Tri Prokurore (gra) Speciale i japin Maqedonisë shpresë

Viti i kaluar nuk ishte prej më të mirëve për Maqedoninë. Një krizë politike e kaploi vendin, një krizë aq e thellë që u nevojit ndërhyrja e jashtme e Bashkimit Evropian. Një prej zgjidhjeve të ndërmjetësuara nga BE për këtë krizë ishte krijimi i një ekipi të ri të prokurimit për t’i hetuar akuzat e keqbërjeve dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Krijimi i ekipit i dha qytetarëve të Maqedonisë një copë shpresë. Megjithatë, zgjedhja e shpejtë e prokurores kryesore dhe miratimi universal i zgjedhjes së saj, edhe nga ish-Kryeministri Nikola Gruevski, krijoi dyshime në mesin e publikut maqedon, për atë se ndoshta asgjë nuk do të ndryshojë. Deri sa koha kalonte, dyshimet vetëm rriteshin.

Deri të premtën e kaluar (12 shkurt), kur tri prokurore nga zyra speciale e prokurorisë, Katica Janeva, FAtime Fetai dhe Lence Risteska, mbajtën konferencë për shtyp. Para shtypit të vendit, ato lajmëruan rezultatet e para të hetimit në të cilin kishin punuar me kolegët e tyre në muajt e fundit.

Lajmet ishin shumë dëmtuese për partinë udhëheqëse, por i dha disa maqedonëve gjallërinë që e kishin kërkuar qe sa kohë. Dy ish-ministra dhe zyrtarë tjerë nga partia qeverisëse VMRO-DPMNE janë ndër të dyshuarit kryesor në hetimin e skandalit të supozuar zgjedhor në 2013. Ekipi gjithashtu lajmëroi se ishte vetëm fillimi, dhe se shumë raste tjera po hetohen.

Reagimi publik ndaj konferencës për shtyp dhe fjalimeve të tri prokurorëve ishte sensacional. Tri gratë u bënë yje mediale menjëherë, veçanërisht dy prokuroret e reja, relativisht të panjohura, Risteska dhe Fetai. Në një mjedis medial që ka qenë gati ekskluzivisht i mbushur me përmbajtje pro-qeveritare dhe hollësi për superfuqitë e Kryeministrit shumë punëtor të vendit, tani janë tri fytyra të reja që po premtojnë ta kthejnë drejtësinë në Maqedoni.

Konferenca për shtyp ishte e organizuar në mënyrë të përkryer; cinikët ndoshta mund ta shpallin evenimenti i vitit sa i përket marrëdhënieve me publikun. Tri gra të vendosura dhe të patrembura, njëra prej tyre shqiptare, u ngritën dhe lajmëruan për përgjegjësi të mundshme kriminale të anëtarëve të partisë politike që e ka dominuar politikën maqedonase për një dekadë. Emri i rastit të parë u quajt ‘Titanic’. Nuk duhet shumë mund për të lexuar në mes të rreshtave mesazhin e dërguar ndaj Gruevskit dhe aleatëve të tij të afërt: Anija po fundoset. Kjo ishte më parë e paimagjinueshme në një vend ku vetëm para rreth një viti, njerëzit kishin frikë ta kritikonin me zë qeverinë në kafene. Shumë ende kanë frikë.

Marrëdhënie shumë të mira me publikun, apo më shumë?

Ylli më i madh i lajmeve është Fatime Fetai. Pasi Janeva lajmëroi emrin e rastit të parë, ajo i la hollësitë e rastit për t’u treguar nga kolegja e saj Fetai. Fjalimi i saj ishte i përsorur dhe i guximshëm, ndoshta edhe pak mangupski. Ishte dërgim i mesazhit që ne në Maqedoni e quajmë ‘prkos’. Përkthimi më i afërt në shqip do të ishte ‘mosbindje’, por nuk mendoj se është mjaftueshëm i afërt. Prkos është ajo që e ka ndihmuar popullin maqedon që t’i kalojë disa prej periudhave më të vështira në histori, por në vitin e kaluar, pasi përfundoi protesta e studentëve, u duk sikur harruam për të. Për vetëm 10 minuta, Fekai e kthei prkos-in e shumëpritur nga publiku. Edhe kundër aparatit të madh, të fuqishëm, të vështirë dhe të pandashëm të shtypjes, të ndërtuar nga udhëheqja e Gruevskit në dekadën e fundit, ajo e prezantoi një mesazh të guximshëm: Të gjithë që kanë kryer krim, do të dënohen. Drejtësia do të fitojë.

