“Milingona e artë”, bëhen publike çmimet e nderit

Një javë para mbrëmjes gala të arritjeve shqiptare “Milingona e Artë” 2015, organizatorët bëjnë të ditur katër çmimet e nderit që nuk janë pjesë e nominimeve.

Do të ndahen dy çmime karriere:

Remzi Nesimi, profesor dhe studiues i gjuhës shqipe, njëri nga figurat kryesore të mendimit shkencor dhe intelektual të shqiptarëve të Maqedonisë e më gjerë. Kontributi i tij është në fushën e gjuhësisë shqiptare është historik, me botimet dhe librat e tij janë shkolluar breza të tërë. Për punën e tij të palodhshme për dekada të tëra është fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve. Ai e konsideron gjuhën si pjesën më të rëndësishme identitare dhe i kushton gjithë jetën studimit dhe zhvillimit të saj.

Grupi Telex, i përbërë nga djemtë shkupian, në vitet ’80 krijojnë muzikë e cila është pjesë e rëndësishme e mbamendjes tonë kolektive. Impakti i tyre ishte dhe është aq i madh sa breza të tërë muzikantësh i janë referuar dhe i kanë ndjekur. Konsiderohen si pionierët e rokut shqiptar dhe tejet unik me krijimet e tyre.
Zllatko Origjanski, kompozitor dhe muzikant, merr çmimin për afirmimin e arritjeve dhe kulturën shqiptare. Gjatë viteve, në bashkëpunime dhe komunikime të ndryshme, ka afirmuar me një mbështetje të konsiderueshme vlerat dhe arritjet shqiptare. I njohur në Maqedoni dhe në botë, ku spikatet muzika e filmit “Before the rain”, Origjanski si një artist i respektuar, ka mbështetur bashkëpunime dhe ndërtimin e urave të ndërsjella me artit dhe krijimtarisë.

Fondacionit “Peshku i artë” këtë vit i ndahet mirënjohje për humanizëm.
Aktivistë të këtij fondacioni po ndërmarrin një nga nismat më humane e prekëse në shoqërinë tonë duke i plotësuar dëshirat e fëmijëve me sëmundje të rënda. Aq i madh është impakti i një dëshire sa që nxit shpresën për jetë te fëmijët edhe atëherë kur duket e pamundur. Buzëqeshja dhe gëzimi në sytë e fëmijëve të sëmurë s’ka asnjë çmim dhe këtë përpiqen ta bëjnë vetëm pak veta me punën e tyre human.

Milingona e artë me aktivitetin e saj prej dy vjetësh mbështet dhe një kauzë, kjo është e këtij viti:

“Asnjë fushë dhe asnjë veprimtari nuk prek dhe nuk hap dimensione të reja si brenda nesh, si mes nesh, si dhe mes nesh dhe të tjerëve, se sa arti. Prandaj këtë vit kauza jonë ka të bëjë me artin dhe dëshirën tonë që të krijohet sa më shumë mundësi për zhvillim, sa më shumë mundësi për publikun, sa më shumë mundësi për krijimtari”.
Viti 2015 filloi me “shpirt shqiptari” kur tingujt e violinës së Shkëzen Dolit përshkruan globin, mbështetës i kauzës këtë vit është pikërisht Shkëlzen Doli. Ai është personaliteti i dytë me këtë mision pas Adi Krastës, vitin që shkoi, i cili mbështeste kauzën për mendimin e lirë.

Çmimet e nderit pritet që të sjellin një emocion gjatë mbrëmjes gala kurse organizatorët thonë se përgatitjet janë nga fundi ku pas përfundimit të votimit nga publiku, tani do të votojë dhe juria profesionale.
Këtë vit do të ketë risi në skenar dhe prezantim. Skenari dhe regjia është e Suleman Rushitit kurse mbrëmjen do ta drejtojnë Genci Mirzo, Jehona Shaqiri dhe Mali Krifca.

Ceremonia më prestigjioze e shqiptarëve të Maqedonisë që nderon me dinjitet gjithë ata që gjatë vitit japin mund të konsiderueshëm për zhvillimin shoqëror shqiptar, do të zhvillohet më 28 Shkurt, kurse do të transmetohet në televizionin Alsat M, më 1 Mars në ora 22.30.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button