Paralajmërim skandali: Çfarë çmimi mori Nevzat Bejta në Vjenë?

Të premten në mbrëmjë, duke lexuar lajmet n? internet më bëri përshtypje titulli “Bejta drejt Vjenës, merr çmim për praktikat më të mira”. Dy ditë më pas, të dielën, po të njejtin lajm e përcjell edhe TV ALSAT-M. Si rregull, çdo arritje dhe sukses është ngjarje pozitive, por kur lexon brendinë e lajmit, intuita dhe kujtesa të thotë se këtu diçka nuk është në rregull. Në tekst në ‘Zhurnal’ thuhet se, citoj: “Bejta do të marrë çmimin që do t’i ndahet Komunës së Gostivarit nga Shoqata Evropiane për Kërkime Cilësore (ESQR), për praktika më të mira në vitin 2013. Ceremonia e prezantimit të Çmimit Evropian për Praktikat më të Mira 2013, do të mbahet të dielën me datë 8 dhjetor te ish pallati për mysafirët e perandorit austriak në Vjenë të Austrisë.”

‘Vjena!’… ‘çmim evropian!’ … ‘ish pallati për mysafirët e perandorit austriak!” … “Shoqata Evropiane për Kërkime Cilësore!” … tingëllon madhështore apo jo? … por ‘jo çdo gjë që shkëlqen është flori’, thotë një fjalë dhe nganjëherë, kur e mendon më thellë, vet përmendja e fjalëve të mëdha që mund të magjepsin lexuesin e thjeshtë, nxit dyshime.

Gjëja e parë që bëra ishte kërkimi në ‘google’ për shoqatën në fjalë ‘European Society for Quality Research (ESQR)’ dhe që në fillim zhgënjimi ishte evident. Përveç në webfaqen e saj, dhe në faqet e vet fituesve ku ata përmendin çmimet e marra nga ESQR, shoqata ESQR nuk përmendet askund në gjithë internetin e pafund. Kjo shoqatë nuk ekziston në asnjë aktivitet të zhvilluar dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë zhvillim tjetër çfarëdo qoftë ai.

Pastaj hyra në webfaqen e shoqatës në fjalë http://www.esqr.org/ për të marrë më shumë informacion për të dhe sa më thellë futesh aq më të qarta bëhen gjërat. Në këtë webfaqe nuk ka asnjë të dhënë konkrete për shoqatën, as kur është themeluar ajo, as cilat janë strukturat e saj, as cilët njerëz e përfaqësojnë, nuk ka asnjë aktivitet konkret … pothuajse asgjë, përveç rubrikave të shumta të mbushura me tekste të thata abstrakte për misionin, qëllimet, planet, por pa asgjë reale. Në rubrikën ‘about us’ nuk thuhet asgjë konkrete për shoqatën, në tekstin e rubrikës ‘our activities’ nuk ka asnjë aktivitet të zhvilluar, në rubrikën ‘membership’ nuk ka asnjë të dhënë pë antarët, në ‘collaborations’ nuk ka asnjë bashkëpunim. Ekzistojnë rubrikat ‘case study’, ‘market study’, ‘survey’, ‘articles’ dhe ‘workshops’ por në asnjërën prej tyre nuk paraqitet ndonjë studim rasti, studim tregu, hulumtim, artikull apo puntori e zhvilluar! Pos adresës së selisë në Zvicër, numrit të telefonit, faksit dhe emailit, të vetmet veprimtari që paraqiten në webfaqe janë ceremonitë e ndarjes së çmimeve. Duket se i gjithë aktiviteti i shoqatës përmblidhet në rekrutimin dhe ndarjen e çmimeve gjatë një ceremonie, ku personat e përzgjedhur marrin çmimin, fotografohen dhe mbajnë një fjalim të shkurtër. Nga videot dhe fotot e prezantuara duket se një aktivitet i tillë duhet të ketë filluar në vitin 2011.

Nga informacioni i mbledhur kuptohet se kemi të bëjmë më shumë me një shoqatë anonime, pa ndonjë renome, prestigj apo aktivitet, e cila edhe pse mban mbiemrin ‘evropiane’ nuk ka të bëjë asgjë me institucionet evropiane, ashtu siç nuk ka të bëjë as çmimi i ndarë i cilësuar si ‘evropian’ – cilësim ky që nuk të ndalon kush t’ia vësh cilitdo produkt, kafene apo edhe barakë! Sado i madh emri i Vjenës, atje sot mund të shkojë secili dhe mund të hyjë edhe në ish pallatin e perandorit austriak (për të cilin informacioni në internet thotë se është kthyer në hotel) dhe secili që do, mund të marrë një sallë me qira për të zhvilluar aty një ceremoni. Meqë deri më sot, nuk kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë njoftim nga Komuna e Gostivarit se ndonjë përfaqësues i ESQR-së e ka vizituar këtë komunë dhe është njoftuar për punën e bërë, jo vetëm që dyshoj se ka kritere për marrjen e këtij çmimi të ESQR-së, por dyshoj se edhe Nevzat Bejta vet nuk është në gjendje të tregojë se cilat praktika më të mira – që nuk i ka zbatuar askush tjetër në Evropë – por i ka zbatuar ai, në diçka më shumë se gjashtë muaj të qënjes në detyrë, kanë qenë shkak për marrjen e këtij çmimi ‘evropian’? 