Pas fjalimit të Fetai, në skenë erdhi Lence Ristoska, nënpunëse e shtypit për prokurorinë publike. Ajo iu përgjigj disa pyetjeve nga skena dhe kohë pas kohe e gjente vetën në debat, veçanërisht me një propagandist nevrik pro-qeveritar, i cili kishte ardhur me një mision për të argumentuar për konferencën e shtypit, e jo për të shtruar pyetje. Gatishmëria, profesionalizmi dhe ndershmëria që i rrezatonin ajo me koleget e saja ishte diçka që populli në Maqedoni nuk kishte parë për një kohë të gjatë.

Disa minuta pas konferencës për shtyp, reagimi publik shpërthei me lëvdata për dy prokurorët. Tëitter dhe Facebook u ndezën. Tri gra po quheshin heroina, të guximshme, të bukura; populli donte t’i qaroste me darkë, e disa ofruan propozime për martesë. Tifo grupe të ndryshme për Lencen dhe Fatimen u hapën në Facebook, dhe secila i ka mbi 15,000 përlqyes deri më tani. Shumë karikatura i ilustruan ato si Super Girls, dhe dizajneri i ri Aleksandar ilievski e pikturoi Fatimen si super-heroinë.

Në gjithë këtë ngazëllim, shumë njerëz, menjëherë dhe pa menduar shumë, e theksuan faktin se të trija anëtaret e ekipit të prokurorisë në konferencë për shtyp ishin gra. Se ishin shumë më të guximshme se burrat e Maqedonisë, dhe se kjo luftë mund të fitohet vetëm prej grave…

Menjëherë pati reagime prej disa individëve, që jepnin mësime për atë se sa budallaki është të gëzohemi që prokuroret janë gra. Se si nuk duhet vazhdimisht ta theksojmë se janë gra, ose që njëra prej tyre është shqiptare, dhe se kjo nuk duhet të ketë rëndësi. Nuk duhet të ketë rëndësi, dhe shpresoj që vendi im e sheh një ditë kur të mos ketë. Por tani ka tepër rëndësi!

Mesazh i shpresës dhe mosbindjes

Dhe më në fund vijmë te frymëzimi im për këtë artikull, ku dua të them pse mendoj që është shumë me rëndësi t’i njohim këto tri heroina të reja në Maqedoni. Edhe nëse vetëm për një çast, edhe nëse na dëshpërojnë në të ardhmën si institucionet tjera para tyre.

Në një moment të irritimit, komentova në Facebook duke thënë se ata që nuk ua ndinë fare nëse prokuroret e guxihmshe janë gra, apo gra shqiptare, me gjasë jetojnë në Suedi, dhe jo në Maqedoninë e sotme. Në nevojën e tyre për ta theksuar vetën si feminist, shumë progresiv dhe “mbi të gjitha”, këtyre cinikëve në fakt iu ikë krejtësisht vrulli feminist, dhe ata demonstrojnë injorancë totale për kontekstin maqedon, dhe realitetin në të cilin jetojmë. Ose këta njerëz me të vërtetë jetojnë në Suedi!

Për dhjetë vite, ky regjim është ndërtuar në disa gjëra: korrupsion, frikë, klientelizëm, por edhe në kufizimin e të drejtave të grave dhe promovimin e machoizmit, shovinizmit, homofobisë, dhe anti-feminizmit. Qeveria e ka ndryshuar krejtësisht fytyrën e kryeqytetit, duke ngritur monumente të larta të gati krejt figurave historike mashkullore, dhe me ndonjë të grave aty këtu; Nëna Terezë, Mirtali shtatëzënë – nëna e Aleksandrit të Madh. Mashkullorësia, agresioni, pushkat dhe thikat janë kudo që të shkosh në qendër të qytetit, duke festuar kombin e madh antik, burrat e të cilit gati e pushtuan botën.

Qeveria shpërndajnë reklama të sponsoruara që i nxitin gratë që t’i lindin tri ose më shumë fëmijë, duke i trajtuar si inkubatorë që ecin, dhe duke i bërë që të ndihen fajtore po të mos bëjnë fëmijë. Kjo propagandë bëri krahasime të tmerrshme me gjeneratat e kaluara në të cilat gratë kishin më shumë fëmijë, dhe e portretizuan gruan e sotme si egoiste dhe shumë ambicioze. Pa menduar se si mund të ndihen gratë ose çiftet që mund të mos kenë mundësi të kenë fëmijë, këto reklama vazhdimisht transmetohen në kanale televizive të sponsoruara nga shteti.

