanez që kishte dokumente dhe iu lutën që familjet e tyre përmes tij ti dërgojnë para. Pasi që ai i ndihmoi  ata u nisën për në Serbi me makinë.

“Shoferi voziste drejt kufirit dhe diku në gjysmë të rrugës na nxorri jashtë dhe tha se nuk mund të vazhdonte. Nga aty vazhduam në këmbë. Rruga përmes maleve ishte tmerrësisht e vështirë, madje edhe me makinë. Kemi ecur edhe dy orë deri në kufirin e Serbisë. Aty një polic serb thirri një taksi për të na dërguar në qendrën për pranim në Dimitrovgrad, e cila është katër kilometra larg nga kufiri. Taksisti na mori 40 euro për person, pra 200 euro për katër persona për katër kilometra”, tha Homam para se të hynë në autobus së bashku me 40 të tjerë, prej të cilëve tetë fëmijë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button