Haradinaj: Vendi drejt zgjedhjeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fillim të muajit mars.

Në një intervistë për “Top Channel”, Haradinaj shprehet i bindur se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi nuk do të zgjedhet president dhe si pasojë do të ketë zgjedhje të reja. “Nuk besoj që do të zgjedhet, nuk besoj. Nuk e shoh këtë situatë të mundur. Mendoj se ne, më 7 mars do të shkojmë automatikisht në zgjedhje”, ka deklaruar Haradinaj.

Për këtë arsye, Haradinaj e dorëzoi të premten edhe mandatin e deputetit të AAK-së. “Në fakt, unë mendoj se ky Parlament ka vetëm edhe një punë për të kryer, ajo për të shpërndarë veten. Pra, edhe largimi im nga Parlamenti e dha këtë porosi. Duhet ta shpërndajmë Parlamentin dhe duhet të shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e ashpër të ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili i quajti të neveritshme veprimet e liderëve të tri subjekteve opozitare në seancën e Kuvendit.

“Lutja ime për të gjithë është që të mos shohin vetëm metodat e opozitës, por edhe argumentet e saj. Të shohim edhe pakënaqësinë qytetare në vend. Të mos harrojmë se unë i kam ftuar në protestë ambasadorët. Sa herë që kemi pasur takime u kam thënë të gjithëve se, jeni të ftuar të vini në protestë. Ashtu siç shkoni të shihni qeverinë, të takoni ndonjë zyrtar apo ministër, ejani edhe në protestë”, ka thënë Haradinaj.

Edhe pse është larguar nga beteja opozitare brenda Kuvendit të Kosovës, Haradinaj shton se do të vazhdojë kundërshtimet opozitare bashkë me dy subjektet e tjera, Vetëvendosje dhe Nisma, me të cilat ai e pranon se ka shumë dallime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button