Por, sado që nuk është serioze për një kryetar komune të shkojë në Vjenë për të marrë një çmim nga një kuazishoqatë anonime dhe të bëjë shpenzime të panevojshme – nëse kjo do të ishte e gjitha lidhur me këtë çmim fantazmë – deri këtu nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe shumë të madhe.

Fatkeqësisht, dyshimet sapo kanë filluar të trashën! Kujtesa më solli ndër mend rasti e ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, të shkarkuar për keqpërdorime financiare para rreth një viti e gjysmë. Në një situatë dështimesh, akuzash dhe kritikash, në fund të majit të vitit të kaluar, Universiteti i Prishtinës njoftonte se, në emër të këtij universitetit, rektori i tij, Mujë Rugova, kishte marrë çmimin për cilësi, nga organizata “Business Initiative Direction” (B.I.D.), me seli në Madrid të Spanjës http://www.bid-org.com/ , në një ceremoni të organizuar në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në komunikatën e shtypit, të lëshuar nga UP-ja, tregohej edhe një foto e rektorit Rugova, ndërsa mbante në dorë një trofe. Madje, edhe Zëri i Amerikës, kishte realizuar një intervistë të drejtpërdrejtë me rektorin, për ta pyetur për këtë çmim, që iu dha Universitetit të Prishtinës dedikuar për “cilësi, menaxhim dhe rezultate të vazhdueshme” http://gazetajnk.com/?cid=1,979,2317 . Vetëm pas pak ditësh u zbulua se ky çmim nuk ishte rezultat i ndonjë arritjeje të Universitetit por ishte blerë kundrejt pagesës prej 3.900 eurosh. Organizatori për pjesëmarrësit e subjekteve që kishin blerë “çmimet” kishte siguruar edhe nga një dhomë hoteli, një drekë gala, një certifikatë, fotografimin gjatë momentit të ndarjes së “çmimit” dhe pullën e fituesit, si kundërvlerë e 3900 eurove të paguara. Pjesëmarrësve u ishte dhënë edhe nga një DVD me foto dhe xhirime të bëra në ceremoni http://www.telegrafi.com/?id=2&a=22803&utm_source=dlvr.it&utm_medium=twitter . Kur u kuptua se rektori Mujë Rugova e kishte blerë çmimin me paratë e universitetit, Këshilli i Universitetit të Prishtinës ia ndërpreu atij mandatin.

Nëse e krahason rastin e blerjes së çmimit nga ish rektori Mujë Rugova me rastin e ‘ndarjes’ së çmimit të marrë nga Nevzat Bejta, vërehen ngjashmëri të shumta.

Në këtë kohë të internetit, kur bota është bërë një fshat i madh, ekzistojnë lloj lloj grupesh, shoqatash e organizatash që fshehin qëllime nga më të ndryshmet. Megjithatë, shërbimet e organizatave/shoqatave si ESQR dhe B.I.D. nuk mund të konsiderohen të paligjshme. B.I.D.-i, e probabilisht edhe ESQR-ja, ofrojnë çmime me formulime me fjalë të mëdha, kundrejt pagesave të caktuara. Ato marrin para të majme për këto gjëra, ndërsa ‘fituesit’ e çmimeve marrin nga një trofe dhe certifikatë me të cilat kur të kthehen në vendin e tyre mundohen ta mahnisin opinionin me ‘arritjen’ e tyre në nivel ndërkombëtar. Ky është qëllimi i jo pak bizneseve, të cilat japin mjaft para për reklamimin e vetvetes dhe kuptohet se disa mija euro për një çmim ‘evropian’ a ‘ndërkombëtar’, qoftë ai edhe fals apo i pavlerë, nuk paraqesin ndonjë problem.

