Mustafa: Trepça është dhe mbetet e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në shënimin e 27-vjetorit të grevës së minatorëve të Trepçës, ku foli se në cilën pikë do të bëheshin bashkë me opozitën, dhe ajo pikë është Trepça.

Para qindra të pranishmëve në këtë ngjarje të veçantë, kryeministri Isa Mustafa, sipas komunikatës së Kryeministrisë, ka garantuar minatorët e pranishëm se Trepça është dhe do të mbetet e Kosovës, se ajo s’do të jetë objekt i asnjë diskutimi dhe se gjatë këtij viti do të përfundohet Ligji për Trepçën, Strategjia për Trepçën të cilat do të sigurojnë perspektivë për Trepçën, transmeton Koha.net.

“Ju garantoj që Trepça është e Kosovës, do të mbetet e Kosovës, s’do të jetë objekt i asnjë diskutimi për të, se Trepça është e juaja, e minatorëve dhe ju minatorët jeni të Kosovës. Dhe po ashtu, ju siguroj se gjatë këtij viti, ashtu siç jemi marrë vesh me drejtorin e juaj, profesor Tmavën, me sindikatën e juaj dhe me përfaqësuesit tuaj, ne do ta përfundojmë Ligjin për Trepçën, do ta përfundojmë Strategjinë për Trepçën dhe do ta sigurojmë perspektivën e Trepçës. Këtë ju garantoj, kjo është punë që do të përfundojë, do ta përshpejtojmë sa më shumë”, ka thënë Mustafa.

Ai më pas ka thënë se e kanë përkrahjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke shpresuar që do ta kenë përkrahjen edhe të deputetëve të opozitës, sepse Trepça, sipas tij, nuk është ajo që duhet të i ndajë, por duhet të janë të gjithë bashkë pozitë dhe opozitë.

“Kemi çështje për të cilat ne kemi nevojë të jemi bashkë por ka çështje në të cilat mund të kemi edhe mendime edhe divergjenca, sepse ato e krijojnë demokracinë”, tha kryeministri Mustafa, duke përshëndetur minatorët e të gjitha gjeneratave, të cilët edhe sot po punojnë dhe po japin vizionin dhe propozimet e tyre për mënyrën më të mirë se si të zgjidhet çështja e Trepçës.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se zgjidhja nuk është e vetëm një pale, por se do të jetë e minatorëve, e ekspertëve të Trepçës, e njerëzve që kanë punuar në Trepçë dhe se Qeveria do ta respektojë atë deri në pikën e fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button