Me diplomë, por pa punë rreth 1 mijë magjistra dhe mbi 30 doktor shkencash

Pajtim Islami me diplomë të juristit punon kamarier në një lokal të Gostivarit. Ai për gjashtë vjet bën këtë punë për të mbijetuar, edhe pse ka diplomën dhe vazhdimisht kërkon punë profesionale. 24 vjeçari thotë nga dhjetëra aplikime që ka bërë, nuk ka marrë asnjë përgjigje pozitive. E ky fat e ka sjellë atë në një situatë që të mos përjashtojë mundësinë për të ikur jashtë vendit, raporton televizioni 21.

“Nuk mendoj ta vazhdoj këtë punë edhe gjatë, ka gjashtë vite që punoj si kamerier, është një kohë shumë e vështirë, me të ardhurat dhe këto gjëra mund të na largojnë nga vendlindja jonë, të ikim në perëndim si gjithë rinia që janë duke shkuar shkaku i papunësisë së madhe”, u shpreh Pajtim Islami, jurist i diplomuar.

Sikur Pajtimi janë edhe mbi 15 mijë të papunë me arsimim të lartë. Kjo e dhënë është nga Enti Shtetëror i Statistikave rreth shkallës së papunësisë gjatë 2015. Ndërkohë, sipas të dhënave të entit, të papunë janë edhe rreth 30  doktor shkencash dhe rreth 960 magjistra.

Robert Veliçkovski është doktor i shkencave në drejtimin e shëndetit publik që sapo ka mbrojtur këtë titull shkencor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Ai është optimist se do të arrijë të merret me shkencë në një institucion profesional, pas investimit që ka bërë për të arritur deri tek titulli më i lartë shkencor.

“Është vështirë të thuhet nëse investimi i bërë mund të kthehet me punë, megjithatë unë jam i bindur dhe dua të besoj që ajo mund të realizohet. Besoj që Maqedonia mund të ofrojë ende shumë, në aspektin e vendeve të punës, dhe mendoj që çdo kush ka vend nën këtë diell”, tha Robert Veliçkovski, Doktor i Shkencave për Shëndet publik.

Nga Agjencia për Punësim theksojnë se në periudha të caktuara ka hapje të vendeve të reja të punës dhe të diplomuarit mund të aplikojnë për punësim. Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Punësim Ilham Ismani thekson se numrat që kanë ata nuk përputhen me numrat që jepen nga Enti Shtetëror i Statistikave, për shkak se shumë persona refuzojnë të shkojnë në Agjencinë për punësim dhe të lajmërohen si punëkërkues aktiv.  Sipas tij, përmes masave qeveritare nga viti 2007 deri në vitin 2015 janë punësuar 42 mijë veta.

“Paraqitja e personave që kërkojnë punë ka një dukuri të rritjes, për shkak të masave aktive që i menaxhon agjencinë për punësim. Këto masa që kanë të bëjnë me rritjen e punësimeve në Maqedoni, që është një projekt i Qeverisë, të cilin e menaxhon agjencinë për punësim. Nëpërmjet këtyre masave aktive trajtomë më shumë tema, të cilat u ndihmojnë qytetarëve që në masë të madhe bëjnë vetëpunësime”, tha Ilham Ismani, Zv/drejtor i Agjencisë për Punësim.

Sipas Agjencisë për Punësim, numri më i madh i të papunëve nga fundi i vitit të kaluar janë të moshës prej 25 deri 28 vjet, edhe ate mbi 14 mijë veta. Nëse shikohet profili i arsimimit të të papunëve, kryesisht atyre me magjistratura dhe doktoratura, më shumë janë ata që kanë kryer shkencat e filozofisë, ekonomisë, shkencave politike, juridik dhe vijojnë drejtimet e tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button