Madje edhe një politikë u miratua për t’i paguar gratë që e bëjnë fëmiun e tretë, por këto pagesa shpeshherë vinin me vonesë. Ligjet e abortimit u ndryshuan për ta bërë më të vështirë që një grua të abortojë. Lista e politikave kundër grave është e pafund.

Diskriminimi gjithashtu u aplikua për këdo që ishte ndryshe nga ideali maqedon. Komuniteti LGBT ishte cak i lehtë për propagandë qeveritare, që disi gjithmonë e ka lidhur me ndikim i huaj negativ, që ishte në mision për ta prishur Maqedoninë dhe vlerat e tyre tradicionale, ‘normale’ dhe patriarkale. Homofobia dhe shovinizmi ishin, dhe ende janë, të promovuara, të nxitura dhe ndonjëherë edhe të sponsoruara nga shteti.

Paragjykimi drejt shqiptarëve dhe minoriteteve tjera ishte gjithashtu tepër i shfrytëzuar dhe manipuluar nga regjimi, për t’i mbajtur maqedonët dhe shqiptarët të ndarë me çdo kusht. Partitë shqiptare e bënë të njejtën gjë për maqedonët normalisht. Marrëdhëniet e mira në mes të etnive dhe suksesi i multikulturalizmit do të sjellte fundin e regjimit. Mund të mbijetojë vetëm nëse vazhdojmë të jemi të ndarë!

Sipas një raporti nga një organ i ekspertëve në Shkup, Reactor: Research in Action (Reaguesi: Hulumtime në Veprim), boshllëqe të mëdha gjinore ekzistojnë në proceset e vendimmarrjes në vend. Gratë, veçanërisht gratë nga minoritetet etnike, janë të nënpërfaqësuara në pozita të larta politike, vetëm tri anëtare gra duke qenë aktualisht në qeveri. Për më tepër, prej 123 deputetëve në tërësi, vetëm 42 janë gra dhe nga 84 kryetarët e komunave të Maqedonisë, vetëm katër janë gra. Politika është ende botë e burrave në këtë vend, ku shumë prej vendimeve më të rëndësishme merren ende ekskluzivisht prej burrave. Raporti gjithashtu identifikon model të fuqishëm të dobësimit të statusit të grave në ekonominë maqedone gjatë dekadës së fundit.

Statistikat nga Ministria e Brendshme zbulojnë se numri i grave që janë viktima të dhunës në familje është tmerrues, dhe se më shumë gra e vajza po bëhen caqe të dhunës fizike çdo vit.

Në këtë kontekst, gjinia e tri prokuroreve është e rëndësishme. Tri prokurore gra që po lansojnë luftën feministe kundër regjimit shovinist, dhe po e sjellin drejtësinë përsëri në Maqedoni. Është jetike që të theksohet fakti që janë gra, sepse gratë në këtë vend ende kanë shumë më shumë pengesa se burrat në jetët e tyre, politike, profesionale, kulturore dhe të përditshme. Pavarësisht kësaj, ato kanë sukses dhe vazhdojnë të luftojnë, dhe kjo është e rëndësishme që të njihet.

Etnia e tyre është gjithashtu e rëndësishme. Pavarësisht të gjitha ndarjeve në mes të maqedonëve dhe shqiptarëve që janë promovuar qe 25 vjet nga politikanët, është Fatime Fetai, një shqiptare, ajo që është heroinë për mijëra maqedonë, dhe është Lence Risteska, një maqedone, që është heroinë për mijëra shqiptarë.

Njerëzit thonë se nëse je skeptik në Ballkan, kurrë nuk do ta kesh gabim. Ndoshta skeptikët mund ta kenë mirë, ndoshta konferenca e parë e shypit nga ekipi special prokurorial është thejshtë rezultat i marrëdhënieve të mira me publkun.Prokuroret janë vetëm prokurore, e jo gjykata e gjykatëse, dhe nuk duhet të jenë asnjëherë. Por për tani, e kemi mesazhin e shpresës dhe mosbindjes, që ato e dërguan për qytetarët e Maqedonisë; që Justitia, perëndesha romake e Drejtësisë, do të fitojë kundër regjimit shovenist në Maqedoni.

Shkruar për KOSOVO 2.0

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button