Nisur nga natyra e shoqatave që japin çmime të tilla, dyshoj se çmimi i ndarë Komunës së Gostivarit është dhënë pa paguar gjë … vet apo përmes ndonjë pale të tretë! Megjithatë kjo është diçka që duhet ta sqarojnë zyrtarët e Komunës së Gostivarit ose të bëhet transparente përmes një hetimi. Ajo që është e sigurtë është se shoqatat e tilla nuk janë fondacione bamirëse dhe normalisht se ato duhet t’i mbulojnë vet shpenzimet e organizimit të ceremonive të ndarjes së çmimeve – gjë e cila besoj se bëhet nga fitimi i grumbulluar. Në rastin e dekorimit të UP-së, e cila e kishte blerë çmimin për 3.900 euro, B.I.D.-i kërkonte kryerjen e një pagese minimale prej 3.800 eurosh. Nëse llogarit se vetëm në ceremoninë e dhënjes së çmimit ish-rektorit Mujë Rugova, ishin ndarë 117 çmime, atherë del se organizatës B.I.D. vetëm gjatë kësaj ceremonie i janë paguar 117 x 3.800 euro = 444.600 euro, dhe kjo rezulton si shuma minimale, meqë 3.800 euro ishte vetëm çmimi minimal. Goxha shumë e majme dhe pa shumë mund e djersë, apo jo?

Të dy webfaqet, edhe ajo e ‘B.I.D.’-it edhe ajo e ‘ESQR’-së përmbajnë vetëm tekste abstrakte demagogjike pa ndonjë aktivitet konkret. Megjithatë, nga dy webfaqet, ‘B.I.D.’-i i ish rektorit Rugova duket më i besueshëm se ‘ESQR’-ja e Nevzat Bejtës. Ngjashëm me rastin e ‘B.I.D.’-it, ku Universiteti i Prishtinës konsiderohej si biznes/kompani, edhe në rastin e ‘ESQR’-së është e çuditshme përfshirja e Komunës së Gostivarit në çmimet e dhëna, meqë ‘vet ESQR’-ja thekson se çmimet e saj ju ndahen kompanive, organizatave, ndërmarrjeve dhe bizneseve. Siç duket çmimin e merr secili që ‘plotëson kushtet’, pa marrë parasysh se çka përfaqëson! Megjithëse, në webfaqen e ESQR-së nuk janë prezantuar të gjithë fituesit e deritanishëm, mes atyre të shfaqur nuk arrita të shoh përfaqësues të ndonjë komune tjetër të ndonjë vendi tjetër. Dyshoj se Komuna e Gostivarit bëhet kështu komuna e vetme, të paktën në Evropë dhe Amerikë që merr një çmim të tillë të pavlerë (pa mundur të përjashtoj ndonjë komunë të dorës së dytë të ndonjë vendi të botës së tretë në Azi ose Afrikë)! Në fakt, ashtu siç shihet edhe në fotot e ceremonisë ku ka marrë pjesë Nevzat Bejta, përfaqësues të biznesit nga vendet afrikane janë ‘fitues’ të shpeshtë të çmimeve të tilla.

Përveç pagimit të çmimit, delegacioni i ish-rektorit Mujë Rugova, kishte bërë edhe rreth 11.000 euro shpenzime tjera të udhëtimit dhe qëndrimit për marrjen e çmimit në Nju Jork, pra gjithsej rreth 15.000 euro. Sado që Vjena është më afër se Nju Jorku, sigurisht se as Nevzat Bejta nuk ka shkuar atje i vetëm dhe se shkuarja dhe qëndrimi i tij ka patur shpenzime shtesë.

Se sa kanë qenë shpenzimet shtesë dhe kush i ka paguar ato këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje, ashtu siç kërkojnë përgjigje edhe pyetjet e mëposhtme:

– Çka është ‘ESQR’-ja? – Çka përfaqëson ajo? – Me se merret dhe cilat kanë qenë aktivitetet e saj konkrete (pos ndarjes së çmimeve)? – Mbi ç’bazë çmimet e saj emërtohen si ‘evropiane’? – Cila komunë tjetër në Evropë e ka fituar këtë çmim? – Në bazë të cilave kritere e ka fituar Komuna e Gostivarit këtë çmim? – A di dikush nga ‘ESQR’-ja shqip apo maqedonisht dhe si e kanë marrë ata informacionin e nevojshëm për punën e Komunës? – Kur kanë ardhur përfaqësuesit e ‘ESQR’-së në Gostivar për ta vlerësuar punën e Komunës? – A ka paguar Komuna e Gostivarit, apo ndonjë palë e tretë në emër të saj, për çmimin e marrë dhe nëse po, sa ka qenë pagesa e bërë? – A është ky çmim, çmim që dhurohet apo çmim që blihet?

Nëse vërtetohet se çmimi është blerë, pos shpenzimit të kot të parave të qytetarëve, edhe më e rëndë është gënjeshtra dhe mashtrimi i kryer.

Ftoj të gjithë që të bëjnë kërkimet përkatëse në internet – për këtë rast dhe rastet tjera të ngjashme – dhe të nxjerrin vet konkluzionet për të vërtetën.

Lajme të ngjashme

Back to top button