fbpx

Ku mbeti Analiza për Marrëveshjen e Ohrit?

Zëvendës kryeministri Musa Xhaferi nuk jep përgjigje se ku mbeti Analiza për Marrëveshjen e Ohrit të cilën kohë më parë në disa raste e paralajmëroi se do ta publikojë në fund të vitit të kaluar, raporton Portalb.

Redaksia jonë tentoi sot ta marrë për deklaratë zv/kryeministrin, por ky i fundit u arsyetua se nuk është i lirë dhe kërkoi që ta marrin pasi të lirohet.

“Më thirr për një ore, do të jap deklaratë”, u përgjigj shkurt në telefonatën tonë, për të mos u përgjigjur në telefonatat tona të radhës. Edhe pse, pyetja jonë ishte konkrete, “deri ku është Analiza për Marrëveshjen e Ohrit dhe pse u thyen datat e paralajmëruara?”

Për publikimin eventual të një analize thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi ka ndryshuar disa data. Ai fillimisht e premtoi këtë analizë më 13 gusht (LEXO: Xhaferi: Analiza për MO-në do publikohet më 13 gusht ) më pas në nëntor, ndërsa në një takim me ambasadoren e OSBE-së Nina Suomalajnen dhe përfaqësuesin nga Instituti evropian për paqe,- Piter Fejt, Xhaferi tha se kjo do të ndodhë në konferencë ndërkombëtare në dhjetor (të vitit 2015) ku do të prezantohen të gjitha rezultatet.

Gjatë kësaj periudhe Xhaferi ka përsëritur se edhe pse Marrëveshja e Ohrit është integruar plotësisht në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, ajo nuk po gjen zbatimin në praktikë për shkak të mungesës së vullnetit politik ndërsa porosit të tjerët që ankohen të japin zgjidhje.

(10 nëntor 205) Xhaferi gjithashtu pat thënë se përgjegjësia për moszbatimin e analizës së MO-së është kolektive, gjegjësisht e Qeverisë.

Me nisjen e bisedimeve të grupeve punuese në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinos në tavolinë u vendos edhe çështja e kësaj analize. Sekretari shtetëror Ejup Alimi pat thënë se po punohet në përpilimin e Raportit final për Marrëveshjen e Ohrit.

(18 nëntor 2015) “Sot përfundojmë diskutimet në tryezë të rrumbullakët që u bë me ekspertë të ndryshëm. Është prezantuar një material voluminoz nga grupet punuese dhe kanë qenë të hapura me ekspertë të ndryshëm, profesor dhe organizata joqeveritare, të mbështetura nga faktori ndërkombëtarë. Sot përmbyllëm temën për decentralizim. Materiali do të përmblidhet dhe do të shqyrtohet në një konferencë ndërkombëtare”, pat thënë Alimi.

Dhe, pas kësaj, opinioni më nuk kishte dëgjuar nga goja e politikanëve përgjegjës për këtë çështje se cilat janë përfundimet nga këto diskutime dhe kur do të publikohet Analiza e premtuar nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button